Dy edhe dy bëjnë pesë
Nga Gresa Hasa
Në qytetin e shpikësve, ngjyrat ekzistonin vetëm për të konfirmuar mungesën e vetes. Një qytet shpikësish… pse qeveria shpikte politikën, artistët artin, media lajmin, ekonomia paranë dhe shoqëria vetveten. Çdokush shpikte diçka… andaj jeta u materializua e për pasojë pushoi së ekzistuari.
Në këtë vend jeta (ose ajo ç’ka mbetur prej saj) i përngjan një filmi… një drame me shumë akte ku kolona zanore mbart nota tragji-komike dhe skenari shkruhet vetëm së prapthi.
Në këtë vend njerëzve u pëlqen ta mbajnë veten të angazhuar, në mos me njëri-tjetrin me fenomene realisht të paqena për përditshmërinë së cilës i përkasim. Megjithatë, që të mos keqkuptohemi: këtu pari askush nuk merret realisht me sho-shoqin, por me idenë mbi tjetrin; askush nuk merret në të vërtetë me ndonjë fenomen në veçanti (sidoqoftë ai) por me idenë ndaj fenomenit në vetvete. Ky fakt gjithsesi nuk e bën këtë realitet surrealist, por skizofrenik ku vija ndarëse mes asaj që ekziston dhe dëshirës ndaj kësaj ekzistence, përfshi performancën ngjizur nga kjo ndasi, është histerikisht e qartë.
Kësisoj, në Shqipërinë ku vajzat/gratë vriten me po të njëjtin brutalitet si qentë e rrugëve, për mosarsye si humbja e virgjërisë apo refuzimi i nënshtrimit ndaj bashkëshortit/babait/vëllait; në vendin ku vajza/gruaja nëse zgjedh një jetë të pavarur, në mos e përdalë do të jetë viktimë – askush nuk merret me vajzat/gratë si individë dhe pjesë e rëndësishme e zhvillimit të vendit, por gjithkush merret me moralin(?!) e organit gjenital mes këmbëve të tyre. Kurrkush nuk merret me presionin destruktiv të patriarkalitetit që e objektifikon vazhdimisht gruan dhe refuzon ta pranojë atë ndryshe përveçse të objektifikuar dhe nën tutelën e këtij pushteti. Shumëkush amá përgojon filanin apo fistekun brenda banalitetit që injoranca ofron nën qerthullin e normave paradoksale dhe sjelljeve po të tilla.
Termi “emancipim” (dhe emancipimi në vete) është po aq përkëdhelës sa termi “demokraci”, “integritet”, “drejtësi”, “respekt”, “ndershmëri”, e të tjera vlera të paqena në shoqërinë shqiptare sot. Në këtë të fundit, sistemi real i vlerave është tjetërsuar prej çastit kur antivlerave u janë mveshur jo vetëm të tillë emra, por po ashtu qasje që përkojnë me këto pagëzime.
Rrjedhimisht, dhuna nëpërmjet plaçkitjes, vrasjes, ryshfetit, presionit dhe kërcënimeve, është njehsuar me ‘demokracinë’ sikundër krimi me ‘politikën’. Në Shqipëri nuk bëhet politikë, por larje hesapesh. Në Shqipëri nuk kemi një entitet udhëheqës të identifikuar në bazë qasjesh ideologjike (pavarësisht emrave që i mveshin vetes – të majtë apo të djathtë) por kapobanda mafiozësh të cilët luajnë luftërash njëri me tjetrin dhe përdorin këtë popullin e ndrydhur dhe paçavure si mish për top. MAFIA nuk ka bri në ballë. Mafia nuk janë filmat me Marlon Brandon apo Al Paçinon. Kriminaliteti është përditshmëria jonë, imja dhe jotja: zhvatja, korrupsioni, manipulimi, dhunimi, përpjekja e vazhdueshme drejt ruajtjes së masave në padije dhe të përçara; vrasjet e vdekjet si normalitet nekrofil i përqafuar pa asnjë tentativë rezistence.
Skamja (jo varfëria) përfaqësohet dhe trajtohet si “shtresa shoqërore në nevojë”. Shtresa shoqërore në nevojë? Ç’komedi! Uria dhe mizerja zëvendësohen me “mosplotësim kushtesh sociale”.
Nacionalizmi është tëhuajësuar me ‘patriotizëm’ sikundër racizmi me ‘atdhedashuri’. Urrejtja ndaj tjetrit merret për të mirëqenë si dashuri për veten e ndërkohë rrokja e tjetrit vlon kurdohera në përmbajtje agresive antihumane pse në vetvete refuzon ta pranojë dhe respektojë lirinë si vullneti për të qenë të përgjegjshëm ndaj zgjedhjeve vetjake dhe moscenimit të tjetrit, kushdoqoftë ai në sytë tanë: një homoseksual, një heteroseksual, një fetar apo antifetar, një grua, një burrë, një unë, një ti.
Në shoqërinë pa kurrfarë kulture fetare, me rrënjë pagane dhe të mbajtur dhunshëm larg cilësdo përpjekje me karakter mistik/fetar për gjysmëshekulli; flitet për ‘tolerancë fetare’ në vend të indiferencës fetare, kur sot për sot mbetemi ende nën kërkim të identitetit të vetvetes, ndër të tjera, edhe në raport me fenë. Këtu mungojnë disiplinat për ta trajtuar fenë, tjetër subjekt apo mungesën e tyre akademikisht e mbasandaj shoqërisht, pse përpara tyre mungojnë njerëzit e duhur që të merren me to.
Mbetemi shoqëria që arrogancën e kemi kthyer në ‘diplomaci’, nënshtrimin në ‘respekt’ dhe servilizmin në ‘vlerësim’ apo ‘adhurim’. Varësia është kthyer në nevojë dhe anarkia prej xhungle në ‘tranzicion’ apo ‘etapë zhvillimore’.
Në një Republikë Absurdi, mbijetesa nuk nënkupton çapitjen konformuese për së gjalli edhe një ditë më shumë, por ruajtjen e toruas kur një sistem i tërë punon që të ta zhvatë dhe manipulojë atë. Në shoqërinë e antivlerave nuk bën më sens respektimi i normës pse normat që vetë i kemi stisur janë kaq të vagullta dhe problematike. Në shoqërinë ku 2+2 bëjnë 4, lufta nuk nënkupton (ri)vërtetimin e kësaj shprehie, por qëndresën ndaj saj. Në shoqërinë ku nuk pranohet e ndryshmja, përpjekja e individit duhet t’i shërbejë veç saj: të resë e pikëpyetjeve; jo imitimit të së vërtetës, por pranimit të saj – jo shpikjes së jetës, por paqes në të.