Dieta pastruese pas festave të fundvitit
Gjatë drekave dhe darkave të festave mund të ndodhë që çdokush ta ekzagjerojë me të ngrënët. Kuzhina e mirë e miqve dhe e të afërmve vlen aq shumë ndonjëherë, saqë dëmi për shëndetin nuk merret parasysh!
E rëndësishme është ta merrni veten ditë më pas, në mënyrë që të ndihmoni punën e mëlçisë dhe të gjithë organizmit. A mund të mbani dietë? Më mirë jo. Për ju është më e leverdishme të shmangni urinë e madhe dhe të ndiqni një ushqyerje të ekuilibruar. Ja se si mund t’ia dilni mbanë.
Para mëngjesit
Sapo të çoheni prej shtratit, përgatisni një gotë me ujë të vakët dhe shtojini lëngun e një gjysme limoni. Sipas studimeve, ky “lëng” ju ndihmon të pastroheni dhe të detoksifikoheni, duke stimuluar lëvizjen intestinale (zorrët). Ndër të tjera, limoni është një ushqim alkalizant, pra kontribuon në reduktimin e nivelit të aciditetit dhe falë acidit askorbik që ai përmban, luan një veprim antiinflamator.
Mëngjes antiuri
Kur hamë shumë…uria na shtohet edhe më shumë! Për të shmangur braktisjen e qëllimeve të mira, ose urinë e kotë, zgjidhni tërshërën, e lehtë dhe e thjeshtë për t’u tretur, por e pasur me elementë ushqyes. Përgatisni një gotë me pak tërshërë dhe pak ujë: lëreni atë në frigorifer për një natë të tërë për ta pasur gati në mëngjes, ndërsa kur ta konsumoni, i shtoni pak mjaltë për një qarkullim më të mirë të gjakut. Tërshëra ka një fuqi të mrekullueshme për të mos ndier uri, madje deri pasdite.
“Detox” i centrifuguar (shtrydhur)
Kivi i pasur me vitaminë C dhe fibra, finoku, xhinxheri, selinoja, mollët, karotat: përdorni fantazinë dhe shtrydhini këta përbërës për të përgatitur një ushqim të pasur me vitamina të dobishme për të pastruar organizmin. Shtojini edhe pak majdanoz: kjo do t’iu ndihmojë të çoni më shumë oksigjen në gjak, ndërsa nga trupi do të eliminoni të gjitha papastërtitë. Frutat e shtrydhura janë të duhurat për mëngjes ose në mesditë, pas ndonjë aktiviteti fizik.
Sallatë e…ngrohtë
Me të ftohtin është më e thjeshtë të keni nevojë për ushqime më të ngrohta. Ndërkohë, në vend të sallatës së zakonshme, zgjidhni fasulet dhe bishtajoret: futini në ujë të nxehtë, më pas përgatisni një salcë të thjeshtë me rigon dhe vaj ulliri, majdanoz dhe qepë të freskët. Ky është një ushqim tjetër diuretik dhe detoksifikues, ose ndryshe pastrues.
Thojini “Jo” kripës
Reduktimi i kripës është një masë tjetër e shëndetshme…dhe jo vetëm në ditët pas festave! Speci djegës, shafrani i Indisë ose qimnoni ndihmojnë duke i dhënë ushqimit shumë shije: mësohuni të zëvendësoni kripën me këto erëza. Edhe barërat aromatikë ju ndihmojnë të krijoni receta të mira në dobi të mirëqenies. Do ta kuptoni se, sa më shumë të reduktoni kripën, aq më shumë do të shijoni shijen natyrale të ushqimeve.
Shfrytëzoni supat
Supat, perimet e ziera dhe të bëra kremoze, do t’ju ndihmojnë të krijoni një meny të lehtë për ditët pas festave. Nëse adhuroni të kënaqeni me perimet e gatuara në formë kremoze, përgatisni disa porcione për t’i konservuar në frigorifer, në mënyrë që kur të mos keni kohë, t’i keni të gatshme. Zakonisht, kjo gjë ndodh kur ktheheni nga puna. Supa është pjata perfekte për mbrëmje, pak kalorike dhe e shijshme, në gjendje të ngrohë organizmin dhe ta pastrojë atë.