Dorëhiqet senatorja në Australi, kishte shtetësi të dytë
Një senatore australiane, që bëri historinë duke ushqyer me gji foshnjën e saj në Parlament, ka dhënë dorëheqjen pasi kishte mësuar se kishte shtetësi të dyfishtë.
Larissa Waters, nga Partia e të Gjelbërve, ka lindur në Kanada. Sipas Kushtetutës australiane, një person nuk mund të kandidojë për një post federal nëse ka shtetësi të dy apo shumëfishtë.
Të premten e shkuar, një tjetër senator i të gjelbërve, Skot Ludlam, dha dorëheqjen për të njëjtin shkak. Të dy politikanët ishin nënkryetarë të partisë. Në maj, Waters u bë e famshme në mbarë botën pasi u bë e para politikane që ushqeu foshnjën e saj disa muajshe me gji në Parlamentin federal të Australisë.
Ndërkohë, ajo tha se kishte zbuluar statusin e shtetësisë së saj vetëm pas rastit të zotit Ludlam, që kishte mësuar së fundmi se ishte edhe shtetas i Zelandës së Re.
Duke u përpjekur të mbante lotët, të martën, Waters e cilësoi gabimin e saj, një gabim të pafajshëm. “U shqetësova shumë kur mësova se për shkak të një ligji 70-vjeçar kanadez unë kisha shtetësi të dyfishtë që nga lindja”, tha ajo.
Senatorja 40-vjeçare, ishte 11 muajshe kur u largua nga Kanadaja me prindërit e saj australianë. “E gjithë kjo ndodhi para se unë të thosha edhe fjalën time të parë”, tha ajo.
Sidoqoftë, Waters që është zgjedhur në parlament që në 2011, tha se merrte përsipër përgjegjësinë e plotë. Nuk është e qartë nëse ajo dhe kolegu i saj do të duhet të kthejnë prapa pagat e marra nga Senati. Sipas Kushtetutës australiane, politikanët duhet të heqin dorë nga shtetësia e huaj para se të kandidojnë për një post.