Bota

Dita që ndryshoi botën, 17 vite nga sulmet terroriste të 11 Shtatorit

Sulmet e 11 shtatorit, ashtu si dhe goditja në “Pearl Harbor”, ishin një fitore e madhe taktike për armiqtë e Amerikës. Por ato nuk mundën kurrë të ktheheshin në një fitore të madhe strategjike, përkundrazi.
Bombardimi i papritur i “Pearl Harbour”-it ishte ai që i shtyu Shtetet e Bashkuara të përfshiheshin në Luftën e Dytë Botërore, nga e cila Japonia do të dilte 4 vite më vonë krejtësisht e shpartalluar.

Sulmet e “Al Kaedës” në qiellin blu të Nju Jorkut, 11 shtatorin e përpara 17 viteve, ishin gjithashtu një tronditje e madhe për amerikanët e për mbarë botën: gati 3.000 të vdekur, miliarda dollarë dëme për ekonominë dhe habia e përzierë me tmerr, që superfuqia e botës u gjunjëzua nga një grup terrorist.

Ajo ngjarje ishte sukses i madh për “Al Kaedën”, por në fund arriti pikërisht të kundërtën e asaj që kalonte në mendjen e Osama bin Ladenit. Sheiku i terrorit shpresonte që goditja e vendit do t’i vendoste udhëheqësit amerikanë nën një presion të jashtëzakonshëm për të reduktuar mbështetjen e tyre ndaj regjimeve të Lindjes së Mesme.

Pa përkrahjen e Amerikës, ato do të rrëzoheshin duke ua lënë vendin sunduesve të stilit taleban. Më fort, ai shpresonte në tërheqjen e trupave amerikane nga Arabia Saudite; përmbysja e familjes mbretërore atje ishte objektivi kryesor i Bin Ladenit.

Por bindja se Amerika ishte dobësuar, ishte vetëm një iluzion. Ajo çfarë pasoi ishte fillimi i fushatës ajrore amerikane në Afganistan tetorin e vitit 2001. Rrëzimi i talebanëve atje do të vinte shumë shpejt duke bërë që “Al Kaeda” të humbiste mbështetjen e saj më të madhe në atë vend.

Në vitet që pasuan makthin e 11 shtatorit, Shtetet e Bashkuara jo vetëm nuk e tkurrën influencën e tyre në rajon, por përforcuan bazat ekzistuese e ngritën të tjera në Bahrein, Kuvajt, Katar dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, ndërsa pas Afganistanit pushtuan edhe Irakun.

Fitorja taktike e Bin Ladenit, një fund rezultoi një dështim strategjik spektakolar.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button