Opinion

Dosja sekrete e Mihanes

FADIL LEPAJA

Fadil LepajaShërbimet sekrete të shteteve europiane kanë ra në hall. Pyetja njëmilionëshe e cila po i çmend është: Kush është Mihanja? Nuk ka të dhëna për personin, veç fjalë e thashetheme. Tipike ballkanike, po shfrynte me vete Hansi! Emrin e saj e kanë shpërndarë nëpër krejt “spy” der rrjetin e (ç)thurur anembanë trojeve shqiptare e madje dhe nëpër trojet e tjera, joshqiptare, kudo që u intereson “çështja”. Çështja shqiptare de! Ajo e madhja, e cila, u fry e u fry, e u fry aq shumë sa nën frikën e saj u realizuan edhe mega “çështje” të tjera, pra shumë më të mëdha. Shtetomëdha! Si të dy ish-jugosllavitë, për shembull.

Nejse, pasi e shpallën të fajshme për çdo problem në Ballkan, edhe pasi e përsëritën aq shumë, jo vetëm e frikësuan kontinentin e vjetër, prej nesh, por na frikësuan edhe ne prej përmasave tona kaq të frikshme. Kështu, jo veç ata, por edhe ne, pas çdo ngjarjeje pak a shumë të pazakontë shohim konspiracion. Vetë gjenerata e dytë dhe e tretë e atyre që e lançuan idenë, harruan se këtë frikë e kishin ngjallur vetë, kështu që edhe… frikësohen. Ata, shprehen se krejt krimet e kryera në Kosovë, përpara dhe gjatë luftës i kishin bërë nga frika dhe… për të shpëtuar Europën. Prej nesh!

Tash, Europa e frikësuar, më falni desha të them Europa e Bashkuar, na futi në karantinë, na izoloi sikur të ishim me ebola. E dini pse? E dini se si i bindën? Krejt prej përkthimit të keq të këngëve tona popullore, përmes të cilave po përpiqen të na kuptojnë, antropologët dhe parapsikologët nëpër zyrat analitike të kontinentit… Pse po ikin nga vendi i tyre, e përse po vijnë këndej? Kush e zgjidhi nyjën e tyre me tokën? Këtu ka diçka!

I shfletuan “hartat” e trurit për shqiptarët, me gjithë alarmet e rrejshme të koduara nëpër to. Ruajuni! Kafshojnë!

“Tridhjetë krena i ke pre… oe, oe, oe” përkthehet kënga e moçme. “Frika” u përhap aq shumë nga sa nuk mbeti më “çështje” kombëtare, por u bë ndërkombëtare. Kështu, edhe emri i Mihanes ka marrë karakter ndërkombëtar. Është më i përmenduri, jo vetëm nëpër kontejnerët e kategorisë “A”, si po i kategorizojnë tashmë ekipet virtuale të vlerësimit. Krejt ky hetim po zhvillohet përmes kanaleve konspirative, pa e lënë në harresë as emrin e… “Micit”. Kush janë? Arkivat historike, nuk thonë asgjë për Mic Sokolin. Historianët dyshojnë në ekzistimin e tij, apo edhe të vetë topit.

Është analizë për atë këngën e moçme, me të cilën e krejt shqiptarët jemi vu në gjumë. Ah gjyshet tona luftënxitëse! Na thoshin se të gjithë jemi Mica dhe ne … lageshim në pelena prej kënaqësisë. Qysh atëherë, në djep e dinim që për trimëri nuk na e kalon kush. E dinim se liria do të vijë vetë, e do të na gjejë “në mesin tonë”.

Pra, aksioni i koduar “Mihanja”, u zhvillua me agjentët sekretë, të maskuar si amerikanë. Si kauboj ose si Rambo. Ata janë infiltruar në mes azilkërkuesve të shumtë kosovarë, të cilët kanë vërshuar në qendrat e përqendruara të pranimit. Janë të pikëlluar vërtet? Aktrojnë? Kënga e kurbetit dhe Mihanja duken të jenë pjesë e skenarit?!

Nga të dhënat nga terreni, ata e kanë kuptuar profilin e kosovarit mesatar, që u rrit me këngë për Europën dhe moralin e saj. Asaj Europe për të cilin dikur prifti i famshëm me emrin Gjergj, e quante… lere tash si e quante! S’ma zë goja o burrë! Tingëllon si incest! Sot mëmë, e dje…?

Do na e “futin” edhe Edipin në storien shqiptare?! Edipi ishte grek, mor! Jo se po përgjithësoj, por le të dihet pasaportën e kujt e kishte Edipi!

Por Europa së cilës i këndonte prifti dhe poeti i famshëm, ishte tjetër. Ai i turpëruar dhe i pakuptuar pat klithë: “Le ta dijë bota mbarë…”! Nejse! Ende nuk ishte arritur marrëveshja për çelikun atëherë. Nuk i kishte balancuar interesat. Kishin qymyr Europa… dhe nuk vareshin nga gazi.

Pra, nuk u maskuan si europianë, se Europës nuk i besojnë shqiptarët! Në nëndije kanë frikë se i tradhtojmë. Ah, Europë…! Nuk u maskuan as si shqiptarë. Ku i beson shqipja shqipes?

Pra amerikanë! E kuptoni nga e morën idenë? Nga politikanët tanë, të cilët edhe para një postieri amerikan e përsërisin refrenin patriotik: You know, you know! We know, you know!

Nejse, tash, me gjithë përpjekjet e jashtëzakonshme të agjitpropit serb për të përkthyer të gjitha këngët tona të moçme ku përflitet morali politik i Europës “plakë”, pas përgjimeve të shumta nëpër kampet e qëndrimit prej kontejnerësh, analitika e inteligjencias europiane thjesht nuk ka bërë asnjë hap përpara. Thjesht, është para kapitullimit. Nuk gjetën asnjë gjurmë të “Rrezikut shqiptar”! Ose janë tepër të trajnuar shqiptarët, ose janë vërtet proeuropianë! Na duan! E pamundur, thonë serbët! Shqiptarët janë artistë! E patë çfarë bënë me dronin?

Teksti, ku përmendej Mihanja ishte gjithsesi krejt i turbullt, metaforik dhe apokaliptik. Irracional! Dosja sekrete dridhej në duart e agjentit special, i cili përkundër shumë dietave me birrë tradicionale, mbeti se mbeti po aq i trashë dhe po aq gjerman. Veçse nuk ishte gjerman. Kush ma deshifron këtë konspiracion po klithnin bebëzat e tij derisa po kërcenin prej refrenit në refren.

“Mihane, u tranova për ty”!

Kështu plot dëshpërim dhe pasion, fillon e përfundon kënga e famshme për Mihanen. Më kot shërbimet armiqësore sllave po përpiqen me e paketue si metaforë, gjuhë të koduar e mobilizuese të terrorizmit islamik dhe me e ndërlidhë me kërcënimet më të reja që vijnë nga shkretëtira.

“Plaç, ishalla tranohesh”, namin rëndë qytetarët e bregdetit, që përpiqen të flenë, të lodhur nga plazhi, dielli si saç dhe rëra e valë e qyteteve bregdetare të atdheut. Ç’ka ka Mihanja për me u tranue… Na tranoi ky egzodi veror i kosovarëve. Mihane…!

E mërgimtarët tanë nëpër kampe qajnë. Këndojnë de! Vaji i burrave është kënga. Edhe i grave tona burrnesha. Ah, Mihane! Kurbeti. Mihanja u kujton atdheun, kujton folk-politikën tonë, kujton një mendësi që vajton vazhdimisht për gjithçka. Në fakt Mihanja duket si metaforë për Europën e paarritshme. Një dashuni e njëanshme. Por Mihanja nuk zë besë. Nuk intrigohet as nga tuli i bukës. Europë, të kishim majtë me tul të bukës, për Zotin.

Pra, cila është rëndësia “histerike” e këngës së Mihanës? Akademia e Shkencave dhe Arteve hesht. I ka zënë gjumi në ndërtesën e re. Ata e dinë kuptimin e kësaj kënge. Në fund të fundit, a nuk është institucion folklorik akademia? Përplot ambicie politike!

Ne nuk kemi Kodin e Da Vinçit, por kemi Kodin e Mihanes…!

Dosja Sekrete e Mihanës tek sa është hapur…!

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button