Dorëheqja e Civicit rrezikon kuorumin e Këshillit Mbikëqyrës
Këshilli në limitin e tij, me 5 anëtarë. Kuvendi prej 9 muajsh nuk zëvendësonte dy vende bosh
Nga Zamir Alushi
Dorëheqja e profesor Adrian Civicit nga detyra e anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë (BSH) mund të jetë pikënisja e rrezikut për kuorumin e funksionimit të bordit drejtues. Në një letër drejtuar Kuvendit dhe Këshillit Mbikëqyrës, Civici ka depozituar dorëheqjen, duke dhënë edhe shpjegimet. Dy janë arsyet, e para, t’i hapet rruga ristrukturimit e forcimit të Bankës dhe e dyta, arsye personale shëndetësore. Hetimi i vjedhjes në BSH (arrestimet e mundshme) dhe reagimet me dorëheqje të anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës mund të vënë bordin drejtues në vështirësi për numrat. Civici ishte anëtari më i vjetër i Këshillit Mbikëqyrës, nga të paktit që nuk ka afërsi direkte me politikën. Tashmë bëhet emergjente që Kuvendi dhe Presidenti të ecin me shpejtësinë e ngjarjeve, përndryshe rrezikohet që BSH të mbetet pa drejtim. Aktualisht, këshilli i ka formalisht numrat për vendimmarrje, por nëse do të ketë edhe një dorëheqje tjetër, apo dy, ky bord mbetet me më pak se gjysmën e anëtarëve që ka caktuar ligji për t’u emëruar.
Politizimi i Këshillit Mbikëqyrës
Kuvendit i mbetet topi në fushë për të vazhduar procedurën e pranimit të dorëheqjes së Civicit dhe zëvendësimin e tij. Nga përvoja e deritanishme del se, Kuvendi vepron me shumë ngadalësi, sidomos operon me kandidatura të ofruara si përfaqësues të një partie apo koalicioni politik. Kuvendi ka 9 muaj që nuk zëvendëson vendet bosh të mbetura pas mbarimit të mandatit të dy anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës, Arjan Kadaresë dhe Halit Xhafës. Këshilli Mbikëqyrës ka në detyrë 5 nga 9 anëtarë që parashikon ligji. Sipas nenit 48/2 të ligjit ‘Për Bankën e Shqipërisë”, çdo anëtar i Këshillit Mbikëqyrës mund të japë dorëheqjen duke njoftuar me shkrim përpara jo më pak se një muaj Kuvendin Popullor të Republikës së Shqipërisë” dhe presupozohet se Civici do të rrijë në detyrë deri në votimin e dorëheqjes së tij nga Kuvendi. Ndërkohë, Komisioni për Ekonominë dhe Financën i Kuvendit duhet të procedojë me shkarkimin të guvernatorit Fullani sipas propozimit të Këshillit Mbikëqyrës dhe inspektores së përgjithshme me nismën e vetë këtij komisioni.
Në dhjetor të vitit 2011, Kuvendi miratoi tre anëtarë të komisionit, që ishin ish-guvernatori Fullani, zëvendësguvernatorja e parë Elisabeta Gjoni, (ish-drejtuese e AMF-së) dhe ish-këshilltarin e Kryeministrit Berisha, Petraq Milo. Gjithashtu, Komisioni për Ekonominë miratoi kandidaturën e Ermelinda Meksit, si kandidaturë e propozuar nga PS-ja, ndërsa kandidaturat e propozuara nga Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim ishin rektori i UT, Dhori Kule, dhe Ela Golemi. Pra, me konsensus të tri partitë krijuan një bord politik në krye të BSH-së dhe gjithashtu me konsensus rizgjodhën guvernatorin Fullani, i cili mori në atë kohë 130 vota në votim.
Qysh nga koha kur plasi skandali, nga mazhoranca ka pasur kërkesa për dorëheqje të anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës, por këto janë nënkuptuar si pjesë e llogarive politike. Në këtë situatë, Kryeministri Rama në konferencën e fundit për median u detyrua që të deklarojë se, “nuk janë hapur vende pune në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë dhe që nuk është hapur një vend i ri pune për guvernatorin e Bankës së Shqipërisë. Ne do t’i trajtojmë pozicionet në fjalë, me të gjithë respektin dhe dinjitetin e një shumice qeverisëse, që do t’i provojë shqiptarëve se është në gjendje të modernizojë Shqipërinë dhe të rrisë cilësinë e performancës së institucioneve”. Gjithsesi, zhvillimet në krye të bankës diktojnë nevojën e veprimeve të shpejta për zëvendësimet, ndërsa ndryshimi i ligjit për bankën do të kërkonte kohë dhe ekspertizë për t’u kryer.
A priten dorëheqje të tjera?
Dy anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës, Dhori Kule dhe Petraq Milo janë shprehur dje se nuk kanë në plan dorëheqjen, ndërsa në fillim të skandalit, Ermelinda Meksi, në një replikë me deputetin Spartak Braho deklaroi se nuk ishte vendi për dorëheqje të këshillit, sepse krijohej vakum në drejtimin e bankës. Meksi ishte iniciatorja e shkarkimit të Fullanit, por në votimin e parë u kundërshtua nga pesë anëtarët e tjerë, ndërsa pas arrestimit të Fullanit, heqja e guvernatorit u krye unanimisht. Ajo që mund të kuptohet qartë është se këta anëtarë të mbetur do të qëndrojnë ose do të japin dorëheqje gjithnjë në bazë të vullnetit të forcës politike që i ka propozuar në këto poste.
Civici: I hap rrugë ristrukturimit të bankës
Kërkesë
Drejtuar Kuvendit të Shqipërisë
Zonjës Elisabeta Gjoni, guvernatore në detyrë e BSH
Në kuadrin e frymës dhe nevojës për t’i hapur rrugën ristrukturimit dhe forcimit të Bankës së Shqipërisë në detyrat dhe misionin e saj të rëndësishëm, si dhe arsye shëndetësore personale. Ju njoftoj kërkesën time për të dhënë dorëheqjen nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë. Uroj dhe besoj se Banka e Shqipërisë do ta rrisë akoma më shumë performancën dhe imazhin në përmbushje të detyrave të saj të rëndësishme.
Me respekt
Ardian Civici
Bordi
Anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës
1.Ardian Fullani – Guvernator i Bankës së Shqipërisë (i arrestuar)
2. Elisabeta Gjoni – Zv.guvernatore e parë, aktualisht guvernatore në detyrë
3. Ermelinda Meksi
4. Petraq Milo
5. Adrian Civici (dha dorëheqjen)
6. Ela Golemi
7. Dhori Kule
8. Anëtari që mungon prej 9 muajsh dhe që nuk është zgjedhur nga Kuvendi
9. Anëtari që mungon prej 9 muajsh dhe që nuk është zgjedhur nga Kuvendi