Dhunuan punonjësin e karburantit dhe i morën xhiron ditore, në pranga dy autorët në Mat
Dy persona janë vënë në pranga këtë të mërkurë, pasi gjatë orëve të para të mëngjesit kanë vjedhur xhiron ditore të një pike karburanti dhe kanë dhunuar punonjësin në Mat.
Sipas njoftimit të Policisë, në pranga kanë rënë J. L., 22 vjeç, dhe M. D., 21 vjeç. Dy të rinjtë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kryer vjedhjen dhe më pas janë larguar nga vendngjarja.
Pas marrjes së njoftimit, Policia ka bërë të mundur identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Njoftimi i plotë i Policisë:
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat, rreth orës 01:10 të datës 03.11.2026, kanë marrë njoftim se në Klos, dy shtetas të paidentifikuar kishin ushtruar dhunë ndaj punonjësit të një pike karburanti, shtetasit S. M., dhe më pas i kishin vjedhur një shumë parash (xhiron e turnit).
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, specialistët e Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Mat, në bashkëpunim me ato të DVP Dibër, kanë organizuar punën për zbardhjen e rastit, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Si rezultat i hetimeve intensive, të kryera nga strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, nën drejtimin e Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, u bë i mundur identifikimi i dy autorëve të dyshuar të ngjarjes.
Në vijim të veprimeve, në kuadër të operacionit policor të koduar “Koordinimi”, në bashkëpunim me Komisariatet e Policisë Nr. 1 dhe Nr. 6 Tiranë, u bë kapja dhe arrestimi i shtetasve :
– J. L., 22 vjeç, banues në fshatin Dars, Klos
– M. D., 21 vjeç, banues në Tiranë.
Nga veprimet hetimore dyshohet se këta dy shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë ushtruar dhunë ndaj punonjësit të karburantit dhe më pas i kanë vjedhur xhiron e turnit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”, e kryer në bashkëpunim.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.