Disfata në zgjedhjet e partisë, Sarkozy braktis përfundimisht politikën
Nicolas Sarkozy, ish presidenti i Francës, ka vendosur të braktis politikën pas humbjes poshtëruese të së dielës. Ish-kreu i shtetit francez është eliminuar në raundin e parë të primareve të së djathtës për të zgjedhur kandidatit për presidentin e vendit.
Sarkozy ka marrë vetëm 20.6% të votave, krahasuar me 44.1% të marra nga François Fillon dhe 28.6% nga Alain Juppé 28.6%, sipas të dhënave zyrtare.
“Siç kam bërë gjithmonë gjatë gjithë jetës sime politike, kam mbrojtur bindjet e mia me pasion dhe me një shqetësim të veçantë për Francën”.
Me këto fjalë Sarkozy iu është drejtuar përkrahësve të tij pas njohjes së rezultateve. Ai ka lavdëruar rivalët e tij, të cilët i përshkroi si “njerëz me cilësi”, edhe pse ka zbuluar se do të mbështesë favoritin në votime, François Fillon.
“Tani për mua është koha të filloj një jetë me më shumë pasione private dhe më pak pasione publike. I uroj fat Francës dhe juve, bashkëkombasit e mi të dashur”, përfundoi ish presidenti.
Kështu, ai ka lënë të kuptohet se u jep fund aspiratave të tij politike dhe rolit aktiv në politikën franceze, që rifilloi në vitin 2014, kur njoftoi se do të përpiqej të fitonte sërish Elizeun.