Dobitë e luleshtrydheve, lamtumirë rrudhave dhe frymës së keqe
A i njihni të gjitha të mirat e luleshtrydheve? Përveçse janë një frutë e shijshme, ato janë edhe një “ilaç” për shëndetin tuaj e mund të përdoren për të përgatitur dhe maska bukurie të bëra nga vetë ju
Luleshtrydhet janë frutat tipike të sezonit aktual: aroma e tyre dhe shija e ëmbël janë të pazëvendësueshme, por a e dini se kjo frutë ka një sërë të mirash qoftë për shëndetin ashtu edhe për bukurinë?
Luleshtrydhet përmbajnë një nivel të lartë vitamine C: ngrënia e 5 luleshtrydheve është e barabartë me ngrënien e një portokalli.
Vitamina favorizon thithjen e kripërave minerale, si hekurin, përgjegjësin kryesor për zhvillimin e kolagjenit, i cili e ndihmon lëkurën të qëndrojë elastike.
Luleshtrydhet në fakt njihen edhe për të mirat e tyre antioksidante dhe ndihmojnë në luftimin e rrudhave dhe të shenjave të ndryshme të cilat dalin me kalimin e kohës.
Bëhet fjalë për një frutë të dobishëm, i cili lufton edhe reumatizmin dhe dhimbjet e kyçeve.
Por luleshtrydhet janë perfekte edhe për shëndetin e dhëmbëve dhe të zgavrës së gojës. Falë përmbajtës së ksilitolit (ëmbëlsues natyror), ato parandalojnë formimin e pllakëzave në dhëmbë dhe eliminojnë mikrobet e bakteret. Me luleshtrydhet mund të krijoni edhe një “ilaç” natyral për të zbardhur dhëmbët: përzieni tulin e një luleshtrydheje me një lugë të vogël sodë buke dhe përdoreni atë në vend të pastës së dhëmbëve.
Një kërkim shkencor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e ka cilësuar luleshtrydhen si një frutë të çmuar për ruajtjen e aftësive njohëse të trurit, sidomos atij të femrave. Sipas studimit në fjalë, meritat janë të flavonoideve. Falë këtyre përbërësve, luleshtrydhet janë ushqimi ideal për të mbajtur trurin në formë të mirë. Flavonoidet janë substanca antioksiduese të pranishme në sasi të mëdha te luleshtrydhet. Ato njihen për aftësinë për të ngadalësuar procesin e reduktimit gradual të aftësive njohëse të trurit, duke i garantuar atij në këtë mënyrë, një jetë më të gjatë.
Përveç të mirave për shëndetin, luleshtrydhet janë një aleat i vlefshëm edhe për bukurinë tuaj: në fakt, për të luftuar rrudhat në regjimin tuaj të ushqyerjes, përveç luleshtrydheve, ju mund të përgatisni edhe një maskë të bërë nga vetë ju. Mjafton që luleshtrydheve t’u hiqni bishtin dhe t’i shtypni derisa të formoni një masë kremoze dhe më pas ta masazhoni mbi fytyrë, duke e lënë ashtu për 20 minuta përpara se ta shpëlani.
Falë përmbajtjes së lartë të ujit dhe yndyrave të pakta, ato e ushqejnë deri në fund lëkurën tuaj, duke favorizuar rigjallërimin e qelizave dhe duke ju garantuar një lëkurë të butë dhe të shndritshme nga pastërtia.
Gjethet e luleshtrydhes
Veti shumë të mira kanë edhe gjethet e kësaj frute. Gjethet e thara të luleshtrydhes përmbajnë vitaminë C, glikocide, alkaloide, taninë, pak esencë me aromë limoni, kripëra minerale, acid malik e salicilik.
Në sajë të kësaj përmbajtjeje, gjethet e luleshtrydhes përdoren kundër skorbutit, kundër infeksioneve të mukozës së zorrëve, për sëmundjet e veshkave, për uljen e tensionit të lartë të gjakut, për ngadalësimin e rrahjeve të shpejta të zemrës, kundër astmës, pagjumësisë, për dhimbjet e shpretkës dhe në qetësimin e sistemit nervor. Nga jashtë përdoret si çaj, duke shpëlarë gojën e infektuar, në ekzemë etj.
Fruti ndikon në uljen e tensionit, zvogëlon yndyrën në gjak, forcon organizmin, përdoret kundër arteriosklerozës, çrregullimit të aparatit tretës, sëmundjeve të mëlçisë, turbekulozit dhe lufton mungesën e vitaminave. Ju këshillojmë të bëni këtë përgatitje: 20 gramë gjethe të thara e të thërrmuara ziejini në 250 ml. ujë.
Mbulojini me kapak, lërini ashtu për rreth dy orë, kullojini dhe pini nga një gllënjkë disa herë në ditë. Për heqjen e yndyrave në bark, përgatisni çaj me gjethet e njoma të luleshtrydhes.
Burimi: Fan Page