Dhuna që prodhon vetëm spekatatorë dhe një spektakël me aktorë të marrë hua
Në njëfarë mënyre, shoqëria shqiptare, pas shtatë ditësh dhune në rrugë, nuk është bërë pjesë e protestave, por pjesë e debatit mbi dhunën në protesta.
Pra, protestat kanë mbetur pronë e një grupi të dhunshëm, të mirëtrajnuar, anëtarët e të cilit, në shumë raste, kryejnë veprime luftarake shumë më profesionale se policia. Dinë të gjuajnë me molotovë, dinë të përdorin armë piroteknike, kanë trupa sportivë dhe të përgatitur dhe janë të gjithë me maska.
Nëse shikoni videot e postuara nga vetë të rinjtë që janë mbështetës të protestës, ata shfaqen të organizuar kur hyjnë mes protestuesve, priten me duartrokitje, madje si heronj dhe, pasi vishen e pajisen me armë, nisen si për luftë.
Ky është një tregues se protesta nuk është një shpërthim spontan dhune mbi Tiranën, por një dhunë e përgatitur dhe e trajnuar.
Përtej aftësisë profesionale që policia po tregon për t’u përballur me dhunën, pjesa tjetër, ajo e inteligjencës policore për të ndjekur dhe zbuluar se kush janë këto trupa të trajnuara, që nuk kanë lidhje me studentët të cilët pretendojnë se përfaqësojnë në vijën e parë të frontit me policinë, është një dështim. Protestuesit e ndaluar, në shumicë nga Veriu dhe Kosova, flasin për pagesa, për hotele ku qëndrojnë, po ashtu të paguara, për udhëtime të paguara nga Evropa drejt Shqipërisë etj. Nuk ka problem pse janë të paguar, por institucionet e sigurisë në vend kanë detyrë të zbulojnë financuesit dhe trajnuesit e këtij rrjeti të dhunshëm, pasi nuk po flasim për një protestë spontane, por për një spektakël me aktorë të marrë hua.
Pastaj, ato skenat prekëse me ndonjë teprim të dhunës nga policia apo me ndonjë heroizëm të protestuesve, duke përdhunuar policë të vetmuar dhe joprofesionistë, janë çështje Instagrami. E vërteta është se protesta është një ritual që nis te Ministria e Arsimit, ku vijnë “maskat”, dhe më pas marshojnë drejt Kryeministrisë, ku bëjnë një orë luftë. Pastaj shpërndahen nëpër rrugët e Tiranës për të vjedhur ndonjë dyqan apo për të djegur ndonjë biznes nga lista që shpallet publikisht prej organizatorëve.
Së dyti, kemi një protestë që nxjerr në pah shenja të qarta të përzierjes së islamit politik, i cili nuk e dominon dot protestën, por e bën pis atë. Legjitimiteti i protestës buron nga fakti se ajo është revolta e një brezi të rinjsh që kanë mbetur në geto dhe nuk ndihen të barabartë në një shoqëri që i ka lënë në periferi. Por fakti që hoxhallarë nëpër lagje rekrutojnë adoleshentë, gra të mbuluara me shami që, me shkopinj në dorë, qëllojnë policë, apo, më keq akoma, protestues që kanë fiksim të thyejnë Ambasadën e Vatikanit apo simbolet e Gjergj Fishtës në Lezhë dhe të Skënderbeut në sheshin “Skënderbej”, tregon qartë se dikush kërkon të marrë edhe kapital politik si një lëvizje xhihadiste.
Nuk është se shoqëria jonë ndikohet prej tyre, por ama frikësohet. Për shembull, nuk kam parë asnjë intelektual shqiptar të dënojë sulmin mbi Lahutën e Malcis të Gjergj Fishtës, dhe të mendosh që krerët më të dhunshëm të protestës janë nga Lekbibaj enklava katolike e Malësisë së Tropojës. Madje, dhe ajo deputetja, që nuk të lë të flasësh as në gjuhën letrare, e ka mbyllur gojën kur ka parë përdhunimin e babait të gegnishtes, Gjergj Fishtës.
Kjo tregon se ata që qëndrojnë pas këtyre gjesteve ushtrojnë pushtet frike mbi protestuesit dhe mbi shoqërinë.
Së fundmi, sikur të mos na mjaftonin të gjitha këto, janë shtuar edhe zërat e bezdisshëm nga Kosova, që policojnë Shqipërinë dhe ngjarjet këtu dhe bëhen palë në një histori që nuk është e tyre. Udhëheqësit më të lartë të pushtetit në Kosovë janë përfshirë në një fushatë histerike kundër policisë shqiptare, me shpresën se do të rrëzojnë Edi Ramën.
Edi Rama mund të rrëzohet për një mijë arsye në Shqipëri, por jo për njëqind mijë arsye që vijnë nga Kosova. Dhe sidomos jo prej Albin Kurtit. Albulena Haxhiu, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, flet sikur të jetë zëdhënëse e talebanëve dhe jep direktiva se si duhet të dorëzohet qeveria përpara dhunës, a thua se kjo është Beteja e Albulenës, ku turqit duhet të fitojnë ndaj Skënderbeut. E kudnerta ka ndodhdhe puer dreq kjo nuk ngeli pa emër.
Këshilltarët më të afërt të Albin Kurtit, zëdhënësit e tij zyrtarë dhe jozyrtarë, janë përfshirë në deklarata të rënda, të cilat nuk i bëjnë as drejtuesit e protestave. E di që shumë njerëz në Shqipëri janë të revoltuar nga kjo gjë, por unë, që i njoh pak më mirë të dyja palët, u them të qetësohen.
Nëse ka një gjë në favor të Edi Ramës në këtë histori, po aq të drejtë sa edhe të pamerituar, është sulmi që i vjen nga Albin Kurti. Ai i shton më shumë mbështetje në Shqipëri, pikërisht për shkak të idesë që Albin Kurti mendon se mund t’i diktojë Shqipërisë. Është pak a shumë ajo historia e vitit 2021, kur erdhi si triumfator për të votuar dhe iku në darkë me 130 vota.
Prandaj faljani kosovarëve të Albin Kurtit këtë marrëzi, se nuk na dëmton. Thjesht tregon se në çfarë duarsh ka rënë Kosova. Është halli i tyre. Ky që e mban Kosovën duke importuar miell dhe ushqime nga Serbia, të vetmin mall eksporti ka demonstruesit për në Shqipëri dhe mendimtarët si ata të Putinit, që fërkojnë duart për zjarret në Tiranë. Hajde, le t’i ulim edhe ata si negociatorë, nëse do të arrijmë deri tek ajo ditë. Por të mos na lodhin veshët.
Protesta nuk është as popullore, as masive, as e ka zhytur Shqipërinë në dhunë dhe as ka ndonjë objektiv politik. Deri tani, objektivi është dhuna dyorëshe në bulevard, spektakli dhe pastaj kthimi në shtëpi dhe beteja online. Aty janë shumë mirë. E kanë fituar betejën. Por asgjë më shumë.
Problemi është se protesta të tilla duhet të prodhojnë energji politike dhe të kanalizohen në zgjedhje dhe zgjidhje që i shërbejnë Shqipërisë. Deri tani u shërbejnë vetëm atyre që i kanë trajnuar dhe po i përballin me sukses me policinë. Suksese në jetë atyre dhe suksese në detyrë policëve.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.