Duma: Të rigjallërojmë historinë antike të Durrësit
Kandidatja e PD për Bashkinë e Durrësit, Grida Duma shpalosi programin në lagjen numër 8 të qytetit, ku premtoi se do të ruhen veprat arkeologjike në qytet dhe garantoi se ka një plan për shpëtimin e tyre. Duma u shpreh se duhet të shpëtojmë qytetin dhe të nxjerrim në pah historinë antike të tij.
“Do ruajmë pasurinë tonë të përbashkët dhe do të tregojmë se kjo pasuri është detyrim ndaj brezit tjetër, ashtu siç ne duhet të jemi mirënjohës për atë që paraardhësit e këtij qyteti dhe historisë tonë na lanë si pasuri. Është njësoj sikur të na vjedhin pronën, hisorinë, të na përçudnojnë qytetarinë. Mjaft më. Duhet të stopojmë këtë masakër arkeologjike që në fakt duhet të kishte qënë pasaporta e turizmit të Durrësit. Janë 18 vepra dhe gjetje të tilla arkeologjike që po presin që ne të shpëtojmë qytetin dhe të nxjerrim në pah historinë antike të tij”, tha Duma.
Kandidatja e djathtë tha më tej se ulja e taksave do të çlirojë biznesin nga barra e madhe dhe se do të hapen 15 mijë vende pune.
“Kjo bashki mundësitë i ka pasur dhe i ka të panumërta, por sot shfaqet me 3 pikë nën mesataren e republikës. Një bashki e varfër. Së paku 50% e taksapaguesve janë biznes i vogël dhe sot paguan dyfishin e Tiranës. Një dyqan i vogël në Durrës paguan 1.9 milionë lekë, një dyqan në Tiranë paguan 800 mijë në fund të vitit. Do të ulim taksat me 30% për të gjitha bizneset. Nga 24 taksa dhe tarifa që paguahen sot në Bashkinë e Durrësit do të jenë vetëm 11 të tilla. Deri në fund të mandatit, në Bashkinë e Durrësit do të kemi 15 mijë vende pune të shtuara dhe unë kam thënë që çdo familje durrsake të ketë së paku një të punësuar”, tha Duma.