Diskutohet marrëveshja e kredisë për ujësjellësin e Peshkopisë
Kuvendi diskutoi të enjten në seancë plenare marrëveshjen e kredisë për eksport me UniCredit Bank Austria AG, për financimin e projektit të furnizimit me ujë të Peshkopisë, “Kontratë me çelësa në dorë”, me vlerë 4 milionë euro.
Sipas deputetit të LSI-së, Përparim Spahiu, zbatimi i këtij projekti synon të zgjidhë problemin e furnizimit me ujë të banorëve të Peshkopisë. Ndërkohë, deputeti i PS-së, Ulsi Manja, kërkoi monitorim të përdorimit të fondeve, në mënyrë që lekët të shkojnë për përfundimin e projektit dhe jo të abuzohet me fondet. Siaps tij, janë dhënë miliona euro edhe në qeverisjen e mëparshme për ndërtimin e ujësjellësit të Peshkopisë, por është abuzuar me fondet. Aktualisht, furnizimi me ujë të pijshëm për qytetin e Peshkopisë bëhet nga dy burime në verilindje të qytetit, rreth 25 km larg tij. Gjatë vitit 2012, nëpërmjet një financimi të UNDP-së, është shtuar sasia e ujit nëpërmjet investimeve në ndërtimin e disa veprave të reja të marrjes së ujit në zonën e quajtur “Bjeshkët e Shehut”.
Në periudhën kohore 2003 – 2008, nëpërmjet një financimi të Bankës Islamike për Zhvillim, janë kryer rehabilitime të pjesshme në rrjetin shpërndarës të ujësjellësit në qytet. Në këtë kuadër, me qëllim për të zgjidhur përfundimisht furnizimin me ujë të pijshëm të zonës edhe për perspektivën shumëvjeçare, si dhe për të siguruar një shërbim të qëndrueshëm e financiarisht të përballueshëm për konsumatorët, është iniciuar ky projekt. Afati i zbatimit të punimeve është 18 muaj.
Tenderi për përzgjedhjen e kompanisë që do të zbatojë projektin është zhvilluar në Austri, sipas ligjit austriak, dhe ka shpallur fitues shoqërinë “Tiroler Rohre GmbH” me ofertën prej 4 000 000 euro.