Dhunë në protestë? PD i përgjigjet policisë: Sajesë e neveritshme
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi doli publikisht për të dënuar, siç tha deklaratën e policisë që la të nënkuptohet se në protestën e opozitës mund të ketë akte dhune.
Sipas Bardhit, protesta do të jetë paqësore, prandaj edhe qytetarët duhet të bëhen pjesë e saj.
“Dënojmë deklaratën e policisë së Shtetit se në protestë do të ketë dhunë. Ajo dezinformon dhe mashtron opinionin publik. Dhuna nuk është kurrë qëllimi dhe mjeti i PD. Deklaratat synojnë përplasje, konflikt dhe frikë tek qytetarët. Ne i kemi thirrur kundër dhunës qytetarët dhe jemi të angazhuar për protestë paqësore. PD ka refuzuar dhe refuzon dhunën e bashkëpunimin me krimin për të ardhur në pushtet”,- tha Bardhi.
DEKLARATË E SEKRETARIT TË PËRGJITHSHËM TË PD GAZMENT BARDHI
Partia Demokratike dënon me ashpërsi deklaratën e Policisë si një deklaratë që nxit dhunë dhe nuk i shërben stabilitetit të vendit.
Qeveria ilegjitime që qëndron në pushtet me votat e blera nga krimi i organizuar dezinformon dhe mashtron opinionin publik për qëllimin e protestës së opozitës. Dhuna nuk është dhe nuk do të jetë kurrë qëllim dhe as mjet i Partisë Demokratike.
Deklaratat e Policisë së kapur nga krimi janë një sajesë e neveritshme, që synojnë përplasje, konflikt dhe frikë tek qytetarët.
Partia Demokratike ka thirrur sot në protestë të gjithë qytetarëve kundër dhunës, për Shqipërinë si gjithë Europa.
I sigurojmë qytetarët se Partia Demokratike është e angazhuar vetëm për protestë paqësore. Partia Demokratike është parti e lirisë dhe e vlerave europiane dhe euroatlantike, ajo ka refuzuar dhe refuzon dhunën dhe bashkëpunimin me krimin për të ardhur në pushtet.
Dhuna është mjeti kryesor me të cilin Rama mban pushtetin, duke goditur qytetarët e pambrojtur. Është Edi Rama ai që nxorri me gaz lotsjellës nga shtëpitë banorët tek bregu i Lumit, që kërcënon banorët e Astirt me shkatërrimin e shtëpive, që ka futur në burgje mbi 10 mijë qytetarë që nuk paguajnë dot energjinë elektrike, që u ka hequr bukën e gojës mijëra të tjerëve. Ky është zemërimi në rritje i mijëra e mijëra qytetarëve të tjerë, të poshtëruar e të dhunuar nga regjimi I Edi Ranës.
Partia Demokratike është e vendosur: asnjë hap pas për të drejtën themelore të njerëzve të lirë, votën e lirë, të pandikuar nga krimi dhe korrupsioni, njësoj siç ndodh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Britani, Francë, Gjermani, Itali dhe kudo. Protestat tona i shërbejnë vetëm këtij qëllimi.
Ripërsërisim sot apelin tonë drejtuar qytetarëve, që pavarësisht provokimit kriminal të drejtuesve të Policisë së Shtetit, që do të kenë fatin e njëjtë me atë të Edi Ramës, duhet të mbrojnë punonjësit e thjeshtë të policisë, të cilët kanë të njëjtat halle dhe probleme me secilin prej qytetarëve që dalin në protestë.
Skenarët kriminalë të Edi Ramës, pengimi i të drejtës për të protestuar, dhuna dhe terrori mbi protestuesit nuk kanë për të na ndalur.
Beteja jonë është për standartet dhe vlerat Europiane, prandaj ka bashkuar shumicën dërrmuese të shqiptarëve të ndershëm.
Regjimi në grahamat e fundit është i tmerruar. Bashkimi i sotëm do të jetë madhështor. Fundi i modelit të Qeverisë së Avdylajve, është më i afërt se kurrë.
Të gjithë si asnjëherë të bashkuar sot në orën 19.00, për t’i dhënë qartë dhe prerë Qeverisë ilegjitime të banditëve, verdiktin se shumica e bashkuar e shqiptarëve, nuk e pranon kurrë pushtetin e marrë me dhunë dhe të bërë njësh me krimin.
Te gjithë bashkë, sonte në orën 19.00, për Shqipërinë si gjithë Europa!