“Dhunë dhe seks” në Teatrin Kombëtar
“Shopping and fucking”, vepra e njohur e Mark Rahenvill ngjitet këtë fundjavë në skenën e Teatrit Kombëtar nën regjinë e Fatos Berishës
A e ka humbur teatri rolin e tij ndërgjegjësues? Kjo ishte pyetja që shkrimtari dhe dramaturgu Mark Rahenvill i bëri vetes teksa nisi të shkruante në vitin 1995 veprën “Shopping and fucking”, që do të shkaktonte një debat përtej teatrit. Pavarësisht titullit konsumist, kjo vepër ishte një shuplakë për konsumizmin, i cili është kthyer në një moto për shoqërinë. Rahenvill e ktheu teatrin bashkëkohor në qëllimin që ai ka pasur që prej ekzistencës së tij, që është ndërgjegjësimi dhe dhënia e mesazheve të shëndosha qoftë edhe përmes të qeshurave. Si anglez ai dinte ta bënte lehtë atë. Jeta që ai solli përmes kësaj vepre, e cila për herë të parë u ngjit në teatrin e Londrës, për të vijuar më pas në teatro të ndryshëm në botë, do të prekte publikun. Kjo, pasi ajo dukej si një pjesë e shkëputur e realitetit me të cilin përballemi çdo ditë. Rahenvill kishte mundur të bënte bashkë copëza të trishta të këtij realiteti të dhëna dhe dhunshëm. Në janar të këtij viti, regjisori nga Kosova, Fatos Berisha, e ngjiti këtë vepër në skenën e Teatrit Kombëtar të Prishtinës, i bindur se çdo teatër dhe çdo shoqëri ka nevojë të përballet me problemet e së tashmes. Pas Prishtinës, kjo vepër do të udhëtojë këtë fundjavë në skenën e Teatrit Kombëtar të Tiranës për publikun kryeqytetas. Një teatër për atë çfarë e quajmë dhunë seksuale, është një teatër për atë çfarë po jeton shoqëria sot sipas regjisorit Berisha. “Dhuna seksuale e ‘Shopping and fucking’ trajton shoqërinë ku konsumizmi zëvendëson të gjitha kodet e tjera morale. Për këtë qëllim çdo gjë, duke përfshirë edhe seksin, dhunën dhe drogën, janë reduktuar në një transaksion të thjeshtë, në një kohë ku qendrat tregtare janë kthyer në katedralet e reja të konsumizmit perëndimor”, thotë Berisha. Sipas tij, ka ardhur koha që teatri të përballet dhe me temat tabu. “Mendoj se teatri ende ka potencialin e hapjes së debatit dhe temave tabu. Fundja, gjatë historisë teatri nuk ishte vetëm për zbavitje, por edhe ngriti çështje sociale. Mendoj se nuk është koha për tregime të buta dhe romantike. Është koha për shfaqje brutale, provokative dhe pse jo me humor të zi. Histori bashkëkohore, të vërteta, për njerëz të vërtetë. Tregime për moralin në kohët amorale”, thotë Berisha. Në role kryesore në këtë vepër interpretojnë aktorët Luan Jaha, Arta Selimi, Armend Ismajli, Tristan Halilaj dhe Florist Bajgora.
Ajo çfarë e bën ndryshe këtë teatër është dhe teksti që do të interpretohet nga kasta e aktorëve. Kjo, pasi është një tekst zhargon i marrë nga jeta e përditshme, duke i dhënë gjërat thjesht dhe pse mund të hyjnë në fjalorin e fjalëve shpesh të ndaluara. Për regjisorin Berisha, publiku do të adoptohet shpejt me veprën, pasi kjo e fundit ka aftësinë ta përthithë atë me historinë që mbart. Kjo vepër është si një katarsis për veset dhe kahet nga e cila orientohet shoqëria, për të kthyer besimin te vlerat e vërteta, tek ato që e bëjnë një shoqëri e qenie njerëzore të denjë. Së bashku me Sarah Kane-së, dramaturgu Ravenhill është një ndër autorët kryesorë të lëvizjes teatrore “In-yer-face” që nisi në Britani në vitet 1990. Shfaqja “Shopping and fucking” e Teatrit Urban dhe Teatrit Kombëtar të Kosovës është vënë për herë të parë në skenë në gjuhën shqipe.