DUBLIN – Kallas: Armëpushimi në Ukrainë të paraprijë negociatat me Rusinë
Duke mbërritur sot në samitin e Bashkimit Evropian në Dublin, Kallas deklaroi se diskutimet mbi një arkitekturë të re të sigurisë evropiane mund të largojnë vëmendjen nga çështja kryesore, arritja e një armëpushimi që do të tregonte nëse Rusia dëshiron vërtet paqen në Ukrainë.
Deklaratat e saj erdhën pas kritikave të zëdhënësit të Kremlinit, Dmitry Peskov, i cili akuzoi vendet evropiane se nuk janë të gatshme të diskutojnë sistemin e ardhshëm të sigurisë në kontinent. Ai vuri në dukje gjithashtu se Evropa nuk ka caktuar ende një negociator për këto bisedime.
“Nëse fillojmë të diskutojmë kërkesat e Rusisë lidhur me arkitekturën e sigurisë, në të vërtetë biem në kurthet që Rusia po na përgatit”, deklaroi Kallas. Ajo u bëri thirrje vendeve evropiane të përqendrohen te situata konkrete në Ukrainë, duke theksuar se Rusia është agresorja, ndërsa Ukraina është viktima e sulmit.
Kallas komentoi gjithashtu mundësinë që ajo të përfaqësojë Bashkimin Evropian në negociatat e ardhshme të paqes. Ajo tha se është në dijeni se Moska nuk dëshiron që ajo të jetë përfaqësuesja evropiane, duke pretenduar se Rusia preferon të ketë përballë një palë më pak të vendosur, në mënyrë që të shtyjë përpara kërkesat e saj maksimale.
Udhëheqësit e BE-së pritet të diskutojnë se kush duhet të përfaqësojë Evropën në negociatat e ardhshme për përfundimin e luftës. Kallas kërkoi që të respektohen rregullat aktuale të Bashkimit Evropian, sipas të cilave ajo përfaqëson unionin në çështjet e politikës së jashtme dhe sigurisë, së bashku me presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa, dhe presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen./ /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.