Dy zyrtarë kosovarë të burgjeve akuzohen për incident me një të burgosur në Danimarkë
Sipas Shërbimit Danez të Burgjeve, zyrtarët kosovarë ndodheshin në Danimarkë për trajnim, në kuadër të përgatitjeve për kujdestarinë ndaj të burgosurve danezë në burgun e Gjilanit.
Dy zyrtarë kosovarë të burgjeve janë vënë nën akuzë si të dyshuar për sulm ndaj një të burgosuri, derisa gjendeshin në detyrë në Burgun e Vesterit në Danimarkë. Siç njofton Klan Kosova duke iu referuar mediave daneze DR Nyheder, ngjarja dyshohet të ketë ndodhur më 5 tetor.
Ata akuzohen se, në cilësinë e zyrtarëve të burgut në detyrë, në bashkëpunim dhe pas një marrëveshjeje paraprake, i kanë shkaktuar të burgosurit disa goditje me grusht në fytyrë dhe në trup.
Sipas Shërbimit Danez të Burgjeve, zyrtarët kosovarë ndodheshin në Danimarkë për trajnim, në kuadër të përgatitjeve për të kryer detyrën e kujdestarisë ndaj të burgosurve danezë në burgun e Gjilanit, të cilin Danimarka e ka marrë me qira në Kosovë. Zyrtarët kosovarë të burgjeve po ndjekin një trajnim shtesë gjashtëmujor në Danimarkë, me qëllim që të njihen me kushtet dhe rregullat daneze për trajtimin e të burgosurve.
Plani është që shtetasit e dënuar me dëbim nga Danimarka, të cilët vijnë nga vende jashtë BE-së dhe Zonës Ekonomike Evropiane, ta vuajnë dënimin në Kosovë, pasi burgu të vihet në funksion. Burgu ka qenë në qendër të debateve të shumta politike dhe është vonuar disa herë.
Shërbimi Danez i Burgjeve nuk ka pranuar të japë intervistë, por në një deklaratë me shkrim ka thënë: “Shërbimi Danez i Burgjeve, si parim të qartë, nuk komenton raste konkrete. Mund të konfirmojmë se më 5 tetor 2026 ka ndodhur një incident në Burgun e Vesterit dhe se çështja i është dorëzuar policisë”.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.