Kronika

Dita 8 .Përmbytjet, nis tërheqja e ujit, në Fier mblidhet Shtabi i Emergjencave

Përmirësimi i lehtë i kushteve atmosferike, ka sjellë zvogëlim të hartës së tokave të përmbytura, ndërkohë që paralelisht kanë dalë në pah dëmet e mëdha të shkaktuara. Në Prefekturën e Fierit është mbledhur Shtabi i Emergjencave, ku i pranishëm ka qenë kreu i grupit parlamentar të PS, deputeti Gramoz Ruçi. Gjithashtu në takim kanë marrë pjesë edhe deputetë të tjerë të këtij qarku.

permbytje31Në mbledhje është analizuar situata e krijuar në fshatrat e Fierit nga përmbytjet, në mënyrë që të merren masa sa me eficente. Sipas raportimeve në fshatin Darëzezë, një nga më të prekurit ka nisur tërheqja e ujit, por sërish situata është problematike pasi banesat janë të përmbytura dhe shumë prej tyre janë të pabanueshme.Ndërsa në fshatrat e përmbytura në Vlorë, problem është furnizimi me ujë të pijshëm i banorëve.

FIER, 60 BANESA NË DARËZEZË NËN UJË, 1000 FAMILJE TRAJTOHEN ME NDIHMA

Ora 10:10- Reshjet kanë pushuar në qarkun e Fierit, çka ka sjellë përmirësim të situatës nga përmbytjet. Në disa zona ka tërheqje të ujit, por në fshatin Darëzezë, 60 banesa vijojnë të jenë të rrethuara nga uji dhe janë të pabanueshme. Sipas të dhënave nga Shtabi i Emergjencave në qarkun e Fierit 1 mijë familje trajtohen me ndihma ushqimore.

14 KAMIONË ME NDIHMA NGA KOSOVA PËR BANORËT E ZONAVE TË PËRMBYTURA

Ora 10:00 – Kosova dërgon në Shqipëri 14 kamionë me ndihma të grumbulluara nga rreth 300 biznese, për banorët e zonave të përmbytura në jug të vendit. Ndihmat ushqimore dhe veshmbathjet u grumbulluan mëngjesin e sotëm në Prizren, para portës kufitare në Vërmicë-Morinë, dhe kamionët mbërritën në Shqipëri rreth orës 10:00, për tu nisur menjëherë drejt zonave të përmbytura. Mësohet se vlera totale e këtyre ndihmave shkon në mbi 200 mijë euro. Ambasadori shqiptar në Kosovë, Qemal Minxhozi, zhvilloi dje në mesditë një takim në Prishtinë me dhuruesit e ndihmave për zonat e prekura nga përmbytjet e ditëve të fundit në Shqipëri. “Falënderoj për këtë solidaritet që buron nga vetë ju, të mbledhur si rezultat i kërkesave tuaja për të ndihmuar vëllezërit dhe motrat në Shqipëri”,- u shpreh ambasadori Minxhozi para dhjetëra drejtuesve të bizneseve të Kosovës.

VLORË, UJI TËRHIQET NGA BANESAT, MIJËRA HEKTARË TOKË BUJQËSORE ENDE E PËRMBYTUR

Ora 10:05-Situata në Qarkun e Vlorës ka përmirësim të ndjeshëm. Uji mësohet se është tërhequr nga banesat por mijëra hektarë tokë bujqësore vijojnë të jenë nën ujë. Problem në zonat e përmbytura të Vlorës, mbetet furnizimi me ujë të pijshëm, për shkak të daljes jashtë funksionit të puseve apo tubacioneve të ujit të pijshëm. Autoritetet kanë apeluar të mos përdoret uji edhe në ato zona ku ka tërheqje të përmbytjeve.

DËMTIMI I URAVE, BLLOKOHEN 7 MIJË BANORË

Ora 10:00- Dy komuna në Gramsh janë izoluar, për shkak të bllokimit të rrugëve. Sipas raportimeve, bëhet fjalë për komunat Kukur e Kushovë me një popullsi prej rreth 7 mijë banorësh. Shkak për bllokimin e rrugëve është bërë dëmtimi i urave që lidhin komunat me Gramshin. Ndërkohë që në shumë rrugë ka edhe rrëshqitje gurësh e dherash.

LUMI ISHËM DEL NGA SHTRATI, DHJETËRA HEKTARË NËN UJË NË KRUJË

Ora 7:35- Lumi Ishëm ka dalë nga shtrati duke shkaktuar përmbytjen e dhjetëra hektarëve tokë në rrethin e Krujës. Ky fenomen përmbytjesh është i përhershëm dhe fshati i parë që vuan pasojat nga dalja e këtij lumi nga shtrati është fshati Murqin. Nga dalja e tij janë përmbytur disa banesa, dhjetëra hektarë tokë të mbjella me jonxhë, grurë e kultura të tjera. Konkretisht përmbytjet kanë ndodhur në fshatrat Murqinë, Mallkuç, Mazhe etj. Po ashtu përmbytje ka dhe në fshatrat Dukagjin dhe Miliskajë, ndërsa një prej shkaqeve kryesore është mospastrimi i kanaleve prej më shumë se 20 vitesh.

Ndonëse përmbytjet nga lumi Ishëm ndodhin çdo vit madje disa herë brenda një viti, banorët e dëmtuar gjatë këtyre viteve nuk janë dëmshpërblyer në asnjë rast të vetëm.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button