Bota

Donald Trump zgjedh rolet kyçe në administratën e tij

Dy prej roleve kyçe në administratën e tij të ardhshme, presidenti i zgjedhur i SHBA-së Donald Trump ia caktoi një zyrtari të lartë të Partisë Republikane dhe një shefi konservator mediatik.
Reince Priebus, kreu i Komitetit Kombëtar republikan, do të jetë shefi i tij i stafit, ndërsa Stephen Bannon, ish-drejtues i rrjetit të lajmeve Breitbart, që lobon kundër Uashingtonit, u zgjodh si kryestrateg i Shtëpisë së Bardhë dhe këshilltar i lartë.
Në një deklaratë të publikuar nga stafi i tij, republikani i vlerësoi zgjedhjet e tij si tepër të kualifikuar dhe tha se do të punonte me ta për t’i kthyer madhështinë Amerikës. “Steve dhe Reince bënë një punë të shkëlqyer gjatë fushatës dhe jam i entuziasmuar që do të vazhdojnë të jenë pjesë e skuadrës sonë të suksesshme”, ishin fjalët e Trump.
44-vjeçari Priebus shërbeu si urë lidhëse mes manjatit të pasurive të paluajtshme dhe establishmentit të Partisë Republikane gjatë fushatës elektorale. Ai është i afërt me kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve, Paul Ryan, i cili mund të ketë një rol kyç në hartimin e axhendës legjislative të administratës së re. I zgjedhur në krye të Komitetit Republikan në vitin 2011, Preibus ishte zëdhënës dhe grumbulluesi kryesor i fondeve gjatë fushatës. Postin e ri në Shtëpinë e Bardhë e quajti një nder të madh dhe theksoi se në fokusin e punës së tyre do të jetë krijimi i një ekonomie që funksionon për të gjithë, sigurimi i kufijve, zëvendësimi i “Obamacare” dhe shkatërrimi i terrorizmit islamik. Sipas analistëve, një prej sfidave më të mëdha të administratës së re do të jetë pajtimi i Trumpit me eksponentet kyç të partisë, pas përçarjeve të thella që dolën në sipërfaqe gjatë zgjedhjeve paraprake.
Ndërkohë, 62-vjeçari Bannon, një ish-oficer marine, investitor dhe producent hollivudian, mori drejtimin e Breitbart në vitin 2012.Ai është pjesë e lëvizjes alternative të djathtë që refuzon si ideologjinë e majtë, ashtu edhe konservatorizmin tradicional.
Trump, që pritet të marrë zyrtarisht mandatin në 20 janar, zhvilloi një bisedë me presidentin kinez Xi Jinping, me të cilin ra dakord të takoheshin së shpejti. Përfaqësues të presidentit të zgjedhur që ka akuzuar në mënyrë të vazhdueshme Kinën për praktika të padrejta tregtare, thanë se dy liderët kishin respekt të ndërsjelltë për njëri-tjetrin.
Ndërkohë, në intervistën e parë pas fitores, republikani konfirmoi se do të ndërtonte murin ndarës në kufirin me Meksikën, e se do të deportonte apo dënonte menjëherë 2 deri në 3 milionë emigrantë të paligjshëm me të dhëna kriminale.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button