Diplomati Ludmill Stankov, një studiues i shqipes në Bullgari
Në Bullgari gjuha shqipe ka filluar të mësohet këtu e 100 vitе më parë, përpara se Shqipëria të shpallej shtet i pavarur.
Iniciatorë nuk kanë qënë shqiptarët, por vetë bullgarët, madje vetë njeriu më i rëndësishëm i Bullgarisë së atëhershme: vetë Car Ferdinandi. Pavarësisht nga ngjarjet historike që kanë ndodhur në këto 100 vjet: Lufta Ballkanike, Lufta e Parë dhe e Dytë Botërore, por edhe “akulli” që instaloi sistemi komunist, gjuha shqipe mësohet edhe sot.
Nga Ded Kola
Gjatë qëndrimit këto ditë në Bullgari, një grup gazetarësh nga ATSH, TVSH, gazeta “Ekonomia”, etj. nën kujdesin e Konsullit të Nderit të Bullgarisë në Shqipëri, z. Selim Hoxhaj, mësuam se jo vetëm në Universitetin e Sofjes, por edhe në dy Universitete të tjera si në Universitetin e Pllovdivit dhe atë të Veliko Tërnovos (Velliko Tërnovo), çdo vit pranimi i studentëve në gjuhën shqipe bëhet me konkurs. Dhe të gjithë ata që duan të mësojnë gjuhën shqipe janë të rinj bullgarë.
Ludmill Stankov, një zotni burrë, i thinjur, i mbajtur, plot vitalitet, me një shqipe të pastër, të cilën e ka mbrojtur në Universitetin e Tiranës, flet me pasion, na jep një panoramë të shqipes në Bullgari. Stankov ka qënë diplomat për rreth 8 vite në ambasadën bullgare në Tiranë. Kjo e ka lidhur akoma edhe më shumë me gjuhën shqipe. Ai ka botuar vitet e fundit dy libra për gjuhën shqipe dhe bashkëpunon me Katedrën e gjuhësisë/linguistikës së përgjithshme, indoeuropiane dhe ballkanike në Universitetin e Sofjes. Ai ka një debulesë të veçantë për shqiptarin Thoma Kacorri, familja e të cilit e larguar nga Shtika e Kolonjës në vitet ’30, u vendos në qëndër të Sofjes dhe gjithë jetën ia kushtoi shqipes dhe historisë së Shqipërisë.
Vizita jonë në Sofje, për koinçidencë përkoi me fillimin e festimeve për “Ditën e arsimit dhe kulturës bullgare dhe shkrimit sllav në 24 maj”. “Kjo festë është si Dita e mësuesit në Shqipëri më 7 mars”, thotë Stankov.
Zoti Ludmill Stankov, çfarë mund të na thoni për botimet gjuhësore të shqipes, ku daton fillimi i tyre dhe rëndësia që kanë për mësimin e gjuhës shqipe në Bullgari?
Gramatika e parë në Bullgari për gjuhën shqipe është botuar në vitin 1972 nga Thoma Kacorri, pra për herë të parë ai e filloi, ishte një libër mësimor. Vite më vonë, në 1998 botohet libri “Albanija”, me bashkëautorë Thoma Kacorri dhe Bobi Bobev – historian dhe ish ambasador i Bullgarisë në Tiranë. Ky ishte një botim për historinë, gjuhën, traditat dhe kulturën e Shqipërisë – “Shqipëria e afërtë dhe e panjohurë”. Në vitin 1999, Dr. Ramazan Çadri boton në Tiranë Fjalorin Shqip-Bullgarisht. Në 2006 doli nga shtypi prapë në Tiranë bashkëbiseduesi Shqip-Bullgarisht me bashkautorë Prof. Dr. Llukan Tase dhe Marina Marinova, ndërsa në vitin 2007 – Bashkëbiseduesi Bullgarisht – Shqip me bashkautorë Emillija Ivanova dhe Zehrudin Dokle, në qytetin e Velliko Tërnovos. Në vitin 2010, Enkele Hajnaj, i cili kishte studiuar në Bullgari boton Fjalorin e plotë voluminoz Bullgarisht-Shqip, te Shtëpia botuese ”Toena”. Por metodika e parë për mësimin e gjuhës shqipe në Bullgari është e Thoma Kacorrit.
Meqe jemi tek metodika e shqipes, edhe ju po kontribuoni si pasardhës i Kacorit me botime në këtë fushë?
Metodika e pare është e Thoma Kacorrit, kurse e dyta është metodika ime e cila në vitin 2010 është paraqitur në Akademinë e Shkencave në Tiranë. Libri quhet “Gjuha Shqipe. Fonetikë, morfologji, sintaksë, leksikologji”, dhe ka 530 faqe. Ai u prit mirë nga studiuesit dhe profesorët nga Akademia e Shkencave dhe Universiteti i Tiranës. Bile profesori Emil Lafe e ka konsideruar librin tim si “librin e gjuhës shqipe më të plotë në hapësirën sllave”.
Në vitin 2013, botova librin e dytë “Ushtrime të Gjuhës Shqipe”. Të dy librat u botuan nga Universiteti i Sofjes, çka tregon rëndësinë që i kushtohet gjuhës shqipe në Bullgari. Unë vazhdoj të merrem me çështjet e gjuhës shqipe dhe bashkepunoj me *Katedrën e Gjuhësisë së përgjithshme, indoevropiane dhe ballkanike në Universitetin e Sofjes ku mësohet edhe gjuha shqipe. Gramatika që une kam botuar është për të gjithë ata bullgarë që duan të mësojnë gjuhën shqipe. (*Katedra drejtohet nga prof. Rusana Bejleri dhe ka sajtin e vetë: Albanian studies in Bulgaria.)
Si është organizuar mësimi i gjuhës shqipe në Universitetin e Sofjes?
Në Universitetin e Sofjes ka Katedër të Gjuhësisë së përgjithshme, indoeuropiane e ballkanike. Në këtë katedër studentët mësojnë gjuhën shqipe, greke dhe rumune. Së bashku me bullgarishten, këto gjuhë bëjnë pjesë në bashkimin gjuhësor ballkanik. Përse? Sepse këto gjuhë kanë shumë tipare të përbashkëta të cilat janë pranuar nga qarqet shkencore. Për këtë fenomen linguistik ka shkruar thellësisht prof. Shaban Demiraj. Psh. nyja e shquar vihet në fund të fjalës në bullgarisht, shqip dhe rumanisht, kurse në frëngjisht nyja e shquar vihet në fillim të fjalës. Por ka edhe shumë tipare të tjera të përbashkëta në këto tri gjuhë.
A mësohet në universitete të tjera të Bullgarisë gjuha shqipe?
Gjuha shqipe mësohet në tri universitete në Bullgari. Mësohet në Universitetin e Sofjes, Universitetin e Pllovdivit dhe Universitetin e Velliko Tërnovos. Çdo vit në Sofje pranohen me konkurse 10-15 studentë për gjuhën shqipe. Po kaq pranohen edhe në dy universitetet e tjera: në Universitetin e Pllovdivit dhe Universitetin e Veliko Tërnovos. Studentët mësojnë edhe historinë, letërsinë, traditat etj. të vendeve ballkanike.
Kur ka filluar mësimi i gjuhës shqipe në Bullgari? A ka dokumenta historike-zyrtare për këtë?
Mësimi i gjuhës shqipe në Bullgari ka filluar një shekull më parë. Sipas burimeve dokumentare për herë të parë mësimi i gjuhës shqipe në Bullgari ka filluar në kuadrin e Shkollës së Mesme (Gjimnazit) pranë Oborrit të Carit bullgar Ferdinand. Ai ishte Princ në vitet 1887 deri në 1908 dhe Car në periudhën 1908 deri 1918. Edhe shkolla-Gjimnazi ka ekzistuar nga viti 1908 deri 1918, pra 10 vite. Gjimnazi ishte krijuar vetëm për dy nxënës – për bijtë e Carit bullgar Ferdinand: Boris dhe Kiril.
Në këtë Gjimnaz janë emëruar pedagogë me nam. Për të mësuar gjuhën shqipe, për këta dy djem në këtë shkollë Cari Ferdinand emëroi prof. Perikli Çilevin. Profesor Çilev e njihte gjuhën shqipe sepse kishte lindur në Krushevo të Maqedonisë dhe ishte me origjinë shqiptare. Ai kishte bërë studimet e larta në Greqi, në Athinë, ku kishte mësuar greqishten dhe latinishten. Profesor Perikli Çilev u jepte mësim dy djemve të Carit për gjuhën greke dhe latine, por në të njëjtën kohë u jepte mësim edhe për gjuhën shqipe. Pra, ky është fillimi i mësimit të gjuhës shqipe në Bullgari. Borisi, si djali më i madh, u bë më vonë Cari i Bullgarisë me emrin Borisi i Tretë. Cari Ferdinand kishte shprehur interes të lartë për çështjen kombëtare shqiptare. Ai kishte ambicie të krijonte marrëdhënie të ngushta me shtetin e ardhshëm shqiptar. Lidhur me këtë ai ka ftuar për të mësuar në Shkollën e Lartë Ushtarake të Sofjes në atë kohë dy shqiptarë – Lekë Margjini nga Mirdita dhe Stefan Kandillari nga Korça.
Pastaj vjen vepra e Thoma Kacorrit. Në vitet ’30 familja e tij vjen nga Shtika e Kolonjës në Sofje. Familja Kacorri bleu një shtëpi në qëndër të Sofjes, shtëpi e cila eshte edhe ne ditët e sotme. Ai bëri studime të larta, studioi jetën e emigracionit shiptar në Sofje gjatë periudhës Osmane, studioi edhe historinë e Shqipërisë. Kacorri bëri disa libra për Shqipërinë, botoi studime për gjuhën shqipe të Madricës. (Për këtë të folme ka shkruar një libër të veçantë edhe studiuesja bullgare Bojka Sokollova.) Ai botoi fjalorin e parë Bullgarisht-Shqip në vitin 1959. Kacorri krijoi në vitin 1962 Lektoratin për gjuhën shqipe në Universitetin e Sofjes. Ai bëhet lektori i parë. Në vitin 1972, boton metodën e parë për mësimin e gjuhës shqipe për bullgarët. Për këtë libër pati interes edhe nga anglezët dhe për këtë u përkthye disa vite më vonë në anglisht.
Për meritat e tij, Presidenti i Shqipërisë z. Bamir Topi i akordoi Th. Kacorrit titullin e lartë “Nderi i Kombit”.
Në dhjetor 2008 Thoma Kacori u nda nga jeta në moshën 86 vjeçare. Disa analistë dhe studiues e kanë cilësuar si “Rilindasi i fundit u nda nga jeta”, ai është cilësuar edhe si “emigranti i paemigruar kurrë”.
Unë përpiqem të shkoi pas tij, të ndjek rrugën e tij. Për mua ai mbetet Ambasadori i Nderit i Shqipërisë. Ambadorët vijnë e largohen, kurse Thoma Kacorri mbetet gjithnjë. Thoma Kacorri ka hapur një hulli të mbarë në arën e gjuhës shqipe në Bullgari. Unë në mënyrë modeste ndihem si vazhdues i tij.
Zoti Ludmill Stankov, ju jeni autor i dy botimeve të rëndësishme për gjuhën shqipe. Kur kanë qënë kontaktet tuaja të para me gjuhën shqipe?
Gjuhën shqipe kam filluar ta mësoj nga Metoda e Thoma Kacorrit, pas studimeve të mia të larta. Unë kam mbaruar studimet për gjuhën frënge. Gjatë kohës që isha student dhe mësoja për gjuhën frënge, dëgjova dhe rashë në kontakt për herë të parë me gjuhën shqipe në kuadrin e Lëndës së gjuhësisë së përgjithshme. Për tre mandate punova në Ambasadën e Bullgarisë në Tiranë, në periudhën 1988-1990, 1993-1997 dhe 2001-2004. Pata fatin ta mësoja më mirë gjuhën shqipe. Në vitin 2004 mbaroi mandati im i fundit si diplomat pranë ambasadës së Bullgarisë në Shqipëri. Gjatë këtyre viteve isha lidhur më shumë me gjuhën shqipe. Në atë kohë kisha filluar të punoj mbi një projekt për gramatikën e Gjuhës Shqipe. Pasi u ktheva ne Bullgari në vitin 2004, një vit më pas, në vitin 2005 iu përvisha punës. Librin e parë për gramatikën “Gjuha Shqipe” e bëra në vitin 2009 e cila u botua nga Universiteti i Sofjes po në këtë vit. Gramatika është ndërtuar sipas parimeve të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Në vitin 2013, Universisteti i Sofjes botoi edhe librin tim të dytë “Ushtrime të Gjuhës Shqipe”. Unë vazhdoj të merrem me çështjet e gjuhës shqipe dhe bashkepunoj me Katedrën e Gjuhësisë së përgjithshme, indoevropiane dhe ballkanike ku mësohet edhe gjuha shqipe në Universitetin e Sofjes.
Unë e kam mbrojtur gjuhën shqipe në Universitetin e Tiranës në vitin 2003. Përfitoj nga rasti i lumtur për t’ ua përcjell respektin tim gjuhëtarëve shqiptarë të nderuar Gjovalin Shkurtaj, Emil Lafe, Jani Thomai, Enver Hysa, Xhevat Lloshi, Ramazan Çadri, Raki Bello, ashtu edhe prof. Llukan Tase i cili ka përkthyer ne shqip librin e autorit bullgar Bojan Gjyzelev – “Shqiptarët në Ballkanin lindor” (v. 2005, Tiranë).
Se fundi a jeni në dijeni lidhur me debatin qe është hapur për standartizimin e gjuhës shqipe. Cili është mendimi Juaj, a e luan rolin që i takon standarti i sotëm i shqipes apo ai duhet ndryshuar, sepse bëhet fjalë për një standart i cili do të përdoret jo vetëm për shqiptarët në Shqipëri, por edhe për ata që janë jashtë saj, për emigrantë të vjetër e të rinj, qofshin këta psh edhe në Bullgari?
Po jam ne dijeni për këtë debat. Une kam qënë i ftuar për të dhënë mendime për këtë debat, por gjykoj që këtë duhet ta bëjnë së pari gjuhëtarët shqiptarë në tërë hapësirën ku flitet gjuha shqipe. Por meqë më jepet rasti, po shprehem me dy fjalë: sipas mendimit tim standarti i sotem i plotëson më së miri nevojat e sotme për një gjuhë moderne dhe funksionale. Ky standart tingëllon mirë, ndoshta duhet ndonjë pasurim me disa fjalë dhe shprehje të gegërishtes. Por duhet të veprohet me shumë kujdes, kompetencë dhe mjeshtri.
Ju faleminderit
Sofje 2 maj 2014