Disa lajme shqetësuese kanë zënë të vijnë…. nga mazhoranca
MUSTAFA NANO
Mazhoranca është duke i dhënë gaz makinës së qeverisjes, dhe kjo nuk është një gjë e keqe, përkundrazi. Por puna është se po provon të ecë edhe në rrugë pa krye, dhe me këtë gjë po krijon një si rupture me mënyrën se si ajo është sjellë deri në këtë moment. Kanë zënë të shfaqen pra ca sinjale shqetësuese. Dhe sinjale shqetësuese nuk janë, siç po duan të thonë ca e ca, prishjet e ndërtimeve pa leje apo të ndërtimeve “me leje të palejueshme”, ndëshkimi deri dhe me burg i personave që nuk paguajnë, më saktë e vjedhin, energjinë elektrike, ndëshkimi me gjoba të kripura i atyre që nuk respektojnë semaforët etj. Jo, këto aksione meritojnë të përshëndeten e të mbështeten. Duke shprehur, sigurisht, edhe rezerva, dyshime e kritika të mundshme. Ndryshe, do t’i binte që të pranonim pa bëzajtur edhe gjetje të çuditshme kafkiane, siç është fjala vjen, detyrimi ligjor për të mbajtur në makinë – në mos, të vihet një alamet gjobe – edhe një jelek fosforeshent(!).
Sinjalet shqetësuese janë të tjera. E ndonjë sosh të lë dhe pa gojë. Fjala vjen, këto ditë është folur për një urdhër të ministrit të Brendshëm, me anë të të cilit i kërkohet Policisë së Shtetit të mbledhë informacion të detajuar lidhur me “1. Procedimet penale të filluara nga strukturat e policisë, për të cilat Prokuroria ka vendosur mosfillimin, pezullimin ose pushimin e çështjes; 2. Procedimet penale në fushën e krimeve të hapura, për të cilat Prokuroria ka kërkuar dënimin e autorëve në procedim, dhe Gjykata është shprehur me vendim pafajësie ose vendim pushimi; 3. Procedimet penale në fushën e krimit të organizuar, krimeve financiare dhe krimeve të rënda për të cilat Prokuroria ka kërkuar dënimin e autorëve dhe Gjykata është shprehur me vendim pafajësie ose vendim pushimi”.
Kjo, nëse është e vërtetë, dhe duket se është e vërtetë, është e paprecedentë, është një praktikë që ngjan të jetë huazuar nga libri “1984” i George Orwell-it. Unë nuk dua të hedh dyshime mbi motivimet që kanë pasur ata që kanë lëshuar një urdhër të tillë. Madje, po i marr për gjenuine ato motivime, por edhe në qentë kështu, kjo nuk do të thotë se ato mund të shërbejnë për të legjitimuar praktika të gabuara e të rrezikshme. Po tentojnë të na e shesin Ministrinë e Brendshme si një Ministri të Virtytit (në këtë pikë i ikin dhe fantazisë Orwell-iane, që këtë e quante “Ministry of Love – Ministri e Dashurisë”), por nuk është kjo mënyra se si zgjidhen problemet. Ne, edhe sikur ta besojmë shajninë se është e mundur të ngrihet një polici e virtytshme në këtë bordello me emrin Shqipëri, nuk do të kish kuptim, prapëseprapë, që t’ia besonim kësaj policie luftën kundër korrupsionit në drejtësi, në gjykata e në prokurori. Aq më pak do të kish kuptim që policia ta luftonte korrupsionin në drejtësi, duke pasur si kriter vendimet që gjyqtarët do të merrnin lidhur me procedime penale të iniciuara prej policisë. Me një fjalë, një gjyqtar që nuk do të bindej nga një dosje penale e përgatitur nga policia, që nuk do të gjente provat e duhura në të e që për këtë shkak do ta pezullonte ndjekjen penale, do të regjistrohej në skedat e policisë si i korruptuar, dhe anasjelltas, një gjyqtar që do ta dënonte autorin e krimit të denoncuar nga policia do të regjistrohej si zotni burrë(!!!). Kjo do të ishte, përveç të tjerash, edhe qesharake. Sikur të ishte mjaft opinioni i policisë lidhur me një vepër penale, ne s’do të kishim pse të kishim fare një sistem drejtësie. Do të na mjaftonte policia. Mirëpo s’është kështu. Një gjyqtar nuk ka për detyrë ta marrë për të kopsitur një dosje të përgatitur nga policia. Përkundrazi, ai ka për detyrë ta shqyrtojë mirë një dosje, dhe këtë duhet ta bëjë edhe për të mbrojtur qytetarët nga policia apo prokuroria. Por edhe sikur të mos ishte kështu, ministrit Tahiri nuk i lipset ai informacion që kërkon të mbledhë nëpërmjet policëve të vet. Nuk ka se ç’të bëjë me atë informacion. Nuk ka asnjë tagër që ta shqyrtojë, që të marrë masa mbi bazën e tij, që të bëjë shkarkime a emërime në sektorin e drejtësisë. E shumta që mund të bëjë është ta përdorë atë informacion për të bërë propagandë.
Ministri Tahiri meriton përgëzime për një numër arritjesh deri në këtë moment, mirëpo kam frikë se edhe te këto arritje e ka burimin ky zell “për t’i dalë zot situatës me frymëzim kryqtari e për t’i treguar vendin kujtdo me forcën e virtytit”. Neve nuk na duhet një republikë e virtytit, sado premtuese e punëmadhe të ngjajë kjo republikë. Neve na duhet një republikë e ligjit, sado ngalakaqe dhe e pashpresë të jetë ajo. Në këtë kuptim, ishte i frikshëm arrestimi i para disa ditëve i biznesmenit Hajredin Fratari. Mund të jetë e vërtetë ajo që thonë se ai është një biznesmen problematik, por lajmi se iu vunë prangat për një leje të parinovuar ndërtimi ishteshock-ues. Ai ishte një veprim që binte erë. Nuk them se nuk duhet ndjekur penalisht për këtë shkelje të ligjit (këtë nuk e kam të qartë), por arrestimi i tij ishte në stilin far-west. Dhe ra në sy që nuk u bë i gjallë qoftë dhe një biznesmen i vetëm për ta kritikuar arrestimin e tij, por kjo nuk është e çuditshme. Me sa duket, edhe biznesmenët e tjerë janë po aq të cenueshëm e problematikë sa edhe Fratari. Dhe ruhen se mos e hanë edhe ata. Por lind një pyetje: Përse Fratari arrestohet në një kohë që sivëllezër të Fratarit ngrefosen nëpër qytet, ndoshta edhe në parlament? Kjo mazhorancë duhet të mësohet që të përdorë të njëjtën njësi matëse për të gjitha ngjarjet e personat. Dhe meqë jam këtu, si mbështetës i aksionit të madh kundër ndërtimeve abuzive, nuk do të doja që ky aksion të komprometohej nga goditjet me logjikë selektive. Ky aksion duhet të godasë “edhe tanët”, jo vetëm “të tyret”. Dhe në të gjitha rastet duhet të jetë i bazuar së pari në ligj, së dyti në ligj, së treti në ligj.
Vijmë tani dhe te një sinjal tjetër shqetësues që ka dhënë kjo mazhorancë. Kryeministri Rama nuk e fsheh një si mllefosje me institucionet publike e shtetërore e me krerët e tyre që ai i ka gjetur kur erdhi në pushtet. Këtë mllefosje e ka justifikuar me faktin që ato institucione, tok me krerët e tyre, funksionojnë në mënyrë partizane e të papërgjegjshme. Në një masë të madhe, ai ka të drejtë. Por ç’mund të bëhet? Asgjë s’mund të bëhet! Edhe nëse je i prirur të jetosh me hallin e Kryeministrit, duhet thënë se nuk ke se ç’bën në këto rrethana. Rama së pari duhet të mësohet të bashkëjetojë me këto institucione, e ndërkohë duhet të bëjë çdo përpjekje që të ndërtojë ura komunikimi e bashkëpunimi. Ai është votuar për të qeverisur vendin, e jo për t’u treguar vendin institucioneve. Nuk ka diskutim që këto të fundit kanë një rol të jashtëzakonshëm edhe në ecurinë e fatin e qeverisjes (sistemi i drejtësisë, fjala vjen, nuk është një sistem që ekziston për hesap të vet; nëse ai s’funksionon si duhet, është edhe qeverisja që bëhet me faj për këtë gjë), por karfosja me to nuk është se e ndihmon qeverisjen. Përkundrazi. Prandaj, duket si një sjellje e pakuptueshme refuzimi që mazhoranca u ka bërë propozimeve presidenciale për emërime të ndryshme. Nuk kuptohet mirë se çfarë synojnë. Ato propozime janë – këtë e thotë Kushtetuta – kompetencë presidenciale. Po, është e vërtetë, edhe refuzimi që u bëhet atyre propozimeve është kushtetues gjithashtu, mirëpo duke refuzuar pa fund propozime të tilla nuk shkohet asgjëkund. Ashtu si nuk shkohet asgjëkund edhe me sjelljen e Presidentit; ai u është përgjigjur me të njëjtën monedhë; ka refuzuar për arsye që ose s’njihen, ose s’të bindin kandidatë për ambasadorë në vende të ndryshme.
Pastaj – ky është shqetësimi i fundit që doja të nënvizoja – Kryeministri Rama duhet të japë prova se është i shqetësuar ngaqë institucionet janë partizane e jo ngaqë institucionet janë në dorë të atyre që ikën. Këto prova nuk po i jep. Sa herë që kësaj mazhorance i është dashur të emërojë njerëz nëpër institucione, ajo ka vepruar me të njëjtën logjikë të vjetër, gjë që ka krijuar idenë se qëllimi i Kryeministrit është thjesht pësë-izimi i atyre institucioneve. Një pjesë e madhe e atyre që janë emëruar këto kohë në krye apo në përbërje të institucioneve publike e shtetërore kanë përmbushur më së pari e më së shumti një kriter politik. Ndryshe, nuk do të ishin parapëlqyer për ato poste. Vështrimi i Ramës dhe i Metës, në çdo rast që duhet bërë një emërim i tillë, hidhet veç në vathën e tyre. Mirëpo kjo, edhe kur të emëruarit janë ekspertë e teknikë të mirë (siç mund të jetë rasti i Vangjel Kostës e Albana Shtyllës), nuk i shërben funksionimit të institucioneve, së pari ngaqë institucionet mbeten të politizuara e së dyti, ngaqë të gjithëve u përcillet mesazhi se kurrë nuk mund të bëhet karrierë në këtë vend pa e pasur grurë me politikën e me partitë e mëdha. Emërime të tilla të bëjnë të jetosh me idenë se në këtë vend, zotësia profesionale e integriteti moral nuk vlejnë asgjë pa një lidhje politike. Ka pasur njerëz që kanë besuar se Rama mund t’i bindte për të kundërtën. Por s’paska qenë e thënë. Në këtë drejtim, Rama po bën atë që kanë bërë të tjerët para tij.