Doracak praktik mbi atdhedashurinë
Në mos qofshim të gabuar dhe kjo do të ishte më e mira, duket se sot ka nisur një garë e madhe, mediatike, me ngjyra, me gjeste, me qëndrime imponuese deri diku, madje edhe me kërcënime përjashtimesh nëse ndonjë prej nesh nuk përlotet prej himneve patriotike.
E gjitha kjo ndodh kur kemi shumë shqiptarë kanadezë, australianë, amerikanë, madje edhe neozelandezë.
Si fillesë e çastit, e gjitha kjo histori ballkanike ndodhi nga një ndeshje e thjeshtë futbolli mes përfaqësueseve të Shqipërisë dhe Serbisë, por edhe mushka e kupton se kjo ndjesi e inatit, e urrejtjes, e ndasisë së pashmangshme, e moskuptimit dhe jo e të qenët bashkë ka rrënjë shumë të thella historike. Në fakt, në Beograd nuk ishte mirëfilli një ndeshje mes Shqipërisë sikurse kuptohet në kufijtë e saj të sotëm, por në thelb një ndeshje mes Kosovës dhe Serbisë, mes kosovarëve dhe serbëve, mes fituesve dhe të humburve. Pikërisht prandaj ne nuk pamë më futboll, por vetëm politikë, nga ajo më keqja që Ballkani mund të na ofrojë. Hajde tani të gjejmë fajtorët! Ata si kaherë janë larg. Të padukshëm, inekzistentë, ëndrra historike, mëri, inate shekullore, përralla të gjysheve, apo mëkate të prindërve. Çdo gjë, edhe më e thjeshta rrëfenjë, edhe një top futbolli në këtë gadishullin tonë paska qenë gati të shndërrohet në një mëri vrastare. E dimë të gjithë, madje edhe serbët e qytetëruar, se regjimi i Milloshoveçit, ishte një diktaturë moderne, gjakatare, e sofistikuar e fundshekullit XX. Urojmë të jetë e fundit. Por, nga ana tjetër, jeta duhet të vazhdojë dhe ne e kemi për obligim që në vendin ku na ka hedhur Perëndia të mundohemi sa më shumë që ta shuajmë valën e urrejtjes dhe jo ta shtojmë atë. Është fare kollaj që të bëjmë heroin, bilancin tonë të vuajtjeve dhe të humbjeve, por ama është shumë e rëndësishme edhe të japim mesazhe shprese, mirëkuptimi, miqësie, normaliteti. Pa këto mesazhe do jetojmë me histori dhe aspak me të ardhmen, të cilën ua kemi obligim brezave të ardhshëm.
Meqë në këto kohë po flitet shumë për Atdheun. Kjo është pa dyshim një fjalë e shenjtë, për këdo që i ka mendtë në kokë dhe zemrën e hapur. Të duash Atdheun tënd është një togfjalësh që secili e ndien sipas përvojës së vet personale. Autori i këtyre radhëve, që me modesti duke bërë punën e tij ka shkelur këtë vend pëllëmbë për pëllëmbë, ka njohur njerëz që e kanë pasur shumë të vështirë të rikrijojnë paqe me këtë Atdheun tonë të shtrenjtë. Mbase nuk kishin faj. Ky Atdheu ynë i rrasi në burg që në moshë fare të njomë. Këta njerëz kurrë nuk e shanë Shqipërinë, vendin ku u kishte lerë koka, por nga ana tjetër, ëndërruan dhe vazhdojnë të ëndërrojnë ende, për Shqipërinë e tyre të lirë, në radhë të parë të lirë nga mendja.
Pak a shumë ajo ç’ka këta shqiptarë dashurues të Vatanit kanë ëndërruar duhet të jetë pak a shumë kështu:
– Atdheu është vatra familjare, gardhi, era e mirë e shtëpisë, vendi ku e ndien veten të barabartë dhe të respektuar, bash atje ku të zë gjumi rehat. Do hash ndonjë të sharë, por të jesh i sigurt që e ke pasur hallall.
– Atdheu është gjuha, rrugicat, dialekti, ëndrrat, përrallat, hartimet, dashuritë e para dhe ato të munguara, librat e shkoqur erëmirë.
– Atdheu është dhimbja jote. Është pafuqia dhe fuqia jote. Është pikërisht ajo që ti do të doje të ishte më mirë.
– Atdheu është gjeni yt, mëkatet e tua, mëritë e tua, dashuritë e tua, tradhtitë e tua.
– Atdheu është edhe me ngjyra: Flamuri, Kuqezia, Pavarësia, heronjtë, bëmat… Por mos harro, kanë ardhur kohë të tjera, që kanë nevojë për punë dhe jo për legjenda.
– Atdheu është edhe stinë. Nganjëherë na lodh me zymtësinë, apo me shiun, dhe herë të tjera na ngazëllon me beharin e parakohshëm që vjen befas. Atdheu është ai, vetmitar, i paparashikueshëm.
– Atdheu nuk do brohoritës. Më të famshmit brohoritës nuk kanë pasur fat të mirë.
– Atdheu nuk i do ata që shkojnë nga salla e bilardos drejt e në stadiumin ku mëtojmë të jemi edhe ne. Atdheu na kërkon në radhë të parë punë dhe mend. Si i bëhet?
– Atdheu është ai vend i mrekullueshëm ku na kanë mësuar se më e mbara udhë është të shtojmë miqtë dhe jo armiqtë.
– Nga Atdheu dhe historia e tij e gjatë kemi mësuar se ai nuk do që të fshihemi pas tij. Kjo duhet të jetë e pandershme.
– Atdheu është zemërgjerë, ai na i fal edhe mëkatet tona, dhe të të tjerëve, vetëm e vetëm që njerëzia të jenë mirë.
– Atdheu hera-herës na kujton: Kujdes të korrat!
– Atdheu është ajo gjë që të mungon sa herë që thua me krenari “I am Albanian”.
– Atdheu hap punë, shpresë dhe jo sherre.
Sigurisht që edhe Atdheu ka një cak, ka një limit deri në të cilin mund të na falë mëkatet. Mjaft na ka duruar! Më e para nga të gjitha është se ne duhet të jemi më kokunjur në krenarinë tonë të pabazuar në themel. Është bazike, nisur nga historia e kulturave njerëzore, që popujt që arrijnë të njohin veten e tyre, njësoj si njerëzit, e kanë jetën më të mbarë, përkundrazi, popujt, që merren me lapidarë, himne, simbole lloj-lloj dhe aspak me thelbin e gjësë, ahere atyre do t’u duhet një rrugë e gjatë drejt përparimit. Sido që të jetë: Rroftë Atdheu ynë! Kjo për ne. Por rrofshin të gjithë për atdhetarët e tjerë!
Me vjen keq qe arrestimet Jane filluar mbrapsh. Ato duhet te fill one me Berishen dhe bashen se Ato me te vertete. Jane Kokat e crimit