Ekonomia

Duhet shkallmuar demokratura

Prof. Dr. Ahmet Kamberi

 

Ka njëzet e gjashtë vjet që gënjehemi se po ndërtojmë dhe zhvillojmë demokracinë. Një fjalë e urtë thotë se dikush gënjeu në krye të pazarit dhe kur mbërriti në fund të tij e besoi edhe vetë. Kështu e pësuam edhe ne. Ata që u përpoqën të na e shesin sistemin që kemi sot si demokraci, tashmë kanë mbërritur në fund të pazarit. Dhe ne të gjithë jemi pazari. Por është koha që qytetari i zakonshëm shqiptar të zgjohet nga kjo përgjumje prej drogimit politik intensiv. Ai duhet të kuptojë se sistemi që kemi ndërtuar nuk është demokracia, e cila është në të mirë të të gjithëve dhe të vetë Shqipërisë, por është demokratura, e cila është në të mirë të një pakice njerëzish që përbëhet nga figura të dalluara të elitave politike, të përkëdhelurve të tyre, si edhe një numër “të fortësh” në politikë, ekonomi dhe në çfarëdo skute ku ndodhen.

Demokracia është një sistem i dëshiruar, por jo aq e lehtë për t’u realizuar në plotësinë e saj. Demokracia pluraliste është elementi i pandashëm i sundimit të ligjit, bazën e të cilit e përbëjnë një sërë parimesh të drejtësisë. Nga ana tjetër, bazën e vetë drejtësisë e përbëjnë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut. Prandaj, sikurse theksohet në Dokumentin e Kopenhagës, “Sundimi i ligjit nuk nënkupton thjesht një ligjshmëri formale, e cila siguron rregullsinë dhe qëndrueshmërinë e arritjes dhe imponimit të rendit demokratik, por nënkupton drejtësinë e bazuar në njohjen dhe pranimin e plotë të vlerës sipërore të personalitetit të njeriut të garantuar përmes institucioneve përkatëse që sigurojnë infrastrukturën e shprehjes së plotë të tij”. Vështirësia e realizimit të demokracisë pluraliste në praktikë, në plotësinë e saj, ngërthen një numër faktorësh. Por, armiqtë më të mëdhenj të demokracisë janë manipulatorët e zot të masave, udhëheqësit politikë lavdikërkues, përfitues në dëm të popullit e vendit të vet, makutërit e të djallëzuar, ata të cilët interesat e vendit të vet i identifikojnë thjesht me interesat e ngushta të tyre, ata të cilët mburren me paudhësitë e veta. Në hapësirat që u lejon atyre demokracia, ata e shtrembërojnë infrastrukturën e saj në drejtim të zhvillimit të demokraturës, sepse kjo u mundëson atyre të zhvillojnë e të shprehin vlerat negative më të ulëta të personalitetit të tyre.

Ajo nisi si e tillë që me përmbysjen e diktaturës së proletariatit, socializmit (ose komunizmit – siç parapëlqehet të thuhet). Përmbysja e sistemit të diktaturës së proletariatit në Shqipëri nuk është meritë e atyre që e pretendojnë; ata veçse shfrytëzuan pikësynimet e tyre të afërta karrieriste, arritja e të cilave më pas u hapi oreksin për pikësynime shumë më të mëdha ekonomike e politike për ta shndërruar Shqipërinë në çiflig të tyre. Ëndërrimtarët e vërtetë të demokracisë, ashtu siç e dëshironin ata, mbetën rrugës, ose u tërhoqën mënjanë, ndërsa të tjerë u përpoqën të kundërshtonin me sa mundën. Përmbysja e diktaturës së proletariatit, në të vërtetë, u mundësua nga një numër faktorësh thelbësorë. Së pari, ishin pakënaqësitë e krijuara nga dështimet ekonomike të atij sistemi dhe kufizimi i të drejtave e lirive themelore të njeriut, të pasuara këto nga egërsimi i luftës së klasave. Së dyti, ishte pazotësia e plotë e udhëheqjes politike të Partisë së Punës së Shqipërisë për t’u përballur me këto pakënaqësi dhe për t’i zgjidhur ato në mënyrë të përshtatshme. Së treti, ishte idealizimi i kapitalizmit, sidomos në moshat më të reja të popullsisë, të cilat kishin filluar të besonin se ai do t’u mundësonte realizimin e shpejtë të gjithçkaje që ata ëndërronin. Së katërti, ishte vulnerabiliteti psikologjik i kësaj popullsie dhe receptiviteti i lartë i saj për t’u mashtruar, thënë ndryshe, për t’u manipuluar. Së pesti, ishte presioni gjithëformësh në rritje i demokracive perëndimore për përmbysjen e komunizmit, pa pasur ato, një strategji të qartë për atë çka do të vinte më pas, ashtu si dhe mbështetja e tyre pa kushte, për ata që përlanë flamurin e kësaj përmbysjeje. Praktikisht, diktatura e proletariatit, komunizmi, i kishte mbushur ditët e veta dhe kishte nevojë vetëm për një prekje të lehtë për t’u shkërmoqur. Studentët ia dhanë këtë të shtyrë dhe kaq. Por flamurin e përlau tjetërkush. Ndodhi ajo që ndodh gjithmonë, luftën e bëjnë luftëtarët dhe fitoren e rrëmbejnë politikanët. Pasi dolën në krye, flamurtarët, të cilët po hynin si fillestarë në politikë, nisën t’i kryenin dhe t’i zgjidhin punët ashtu siç dinin vetë dhe siç i mësuan disa kujdestarë, të cilëve, jo se u dhimbsej ndopak Shqipëria, por thjesht u interesonte përmbysja e komunizmit dhe fshirja nga kujtesa ose neveritja e çdo gjëje që kishte të bënte me të. Kjo përcaktoi edhe fatet e demokracisë në Shqipëri.

Gjithkush priste që duke ndryshuar shinat e ekonomisë, duke mbrojtur e zhvilluar të drejtat e liritë themelore të njeriut e duke vendosur sundimin e ligjit, përfitimi do të ishte i gjithë shqiptarëve dhe i Shqipërisë. Por nuk ndodhi kështu.

Kur ndodhi përmbysja e diktaturës së proletariatit, Shqipëria ishte një vend me një bujqësi të zhvilluar dhe një industri relativisht të zhvilluar, e cila mbante njerëzit në punë dhe siguronte valutën e nevojshme nga eksporti. Por prodhimi ishte i pamjaftueshëm për plotësimin e nevojave në rritje të popullsisë, madje, edhe në përputhje me vetë strategjinë e Partisë së Punës. Populli i Shqipërisë ishte i mirarsimuar dhe kishte një fuqi punëtore shumë të kualifikuar, me arsim profesional. Këto ishin vlera shumë të mira, të cilat, të përdorura me mençuri do të kishin çuar në modernizimin e shpejtë të ekonomisë dhe të vendit. Por në përputhje me strategjinë e suksesshme të “luftës kundër komunizmit”, u gjetën njëmijë e një arsye për ta mallkuar këtë lloj bujqësie e industrie dhe populli mbarë u ndërsye kundër makinerive, uzinave, fabrikave e ofiçinave në të gjithë vendin, të cilat ai i kishte ndërtuar me duart, mendjen, djersën e mundin e vet. Ato u vodhën, u shkatërruan ose u shndërruan në hekurishte për skrap, për të zhdukur çdo gjurmë të komunizmit, a thua se komunizmi nuk ishte ideologji, por makineri prodhuese fabrikash, uzinash e minierash, ferma bujqësore, plantacione frutore e termocentrale. Fatlumturisht, nuk u konsideruan të tilla hidrocentralet. Shqiptarët, të tunduar nga “mrekullia” e “çekut të bardhë” të tundur nga politikanë të rinj me mendje të çoroditura dhe të tjerë në mbështetje të tyre, që kishin si pikësynim kthimin në “vitin zero”, iu sulën shtëpisë së tyre për ta bërë copë e thërrime dhe ia dolën.

Kooperativat dhe ndërmarrjet bujqësore mbarështronin një bujqësi e blegtori intensive, pse duheshin asgjësuar? Shqipëria mund të kishte përfituar prej tyre, nëse atyre do t’u jepej drejtimi i ekonomisë së tregut duke i shndërruar në ndërmarrje private. Por jo! Ato u asgjësuan, se dikush tjetër duhej të përfitonte. Shqipëria mund të kishte përfituar nga plantacionet e drunjve frutorë: agrume, vreshta, mollë, qershi, arra, kumbulla etj. Por jo! Ato u asgjësuan, se dikush tjetër duhej të përfitonte dhe t’u shiste frutat e tij shqiptarëve.

Shqiptarëve u thanë se tani po zhvillojmë ekonominë e tregut, pa u treguar se ajo zbatohet e zhvillohet mbi bazën e ligjeve e rregullave të përpikta. Kështu që ata ia nisën së zhvaturi njëri-tjetrin si në jerm, kurse ustallarët i zhvatnin ata të gjithë dhe Shqipërinë së bashku me ta.

Shqiptarëve u thanë se demokracia është lëvizje e lirë, pa ligje e rregulla, dhe ata u dyndën nga të katër anët në Tiranë e qytetet e mëdha duke u vendosur mbi tokën e tjetrit. Kjo katrahurë, së cilës vendi vazhdon t’ia shohë tymin edhe sot e kësaj dite, ishte e nevojshme për të marrë votat në zgjedhjet e përgjithshme e vendore. Kjo u mësoi atyre se vota ishte një monedhë e mirë tregu dhe ata do të vazhdonin ta përdornin atë mirë e më mirë. Zgjedhjet e lira, të ndershme e të drejta u shndërruan në një pazar të madh periodik, por edhe në një betejë të ndyrë vjedhjesh, grabitjesh e dhune. Kësisoj, demokracia ishte minuar që në lindjen e saj. Ishin hedhur bazat e forta të demokraturës dhe të konsolidimit të pushtetit të fituar përmes këtij shtrembërimi të demokracisë.

Një ditë, dikush u tha shqiptarëve se mund të pasuroheshin shumë shpejt. “Shiteni çfarë u ka mbetur – u thanë – dhe futini paratë te Sudja me shokë, se do të merrni shumëfishin e tyre”. Qeveria u tha: Sudja me shokë “janë dallëndyshet e kapitalizmit shqiptar”. Dhe shqiptarët e gjorë, duke kujtuar se kapitalizmi duhej t’i bënte të pasur brenda natës, u dyndën te Sudja me shokë, pasi kishin shitur shtëpinë, lopën, kalin, mushkën, gomarin, a dy dhitë që u kishin mbetur. Ishte vetë qeveria e tyre që u bënte thirrje. Por erdhi 1997 dhe Shqipëria u vra, u përça, u përvëlua dhe humbi toruan. Erdhën të tjerë nga jashtë për ta sjellë në mend. Megjithatë, a zunë vallë mend shqiptarët? Kjo pyetje mbetet e hapur.

Shqipëria kishte një ushtri të fuqishme, të zonjën të ruante tërësinë e tokës, ajrit e detit të saj. Por ajo, si me urdhër të peshkut (ndonëse i komandës supreme), u shkërmoq sa hap e mbyll sytë. E pabesueshme, por PO! Shqipëria kishte armatim në depot e ushtrisë së saj, të mjaftueshëm për nja pesë a gjashtë vjet luftë. Por me urdhër të pashkruar të komandës supreme, ato u hapën brenda ditës dhe populli u ndërsye të sulej të merrte sa t’ishte i zoti të mbante, dhe kështu ndodhi. Kujt i duhej një Shqipëri pa ushtri e pa armatim, një Shqipëri me shqiptarë të armatosur, për të vrarë njëri-tjetrin nja pesëdhjetë vjet? Natyrisht, Shqipërisë dhe shqiptarëve jo.

Por shqiptarët, sado u munduan, nuk kishin takat t’i merrnin të gjitha armatimet. Shumë depo mbetën që mbetën plot e përplot. Ç’të bëhej? Mund të zbërtheheshin e të shiteshin për bronz, ose vendeve në luftë, ashtu të pazbërthyera. Një barakë-ndërmarrje çmontimi e paketimi armatimi u ngrit mu në një cep të Tiranës, kryeqytetit të vendit. Një ditë të bukur marsi, Tirana dëgjoi një gjëmim të padëgjuar ndonjëherë dhe pa një shtëllungë të madhe tymi të ngrihej në qiell, sikur t’ ishte bombë atomike. “Na kanë gjuajtur me raketa”, na u tha menjëherë, nga i pari i vendit dhe pak më vonë: “Bëni kujdes, se ka raketa dhe mund të shpërthejnë përsëri”. Një fshat i tërë, u hodh në erë. Njëzet e gjashtë vetë, gra, burra, madje edhe fëmijë u përpinë nga shpërthimi.

Shqipëria kishte një Akademi serioze Shkencash dhe një numër institutesh kërkimore-shkencore. Akademia u cungua, institutet kërkimore-shkencore u mbyllën. Burimet këshillimore shkencore dhe ekonomike për qeverinë u zhdukën. Nuk i hynin më në punë. Shqipëria ishte epiqendra e studimeve albanologjike. Dikujt kjo nuk i vinte për shtat. Dhe institutet albanologjike u mbyllën ose u cunguan. Dhe ashtu të cunguara, mbetën të nënfinancuara. Zërin e tyre nuk e dëgjon kush më dhe as i përfill njeri. Diku do t’i dalë tymi edhe kësaj pune. Por që sot po shohim se ajo gjuhë e cila u ka mundësuar shqiptarëve t’i mbijetojnë trazirave e rrapacinave të panumërta historike në shekuj, sot, po zvetënohet për ibret.

Shqipëria ka një det që i gëzohet për qejf, shërbime, punë e tregti. Një ditë të bukur, një pjesë të këtij deti qeveria ia dhuroi një fqinjit tonë. Dhe i dalin për zot se kanë vepruar si duhej. Jepi hall kësaj pune!

Shqiptarët kanë liri grumbullimesh e protestash paqësore, të shkruar në kushtetutë. Por kur ata u ngritën në protestë kundër mbrapshtive të qeverisë, ajo vrau katër vetë prej tyre, edhe pse ata nuk kishin treguar asnjë shfaqje agresiviteti të dënueshëm, por ishin me duar ndër xhepa. Dhe lavdërohen për këtë.

Shqipëria kishte lumenj, pyje e parqe natyrore të mrekullueshme. Pyjet u prenë e u masakruan, shtretërit e lumenjve u shkatërruan, e sikur këto të mos mjaftonin, qindra koncesione u vulosën për ngritje HEC-esh natyrëshkatërruese.

Shqipëria është mbuluar nga plehra e mbetje të gjithfarshme, në rrugë, në lëndina, në përrenj e në lumenj. Industrialistët ngrenë fabrika për përpunimin e mbetjeve të botës dhe nuk e përdorin zotësinë e tyre për të pastruar më së pari vendin e vet. Deputetët llogarisin disa miliona që fitohen, por nuk llogarisin miliardat që humbasin e dëme të tjera të pandreqshme.

Bota drogohet nga mëngjesi në mëngjes dhe Shqipërisë i bërtet mos mbill drogë, nga ana tjetër drogën ia blen si frëngu pulën. Shqiptarët, si shkatërruan me duart e veta ato që kishin ndërtuar me mund e djersë për dyzet e pesë vjet dhe harruan si mbarështohet bujqësia e blegtoria, kur panë se kjo ishte punë me leverdi, të nxitur, përkrahur e mbrojtur nga ustallarët, më t’iu përveshën kodrave e pyjeve e i mbushën ato me një jeshil të ri e të bukur – kanabis, quhet.

Nga gjithë sa u numëruan më sipër, shqiptarët e Shqipëria nuk kanë përfituar e nuk përfitojnë, por kanë dalë të humbur. Ata që kanë përfituar janë soj e sorollopi i atyre që na e shitën për demokraci demokraturën e vendosur mjeshtërisht prej tyre. Përfituan dhe përfitojnë vende të tjera që, në mënyrë të natyrshme, shfrytëzuan e shfrytëzojnë paudhësitë, grykësitë, lakeizmin dhe atdhevrasjen e këtyre ustallarëve që mbinë në këtë vend, për të keqen e tij.

Infrastruktura ku është ngallmuar demokratura

Që demokracia e shpallur në letër e në hapësirë të funksionojë si duhet dhe prej saj të përfitojë vendi e populli i tij, nevojitet ekzistenca e institucioneve të cilat përbëjnë infrastrukturën që siguron e garanton mbrojtjen e çuarjen përpara të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, si edhe shprehjen e plotë të vlerave më të larta të personalitetit. Por nuk ka ndodhur kështu në këtë mbi një çerekshekulli.

Njëri nga institucionet thelbësore të demokracisë duhej të ishte Kuvendi i Shqipërisë. Ky duhej të dilte nga zgjedhjet e përgjithshme, të drejta, të lira e të ndershme, përmes votimit të fshehtë. Por gjatë këtij mbi një çerekshekulli, ato nuk qenë asnjëherë të tilla. Ato më së shumti qenë një pazar ku vota u përdor si monedhë tregu, ose votat u vodhën, u grabitën, u dhunuan e u përdhosën në gjithfarë mënyrash. Natyrisht, një Kuvend që del nga zgjedhje të tilla, përfaqëson jo popullin, por manipuluesit e tyre. Kuvendi i sotëm përmbledh disa nga karakteristikat e gjithë kuvendeve të këtij mbi një çerekshekulli. Ky Kuvend ka dëshmuar më së miri se sa larg është ai nga përfaqësimi i vullnetit të qytetarëve të Shqipërisë. Ai ka dëshmuar mungesë të plotë qytetarie, moszbatim flagrant të rregullave të zhvillimit të mbledhjeve, përdhosje të plotë të modelit të demokracisë, poshtërim të figurës së deputetit, poshtërim të vetvetes, si edhe ndikim toksik të masës së qytetarëve të influencueshëm.

Kuvendet kanë bërë e bëjnë ligje për shqiptarët, disa prej të cilëve i ndryshojnë sipas interesave të caktuara të çastit, pa u tharë ende boja mbi letër. Ata kanë miratuar e miratojnë koncesione aeroportesh, zonash naftëmbajtëse, HEC-esh e gjithfarë koncesionesh të tjera, disa prej të cilave ua kemi parë që tani tymin, e nuk dihet se çfarë tymrash të tjerë na presin për t’i parë. Kuvendet kanë miratuar e emërojnë krerët e organeve të pavarura kushtetuese, disa prej të cilëve, populli më shumë u ka parë sherrin sesa dobinë. Kuvendi i Shqipërisë, në asnjë rast, gjatë këtij mbi një çerekshekulli nuk ka miratuar një ligj që t’i ndalojë qeverisë në detyrë të marrë vendime që nuk kanë të bëjnë me përditshmërinë e administrimit, deri në formimin e qeverisë së re pas zgjedhjeve të përgjithshme. Prandaj ka ndodhur që një qeveri në ikje t’i bëjë vendit dëme të tilla të mëdha, që nuk ka mundur t’i bënte gjatë gjithë qeverisjes së saj. Dëme të cilat rëndojnë mbi kurrizin e shqiptarëve dhe dëmbërësve nuk u hyn gjemb në këmbë, se janë të pandëshkueshëm. Kuvendi i Shqipërisë, gjatë mbi një çerekshekulli, nuk ka mundur të bëjë një ligj zgjedhor të përshtatshëm që të siguronte votim të fshehtë e zgjedhje të lira, të drejta e të ndershme, si edhe administrim korrekt, jo hileqar, jo grabitqar, jo përdhosës të rezultatit të tyre. Kuvendi i tanishëm i Shqipërisë ka pasur më shumë se tri vjet kohë për të bërë ligjin zgjedhor. E, megjithatë, po mbaron afati ligjor për të dhe ai ende nuk e ka kryer këtë detyrë.

Është pra e qartë se Kuvendi i Shqipërisë, nuk përfaqëson vullnetin e popullit të vet. Ai përfaqëson vullnetin e elitave politike, të përfaqësuara nga kryetarët dhe ofiqarët e tjerë në krye të tyre, përfaqëson vullnetin e të “fortëve” në politikë, në biznes e kudo që ata ndodhen. Ja pse Kuvendi i Shqipërisë nuk është organi thelbësor i demokracisë së ëndërruar e të dëshiruar, por është organi thelbësor i DEMOKRATURËS.

Dhe për ironi, ata që u dhanë drejtimin që kanë pasur deri më sot zgjedhjet e përgjithshme, bërtasin më shumë se të gjithë, se zgjedhjet po rrezikohen. Mësuesit ankohen e bërtasin, sa zë kanë, se nxënësit paskan përfituar nga mësimdhënia e tyre më shumë se ç’duhej.

Ka qenë pikërisht përdhosja e zgjedhjeve të lira, të drejta e të ndershme që ka prodhuar kuvende të tilla në Shqipëri dhe qeveritë përkatëse. Qeveritë e Shqipërisë kanë pasur dhe kanë për detyrë të përkrahin dhe të çojnë përpara parimet e drejtësisë, të cilat përbëjnë bazën e sundimit të ligjit. Por nuk e kanë bërë këtë. Nuk e kanë bërë se, të dala nga procese zgjedhore të përdhosura, ato i kanë shfrytëzuar hapësirat që u ka lejuar demokracia, të krijojnë kushte për ta nëpërkëmbur ligjshmërinë dhe drejtësinë, në të mirë të elitave politike, sipas rastit; në të mirë të të përkëdhelurve dhe të fortëve të dobishëm për ta, kudo që ata gjinden, në politikë, në ekonomi, në rrugë dhe në çfarëdo skutash.

Një tjetër institucion i rëndësishëm i infrastrukturës së demokracisë duhej të ishte ai i Kryetarit të Shtetit. Shqipëria ka një të tillë, Presidentin e Republikës, i cili ka detyrën të përfaqësojë unitetin e popullit. Por Presidenti është produkt i ndryshimit të Kushtetutës për interesa politike të çastit. Ndryshime të tilla, afërmendsh, zgjidhin problemin e çastit, por i vënë në kurriz vendit njeriun që nuk mund t’i shpëtojë vullnetit të atyre që e vunë. Dhe ai është i mbrojtur. Prandaj ai nuk e ka problem të luajë rolin e përçarësit të madh të popullit, në vend që të kujdeset fort për unitetin e tij. Duke i veshur vetes autoritetin e institucioneve rudimentare të albanologjisë, sidomos të atij të historisë, ai merr përsipër të bëhet gjykatës i Luftës së lavdishme NÇL. Si askush ndonjëherë, ai merr përsipër të legjitimojë revanshizmin e trashëgimisë kolaboracioniste, kuislinge, dhe të veprimtarisë kriminale antishtetërore të sponsorizuar nga fuqi të huaja, disa prej të cilave kanë qëlluar të jenë sot miqësore me ne. Qeveria e Shqipërisë e krijuar pas Luftës së lavdishme NÇL, ishte një qeveri legjitime dhe çdo përpjekje e bërë për ta rrëzuar atë me metoda terroriste, siç ishte përpjekja e zgjatur, me dërgimin e diversantëve e sabotatorëve, nga shtete të ndryshme, është absolutisht e papranueshme dhe e dënueshme si veprimtari kriminale. Kushdo që e pranon rrëzimin e një qeverie legjitime me metoda terroriste, le t’ia gjejë vetë epitetin e duhur vetvetes. Çfarë do t’ju mësojë fëmijëve të tij ky zotëri, për të cilin ne kujtojmë se na përfaqëson denjësisht, që në rast se vendi mund të sulmohet nga dikush (dhe të mos na rrejë mendja se kjo është fantazi!), që ata do të jenë të nderuar dhe do të lavdërohen po të mbështesin agresorin dhe jo t’i kundërvihen atij me të gjitha mjetet për të mbrojtur atdheun e vet? Nëse këtë mësim ai dëshiron t’ua mësojë fëmijëve të vet, kjo është punë për të. Por ky nuk është një mësim që mund ta pranojnë për fëmijët e tyre prindërit shqiptarë, të cilët duan ta gëzojnë vetë vendin e vet dhe jo nën hijen e tjetërkujt.

Shqiptarët kanë nevojë të jenë të bashkuar për të ndërtuar e begatuar të ardhmen e tyre. Por bashkimi nuk vjen nga vendime e veprime të çakërdisura. Ai vjen nga pranimi i fakteve historike, të qartësuara nga historianët, jo nga gjyshet e gjithfarë tregimtarësh, shumë prej të cilëve mund të mos kenë lexuar një libër të vetëm, ose nga ata që shkruajnë libra për të korrigjuar historinë me deformimet që i bëjnë asaj, për të përligjur kolaboracionizmin dhe veprimtarinë kriminale kundër qeverive legjitime të Shqipërisë. Në raport me atdheun ka vetëm tri qëndrime: O në mbrojtje të paepur të tij, o në mbështetje të atyre që veprojnë kundër tij, o në qafëzgjatje të heshtur. Qytetarët mund të zgjedhin cilindo prej këtyre qëndrimeve, por të nderuar e të lavdëruar do të mbeten vetëm ata që i dalin zot vendit kur atij i paraqitet një rrezik. Presidenti ynë ka zgjedhur të mbështesë ata, të cilët kanë bashkëpunuar me pushtuesit, ose u kanë shërbyer të huajve për realizimin e qëllimeve të tyre. Ky pra është një element tjetër i rëndësishëm i modelit tonë të demokraturës.

Shqipëria ka një administrate shtetërore për të na qeverisur në përditshmërinë tonë. Por ajo është mbushur me analfabetë e gjysmanalfabetë, militantë të partive në pushtet, si edhe të partive të vogla politike aleate, të cilët shndërrohet me një shpejtësi marramendëse në vampirë të vegjël e të mëdhenj, sipas zotësisë konkurruese, në shërbim të partive të tyre. Partitë e vocrra, që nuk arrijnë të marrin as tre për qind të votave, bëhen paterica të partive të mëdha, për t’u mundësuar atyre marrjen ose ruajtjen e pushtetit, por edhe lak në fyt për të penguar një qeverisje të përgjegjshme dhe vendosjen e sundimit të ligjit. Kjo administratë ripërtërihet me elementë të krahut të kundërt sa herë që ndërrohen pushtetet e partive. Kjo i ka mësuar nëpunësit e administratës që për të siguruar një mirëqenie sa më të gjatë, ta shfrytëzojnë kohëzgjatjen e nëpunësisë së tyre për një pasurim sa më të madh. Kështu, ndërrimi i pushteteve nis e rinis nga e para. Viktima të këtij ndërrimi e rindërrimi e tejkalojnë shtresën e nëpunësve e shtrihen deri te punëtorët e punëve të rëndomta. Dhe shteti lëkundet si lëkundjet e tërmetit, pa gjetur stabilitet. Administrata e paaftë, e korruptuar dhe jetëshkurtër është një tjetër element i domosdoshëm për pengimin e demokracisë dhe ruajtjen e demokraturës. Prandaj, paritë e partive politike nuk e duan assesi një administrate profesioniste e jetëgjatë, të ndërtuar mbi parimin e meritës e jo të militantizmit.

Një rrjet thelbësor institucionesh të demokracisë duhej të ishte sistemi i drejtësisë. Shqipëria ka një të tillë, por ai ka dhënë prova të panumërta të një korrupsioni kalbëzues. Ai nuk ka dhënë por ka shitur drejtësi. Ai ka dëshmuar se nuk e do pavarësinë, sepse parapëlqen nënshtrimin ndaj politikës dhe qeverisë, pasi janë pikërisht ato që, për interesa të caktuara, kanë krijuar dhe kanë mbështetur të gjitha kushtet për korruptimin dhe nënshtrimin e tij. Krime të rënda, të cilat janë parë me sy nga qytetarët, në dritën e diellit, nuk janë gjykuar si duhet, janë kaluar pa u hetuar ose pa u gjykuar fare. Madje, përgjegjësve për to, nuk u është prekur as edhe një fije floku. Parimet e drejtësisë janë nëpërkëmbur keqas, prandaj edhe përpjekjet për të vendosur sundimin e ligjit në këtë vend mbeten të pafrytshme. Kjo mund të kuptohet fare mirë duke parë përpjekjet e gjithfarshme, të elitave të caktuara politike dhe të parisë së drejtësisë për ta penguar ose minuar tërësisht reformën e nisur në drejtësi. Kur vjen puna për të bërë reformë në këtë sistem me pjesëtarë të korruptuar, ata bashkohen bythë më bythë si qetë kundër ujkut, tok me kundërshtarët e tjerë të reformës, për t’u mbrojtur nga rreziku i zbatimit të saj.

Sistemi ekzistues, i krimbur i drejtësisë është infrastruktura jetike e demokraturës. Ustallarët, që e kalbën dhe e krimbën sistemin e drejtësisë, e dinë mirë se pastrimi i tij dhe rivendosja e parimeve të drejtësisë mund të çojë në vendosjen e sundimit të ligjit dhe kjo do t’u hapte atyre telashe të mëdha. Sundimi i ligjit është në të mirë të gjithë popullit dhe të vendit, por ai nuk i favorizon elitat politike dhe të përkëdhelurit e tyre, nuk i favorizon të fortët e shkapërderdhur këndej e andej. Demokracia është e pandashme nga sundimi i ligjit, kurse demokratura është e pandashme nga shtrembërimi i ligjshmërisë. Demokratura është demokraci në formë dhe diktaturë e elitave politike në përmbajtje.

Ja pse demokratura duhet shkallmuar

Sistemi i demokraturës i ndërtuar me kujdesin e posaçëm të qeverive të këtij mbi një çerekshekulli është mjedisi specifik ku shumë deputetë, shumë ministra, shumë kryetarë e ofiqarë kryesorë partish e mbështetës të përkëdhelur të tyre, shumë nëpunës të administratës shtetërore, shumë gjykatës e prokurorë, brenda një legjislature, përfundojnë në milionerë e miliarderë “me rrogën e shtetit”. Me një mënyrë tjetër, një tufë “të fortësh”, të veshur ose jo me pushtet, si të paprekshëm që janë, si me urdhër të peshkut, fap, gdhihen milionerë a multimilionerë. Këta janë përfituesit e mëdhenj të demokraturës shqiptare. Përkundër këtyre janë nja njëqind a njëqind e pesëdhjetë mijë familje shqiptare që jetojnë nën cakun e varfërisë, një shumicë që “bën si bën” dhe pjesa tjetër që “ia del”.

Nëse nuk zgjohemi nga droga e fortë e propagandës helmatisëse të elitave politike dhe të mediumeve të tyre, do të përfundojmë në një përçarje të gjithanshme, të thellë e më të thellë, në një shthurje morale publike edhe më të madhe; Shqipëria do të pushojë së vrari mendjen për ruajtjen, mbrojtjen dhe zhvillimin e interesave të saj. Një grusht njerëzish me vlera të ulëta të personalitetit të tyre, të cilëve Shqipëria nuk u dhimbset, por e duan si çiflig të vetin, do të triumfojnë dhe do të arrijnë t’i zgjidhin mirë punët e veta.

Nuk është faji i qytetarëve shqiptarë që kanë humbur besimin te shteti i tyre dhe u drejtohen për ndihmë ambasadorëve të vendeve miq, por është faji i kësaj skote politikanësh që demokratura u ka mundësuar të riciklohen periodikisht dhe ta rrjepin e poshtërojnë vendin e vet në këtë farë mënyre ku e kanë katandisur. Korrupsioni që ata kanë mbjellë dhe janë kujdesur të kultivojnë ua ka sjellë qytetarëve në majë të hundës. Dhe përsëri, paturpësisht, ata u kërkojnë qytetarëve t’u japin edhe një mundësi tjetër. T’u japin edhe një mundësi që t’i nxjerrin ujë të zi këtij vendi të bekuar, se pasuria e tij nuk paska të sosur.

Prandaj mund të thuhet se demokratura nuk është një fjalë për t’u shpërfillur, por një sistem anti-Shqipëri që duhet shkallmuar. Dhe Shqipëria ka forca të mjaftueshme për t’i dalë zot e për të mbrojtur demokracinë, për ta bërë atë të kuptueshme dhe të dëshirueshme nga të gjithë; për ta bërë atë funksionuese. Ajo ka forca të mjaftueshme për të mos lejuar ngallmimin e mëtejshëm edhe më të sofistikuar të demokraturës dhe të shndërrimit të shqiptarëve në shërbyes të nja dy a tri vola njerëzish të paprekshëm, të cilët do ta përdornin Shqipërinë tonë të dashur si mjet për të kënaqur interesat, tekat, makutëritë, djallëzitë dhe paudhësitë e tyre. Prandaj me zë, me penë, me letërsi, me art, me organizim e me politikanë të rinj të ndershëm, Shqipëridashës, të përgjegjshëm, pa komplekse inferioriteti, jo servilë ndaj të huajve dhe që “nuk kanë gëlltitur një lugë çorbë të prishur”, mund t’i dilet.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button