Ekonomia

Dy miliardë lekë projekte para fushatës

Fonde për 27 sheshe dhe rrugë qytetesh, më shumë marrin Korça, Fieri dhe Durrësi

 Nga Zamir Alushi

projekteQeveria zgjidh qesen për bashkitë para zgjedhjeve vendore. Një vendim i marrë para një jave ndan 2 miliardë lekë për projekte të infrastrukturës në qytete të ndryshme të vendit. Por kjo është vetëm dora e parë, sepse Fondi i Zhvillimit Rajonal, sipas buxhetit të vitit 2015, është 12.5 miliardë lekë.

Vendimi

Komiteti për Zhvillimin e Rajoneve, i drejtuar nga Kryeministri Rama, vendosi më 9 shkurt, shpërndarjen e fondeve për disa projekte të infrastrukturës vendore, për thirrjen e parë, pjesë e fondit për 2015-n. Autoritetet kontraktuese, kryesisht bashkitë, për projektet duhet të kryejnë procedurat e prokurimit publik dhe të lidhjes së kontratës për zbatimin e punimeve të ndërtimit deri në fillim të tremujorit të dytë të vitit 2015. Qeveria kërkon urgjentisht nisjen e punimeve, përndryshe vjen anulimi. Për fondet e projekteve të paprokuruara sipas këtij afati, Komiteti ka të drejtën për të rishqyrtuar financimin dhe për të rishpërndarë fondet e këtij financimi për një projekt tjetër. “Bashkitë duhet të paraqesin kalendarin me të gjitha afatet e parashikuara për fazat e prokurimit publik e të zbatimit të punimeve të ndërtimit e përdorimit të fondeve, pranë sekretariatit teknik për infrastrukturën vendore, në Ministrinë e Zhvillimit Urban, brenda një jave nga data e publikimit të këtij vendimi në Fletoren Zyrtare”, urdhërohet në vendim. Ndërkaq, Sekretariati Teknik në Ministrinë e Zhvillimit Urban do të bëjë monitorimin dhe raportimin e ecurisë së zbatimit të projekteve pranë Njësisë së Bashkërendimit të Programeve Zhvillimore dhe Planifikimit Strategjik (në Kryeministri). Me këtë fond financohen 27 projekte në Durrës, Elbasan, Fier, Lushnjë,  Përmet, Gjirokastër, Korçë. Ersekë, Shkodër, Kukës dhe Vlorë.

Durrës

245 milionë lekë do të investohen për trotuaret e rrugës “Pavarësia” dhe rrugët dalëse për në plazh në qytetin e Durrësit. Në një projekt tjetër, pishina e Durrësit, do të hidhen  35 milionë lekë. Ndërkaq, 75 milionë lekë do të kushtojnë fasadat e këtij qyteti dhe 68.7 milionë lekë do të jepen për sheshin e Shijakut. Këto projekte nuk përfundojnë gjatë këtij viti, sepse një pjesë tjetër parash është planifikuar të jepet në vitin 2016.

Elbasan

Në Elbasan do të sistemohen dhe asfaltohen disa segmente: Rruga para Pallatit të Sportit, rruga “Maria Dhama”, sheshi dhe tregu në Librazhd. Pjesë e financimit janë edhe fasadat e 100 banesave në Elbasan. Ky i fundit është projekti më i kushtueshëm, që shkon afro 100 milionë lekë.

Fier

Për pedonalen “Muharrem Agolli” do të jepen 138.6 milionë lekë, për shëtitoren Kongresi, 105 milionë lekë, për lagjen afër varrezave në Lushnjë, 12.2 milionë lekë, për sheshin e Divjakës, 128.4 milionë lekë.

Gjirokastër

Gjirokastra ka pak projekte, por të shtrenjta. Segmenti rrugor nga Sheshi i Çerçizit deri në Postbllok, do të kushtojë vetëm gjatë këtij viti 175 milionë lekë, ndërsa sheshi kryesor dhe unaza do të marrin 70 milionë lekë. Ndërkaq, për qendrën e Përmetit do të investohen 71.9 milionë lekë.

Korçë

Rrugët dhe sheshet e Korçës do të marrin mbi 203 milionë lekë, ndërsa ambientet përreth Muzeut të Artit Mesjetar do të kushtojnë 100 milionë lekë të tjera. Sheshi i Ersekës që ka nisur qysh vitin e kaluar, do të financohet me 76 milionë lekë, ndërsa fasadat e Maliqit do të kushtojnë 37.3 milionë lekë.

Kukës

151.2 milionë lekë është vlera që do të investohet brenda këtij viti për sheshin dhe fasadat në qytetin e Kukësit. Punimet do të kryhen nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH). Shkodra është parashikuar të rregullojë kalldrëmet e qendrës historike me një financim rreth 43.2 milionë lekë.

Vlorë

Në fakt, ato quhen “Projekte riviera” dhe përfshijnë: Pikë panoramike në Llogora, 11.8 milionë lekë, krijimi i një shtegu në kanionin e Gjipesë, 6.8 milionë lekë, pikë turistike vrojtimi në Porto Palermo, që kushton 456 mijë lekë. Këtyre iu shtohen edhe dy projekte të FSHZH, 36 milionë lekë për qendrën sportive “Rafting” dhe zgjerimin e rrugës së doganës Morinë, që do të kushtojë 42 milionë lekë. Të gjitha projektet kanë të planifikuar një shtesë prej rreth 30% për vazhdimin e punimeve gjatë vitit 2016.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button