Keshilla

Dhjetë përgjigjet më të mira për dhjetë pyetje pa takt

Të gjithëve na ka ndodhur, të paktën një herë të vetme, që të na bëjmë pyetje të papërshtatshme! Një sondazh i fundit i kryer në Itali, ka zbuluar se 69% e beqarëve bezdisen mbi pyetjen që iu bëjnë në lidhje me statusin e tyre sentimental.

Cila është sjellja e duhur për t’u marrë në konsideratë pasi, siç thotë Oscar Wilde, “pyetjet nuk janë asnjëherë të pamatura, por a janë ndonjëherë përgjigjet?”. “Sjellja jonë varet shumë nga bashkëbiseduesi, të cilit i referohemi”, ka thënë psikologu dhe psikoterapeuti, Lorenzo Magri.

“Në një situatë në të cilën mund të ndiheni si të vënë me shpatulla pas murit, në raste të ndryshme mund t’iu bëjë të përgjigjeni ironikisht dhe madje të gënjeni”, shton psikologu Daniele Colombo. Nëse pyetjet e pamatura nuk mund të shmangen, atëherë ju mund të parapërgatiteni psikologjikisht.

Ja një listë prej 10 pyetjesh të tilla më të përhapura dhe sugjerimet e ekspertëve për të reaguar në mënyrë filozofike dhe mbi të gjitha, për të mos u ndier në siklet.

1) “Përse jeni ende beqar/beqare”?

Kjo është një nga ato pyetjet klasike, të cilat të vënë patjetër në siklet dhe në vështirësi. “Në këtë rast, përgjigjja e duhur do të thotë rrëfim, çka kërkon nevojën për dëgjim nga ana e personit që drejton pyetjen, gjë që jo gjithmonë ndodh, nëse marrëdhënia është sipërfaqësore”, shpjegon Colombo.

“Kështu, në këtë rast mund të përgjigjeni shkurt se ende nuk e keni gjetur personin e duhur, ose mbështetuni tek ironia dhe tek sarkazma kur përballë keni një person të afërt, duke i thënë ‘Ah qenkam ende beqar/beqare?!’”, sqaron Colombo.

2) “Ke ndonjë shoqe/shok?”

Pyetja ka të njëjtin ngjyrim si e para! Dikush do të informohet për statusin tuaj emocional. “Por nëse pyetja është pozitive, është më e lehtë të përgjigjeni”, thekson Magri. “Ndërkohë, në rast se është tendencioze, ju mund të ndryshoni diskutim në mënyrë ironike, duke komentuar me: ‘pyetje interesante!’”.

3) “Si ka mundësi që u ndatë?”

Një pyetje jo vetëm e pa vend, por që mund të hapë “një plagë të freskët”. “Nëse nuk dëshironi të flisni, mund të mbështeteni te fraza rastësore, duke kaluar me takt në temën për të cilën ishit duke folur më parë, ose të përgjigjeni në mënyrë ironike në bazë të raportit që mund të keni me atë që ju drejton këtë pyetje”, shpjegon eksperti.

4) “Je ende me atë vajzën/djalin?”

“Në këtë rast, nëse përgjigjja është ‘po’, nuk ka asnjë problem. Por, nëse historia juaj është mbyllur, ju mund të ndryshoni temë, ose të kaloni tek aspektet pozitive të partnerit/partneres aktuale”, thotë Magri.

5) “Kur do të martoheni?”

Kjo pyetje në përgjithësi drejtohet nga të afërmit, miqtë ose të njohurit kur ju shkoni drejt moshës 30-40 vjeç, ose në rastin kur jetoni prej kohësh një marrëdhënie të qëndrueshme. “Edhe në këtë rast, vlen rregulli që varet nga lloji i marrëdhënies që mund të keni me personin në fjalë”, shpjegon Magri.

6) “Do të bëni fëmijë, apo jo?”

Nga të tjerët, kjo shihet si diçka e detyrueshme për çdo çift, por në fakt, ajo mund të lëndojë më shumë ata partnerë të cilët kanë probleme në këtë drejtim. Në këtë rast, përgjigjuni në mënyrë të ftohtë, duke kaluar në një temë tjetër.

“Por në rast se ende nuk e keni vendosur të gëzoheni me fëmijë, përgjigjuni qartë ndaj një personi të afërt, në të kundërt, kujtojini se ‘çdokush ka të drejtën të jetë i rezervuar në disa gjëra’”, shton Colombo.

7) “Ende nuk jeni diplomuar?”

Në mesin e pyetjeve që shkaktojnë siklet, është edhe kjo e cila lidhet me studimet, e cila ka fuqinë të krijojë ankth dhe frikë nga gjykimi. “Në këtë rast, duhet të jeni të sinqertë, ndërkohë me të huajt mund të jepni një përgjigje më të rezervuar të tipit ‘më mungon edhe pak kohë dhe do t’i jap fund…’”.

8) “Si ka mundësi që nuk punoni?”

Një pyetje si kjo, e bërë në kohë krize, ku gjetja e punës është tejet e vështirë, përveçse siklet, shkakton edhe dhimbje në shpirt! “E rëndësishme është të mos thoni gjëra mbi veten, të cilat ju bëjnë të ndiheni të nënvlerësuar”, komenton Magri.

“Ju mund të shpjegoni, se përse impenjimi i mëparshëm nuk shkonte mirë për ju, ose mund të thoni se po vlerësoni mundësitë e punëve, të cilat do t’iu ofrohen, përndryshe, përgjigjuni se nuk dëshironi të flisni për këtë gjë”, shton Colombo.

9) “Sa fiton?”

E lidhur dhe kjo me çështjen e punësimit… një pyetje me spec, sepse “nëse fitoni pak, mund të rezultojë poshtëruese, ndërkohë, nëse paga është e lartë, ju mund të konsideroheni vetëm për aspektin ekonomik”, saktëson Colombo.

Ndaj më mirë të vijoni me përgjigje diplomatike të tipit ‘aq sa mjafton’ dhe të ndryshoni temë diskutimi, ose të përdorni ironinë, duke u përgjigjur se ‘kurrë mjaftueshëm’, për të mos e thelluar më tej bisedën.

10) Pyetje pa takt gjatë intervistave të punës

Shpesh në periudha krize, gjatë intervistave për punë, mund të ndodhë që punëmarrësi të tregohet veçanërisht i bezdisshëm, duke bërë pyetje shumë private mbi familjen, shëndetin, fëmijët, hobet në fundjavë etj.

“Në këtë rast, nëse ju intereson puna, atëherë mund të përgjigjeni në mënyrë të këndshme, duke dhënë një seri përgjigjesh. Nëse nuk ju intereson, shpreheni troç se disa pyetje ju duken të papërshtatshme në intervistën e punës”, përfundon Magri.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button