Muzike

Disa nga këngët e vallet që do të “ngjiten” në kala

Festivali Folklorik Kombëtar, që do të çelë pas pak ditësh siparin e tij të 10 në Gjirokastër, parashikohet të jetë eventi më i rëndësishëm folklorik i viteve të fundit.

Qyteti i gurtë, jo vetëm do të mirëpresë artistët nga mbarë Shqipëria, por edhe do të shpalosë vlerat e tij folklorike. Koordinatori artistik i grupit të Gjirokastrës, Fitim Çaushi ka besim se Gjirokastra do të bëjë një paraqitje mbresëlënëse.

“Gjirokastra përfaqësohet nga të tre rrethet: Tepelenë, Përmet dhe Gjirokastër. Përveç kabasë së famshme të Laver Bariut dhe këngës karakteristike përmetare, kemi këngën flamur të Jaupit nga grupi i Bënçës. Kemi një rit pagan si ai i Ditës së Verës nga grupi i Kalivaçit, ashtu si vallja lapidare e Labërisë, që e interpreton grupi i Zhulatit. Kemi vallen e vëllezërve të Dropullit, por edhe atë të Lunxherisë, kostumi i së cilës flet për vlera estetike të rralla”, tha Fitim Çaushi, koordinator i Qarkut të Gjirokastrës.

Ndërkaq, mes prurjeve më të rëndësishme të këtij edicioni ka për të qenë, pa dyshim, vallja lapidare e të rinjve të Zhulatit, një demonstrim epik i kërcyer që prej Mesjetës së hershme në këtë trevë.

Murat Keraj, organizatori i grupit lab të Zhulatit, thotë se prurja origjinale vjen për hërë të parë në festival. Lunxhëria, një prej grupeve qëndrore në çdo Festival Folklorik do të vijë këtë vit me një kolazh motivesh dasme dhe me vallen e kënduar nga grupi me 12 anëtarë.

FFK i Gjirokastrës do të presë këtë vit rreth 1000 anëtarë të grupeve konkurruese nga Shqipëria, 150 artistë nga Kosova dhe 150 të tjerë nga Mali i Zi dhe Maqedonia.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button