VATIKAN – Telefonatë Leone XIV-Zelensky për armëpushimin humanitar
VATIKAN, 19 tetor /ATSH-AFP/ – Papa Leone XIV zhvilloi sot një bisedë telefonike me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, njoftoi Vatikani.
Telefonata vjen disa ditë pas bisedës së kreut të Kishës Katolike me presidentin rus Vladimir Putin, të cilit i kishte kërkuar një armëpushim humanitar për të mundësuar dërgimin e ndihmave dhe evakuimin e civilëve nga qyteti i Olechkit, në rajonin Khersonit, në jug të Ukrainës.
Sipas një deklarate të Vatikanit, papa Leone XIV shprehu shqetësimin për situatën e rëndë në Olechki, ku banorët përballen me mungesë ushqimesh dhe ndihme mjekësore urgjente.
Ai shprehu shpresën se bashkëpunimi mes palëve do të mundësojë dërgimin e ushqimeve dhe furnizimeve mjekësore, si dhe evakuimin e sigurt të civilëve që dëshirojnë të largohen nga zona.
Telefonata me Zelenskyn u zhvillua dy ditë pasi papa Leone XIV, 71vjeç, doli nga spitali “Gemelli” në Romë, ku iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale për një tumor në mushkëri.
Gjatë qëndrimit në spital, ai kishte telefonuar të premten presidentin Putin për t’i kërkuar armëpushim humanitar në mënyrë që banorët e Olechkit të furnizoheshin me ndihma dhe të evakuoheshin në kushte të sigurta.
Pas asaj bisede, Kremlini njoftoi se presidenti Putin i kishte uruar Papës Leone XIV shërim të shpejtë, por njëkohësisht kishte fajësuar qeverinë e Kievit për situatën e vështirë humanitare në qytet.
Përpjekjet e Papës synojnë të lehtësojnë vuajtjet e civilëve dhe të sigurojnë qasje në ndihmat jetike në një zonë të prekur nga luftimet. /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.