Diplomati italian: Hapja e negociatave me Shqipërinë është çështje muajsh
Kështu shprehet për “TemA TV”, ish- ambasadori i Italisë në Shqipëri, Mario Bova, teksa flet për çeljen e negociatave dhe rëndësinë e Ballkanit Perëndimor në politikat europiane.
“Besoj që çelja e negociatave do të vijë shumë shpejt dhe mbetet shumë e rëndësishme, sepse mund të krijojë një dimension të përbashkët me të gjithë vendet europianë në të gjithë drejtimet, një progres.
Mund të them se të gjithë miqtë e Shqipërisë në Itali, tashmë edhe pjesa më e madhe e italianëve dëshirojnë fort që Shqipëria të jetë pjesë e Bashkimit Europian. Shpresojmë sa më shpejt.
Diçka e tillë është çështje muajsh dhe besoj minimalisht brenda vitit të ardhshëm, çdo gjë do të jetë në rrugën e duhur”, thotë ai.
Bova vëren se nuk është vetëm Europa e rëndësishme për vendet ballkanike.
“Nuk është vetëm Europa e rëndësishme për vendet ballkanikë, por edhe vendet ballkanikë, realitetet e tyre tashmë evropianë janë të rëndësishëm për Europën: të rëndësishëm në pikëpamje politike, ekonomike.
Kështu kur themi se kemi nevojë që gjithë Ballkani të hyjë në Europë, duam të themi që ne europianët kemi avantazh të kësaj, që edhe Shqipëria të jetë në Europë”, shprehet Bova.
Ish-ambasadori jep mendimin e tij edhe për çështjen e emigracionit, një fenomen që sipas tij duhet menaxhuar, por që ai megjithatë e sheh si pozitiv.
“Mendoj se është një fenomen që duhet pranuar, duhet menaxhuar. Mendoj se emigracioni shqiptar ka qenë pozitiv për Italinë, ka sjellë rezultate të rëndësishme.
Ka nevojë natyrisht për mikpritjen e duhur, të bëhen të gjithë veprimet që janë të rëndësishme, por avantazhet janë europiane”.
Bova vijon duke sjellë si shembull integrimin e shqiptarëve në Itali, duke e cilësuar atë si shumë të dobishëm edhe për Italinë.