Diagnostikimi i pneumonisë në 10 minuta vetëm nga frymëmarrja
Instituti i Teknologjisë i Masaçusetsit ka ndërtuar një teknologji të re që mund të transformojë mënyrën se si diagnostikohet pneumonia, duke mundësuar identifikimin e sëmundjes vetëm përmes frymëmarrjes së pacientit, pa qenë nevoja për analiza gjaku apo radiografi, sipas “ScienceDirect”.
Sistemi, i quajtur “PlasmoSniff”, bazohet në përdorimin e nanopartikujve (grimca jashtëzakonisht të vogla, me madhësi në shkallë nanometri (1 nanometër = një e miliardta e metrit) – që thithen nga pacienti në mënyrë të ngjashme me një inhalator për astmën (një pajisje mjekësore që përdoret për të marrë ilaçin duke e thithur direkt në mushkëri përmes frymëmarrjes).
Nëse mushkëritë janë të infektuara, enzimat e lidhura me infeksionin ndërveprojnë me biomarkues (tregues biologjikë) sintetikë të lidhur me këto grimca, duke prodhuar fragmente të cilat më pas dalin përmes frymëmarrjes.
Pas rreth 10 minutash, pacienti nxjerr frymën në një pajisje të specializuar që kap këto fragmente në një hapësirë nanometrike.
Përmes një teknike të avancuar që shfrytëzon rezonancën plazmonike dhe spektroskopinë “Raman”, sensori identifikon një “nënshkrim molekular” unik të sëmundjes.
Testimet fillestare në mostra laboratorike, përfshirë inde mushkërish nga minjtë, kanë treguar se sistemi mund të zbulojë biomarkues në nivele shumë të ulëta, deri në 10 pjesë për miliard – një prag i rëndësishëm për përdorim klinik.
Ndryshe nga metodat aktuale, të cilat kërkojnë pajisje të specializuara dhe kohë të gjatë për rezultate, kjo teknologji synon të jetë portative dhe e përdorshme në kohë reale, edhe në zona të largëta ose pa akses në laboratorë të avancuar.
Megjithatë, sistemi është ende në fazë eksperimentale dhe deri më tani është testuar vetëm në kushte laboratorike.
Hapi i ardhshëm do të jetë zhvillimi i një prototipi funksional me maskë për mbledhjen e frymëmarrjes dhe më pas testimet tek njerëzit, për të cilat ende nuk është dhënë një afat i saktë.
Nëse konfirmohet në praktikë klinike, kjo risi mund të shkurtojë ndjeshëm kohën dhe koston e diagnostikimit të pneumonisë, një nga sëmundjet më të përhapura dhe më të rënda të traktit respirator. //a.i/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.