E kaluara dhe historia e sotme
Jahja Drançolli
Flitej se si në Europë duhet të kalojë një shekull i tërë para se të pranohet çfarëdo lënde si e pjekur për shtjellimin historik dhe se e gjithë periudha pas Luftës I Botërore e këtej, bie në këtë kategori të dyshimtë të historisë së sotme.
Gjithmonë, hendeku me dimensionet e llojllojshme rinte i hapur në mes të çastit kur ndalohej hulumtimi formal i historisë dhe fillonte periudha e logjikshme e individit, kur lajmet aktuale lexoheshin me mirëkuptim. Një gjendja e tillë pothuajse ekziston dhe sot e gjithë ditën. Për shembull, Slobodan Milosheviq, sot për ta mezi se është më real sesa lideri mongol Genghis Khan (?-1227). Kjo ndodh pasi që njeriut të ri e kaluara e afërt i duket njësoj e huaj sikur edhe e shkuara e largët. Është konkluduar se nuk ka arsye të mbështetur që ajo e para të mos trajtohet njësoj historike, prandaj ndonjë historian i sotëm është përpjekur me gjithë zemër që të heq hendekun e injorancës që pengonte aq shumë gjatë ditëve studentore, asisoj që gjatë ligjeratave të tija ka mbajtur hapin me lajmet e mëngjesit. Prapëseprapë, dyshimet e dikurshme nuk pushonin ta mundojnë studiuesin e tillë. Së këtejmi, për shumicën ndër kolegët e tij, historia e kohës vetanake të dikujt nuk i ishte histori “e vërtetë”. Ajo çalon nga të metat e pasherueshme, që e bëjnë diçka më të vogël se historia, me ngjarjet vijuese, të cilat për shkencat politike dhe historinë gojore mund të jenë koherente, por jo kursesi me historinë në kuptimin e plotë të fjalës. Këto të meta të supozuara, dokumentacionet, perspektivat, distancat apo “objektivitetet”, lypset hulumtuar pak më mirë nëse duam që ta bindim vetën dhe të tjerët se si gjatë kësaj periudhe nuk jemi marrë me një punë të kotë.
Akuza më e zakonshme kundër historisë së sotme është se ajo nuk mund të shkruhet spese ende nuk kemi “dokumente”. Do të ishte e pakuptueshme të mohosh fuqinë e kësaj vërejtjeje. Arkivat e botës që zotërojnë më lëndën arkivore për të sotmën kryesisht janë të mbyllura për shkenctarët. Këtej, asnjëri nuk mund të mohon konstatimin se historiani, i cili tenton të shkruaj për kapërcyellin e shekullit XX ose fillimet e shekullit XXI, punon nën vështirësit, të cilat nuk do të ekzistonin sikur të mirrej me ndonjë epokë më të hershme.
Kulti i dokumenteve, sikurse edhe shumëçka tjetër në historiografi mund të shpjegohet nepërmjet të historisë së historisë. Ai nisë diku me shfaqjen e diturisë sistematike, kur teologët katolikë dhe protestantë kishin provuar që t’ia hidhnin poshtë dokumentet e njëri-tjetrit, duke atakuar vlefshmërinë e teksteve të lashta akanonike, apo duke zbuluar tekstet e tilla të reja, ndërsa fuqizohet në gjysmën e parë të shekullit XIX, kur edhe Leopold von Ranke (1795-1886) kishte ligjeruar mbi shfrytëzimin sistematik të lëndës dokumentare. Burimet e dashura të Rankes ishin relacionet e ambasadorëve venedikas, raportet e thukta të diplomatëve të rryer, të cilët skenën ndërkombëtare e vështronin me baraspeshë dhe skepticizëm përfaqësuesve të një shteti të vogël, ndikimi i të cilit shprehë finesën edukative gjatë manipulimit me ekuilibrin europian të fuqive. Qasja e tillë i shkonte për shtati temperamentit të historianit të ri, të ndjeshëm për vërshimet e bukura në politikë dhe në karaktere. Apo mbase, ambasadorët e vdekur moti venedikas e kishin formësuar shpirtin e këtij historiani asisoji, që tu përshtatej shpirtit të tyre. “Konstrukcioni vetiu kishte imponuar formën” thoshte në mënyrë të shkujdesur Ranke, duke pranuar se u kishte lejuar burimeve të tija që ta orientonin atë, që ai të udhëheqë me to me një dorë të fortë. Çfardo që kishte ndodhur, në fund formohej një harmoni intime në mes historianit dhe lëndës me të cilën kishte punuar. Mbi këtë Lufta II Botërore kishte lënë një përvojë të përshtatshme. Një numër i konsiderueshëm historianësh anglezë dhe amerikanë ishte ndodhur atëbotë në shërbim të punëve të jashme, kështu që kjo përvojë luftarake u kishte ndihmuar pa mas që të shkruajnë drejtpërdrejt dhe realisht mbi historinë diplomatike.
Madje, lidhur me shekujt e kaluar, supozimi konvencional i historianëve, se ekzistojnë “dokumente”, që mund të identifikohen lehtë dhe sasia e të cilave është e kufizuar nuk mund t’i përballojë provës së hulumtimit të afërtë. Për epokën tonë vetanake ajo bëhet gadi absurde. Ç’prej zbulimit të makinës së shkrimit dhe të llojeve të tjera, më moderne dhe më të shpejta të teknikave për reprodukim, sasia e letrave administrative në qarkullim e sipër, të shtypura, të kopjuara, apo të materialit, i cili mund kërkojë të drejtën për dokumentacion të denjë zyrtar, kishte kapërcyer të gjitha kufijtë. Nga ana tjetër shprehia e shfrytëzimit të telefonit dhe prakitika e udhtimit me aeroplan kishin gjeneruar një reduktim drastik: kur kokat e mëdha bisedojnë në lidhjen tej oqeanike, apo kapërcejnë një rrugë të gjatë me qëllim të takimit të shkurtër, shumë nga replikat e tyre, ndoshta mbesin të pa shënuara. Kanë kaluar ato ditë kur ndonjë diplomat, duke ndenjur ulur në pozitën e vet të largët, i vetëdijshëm se me javë nuk do të marrë udhëzime ose se nuk do të shoh me vite eprorin e vet, dhe se raportet e tija do të lexoheshin në rrethana fare tjera nga ato në të cilat janë harruar, ishte i obliguar të shkruante me një far mase të qetësisë dhe objektivitetit të historianit. Sot kemi mesazhin e shpejtë apo boshllëkun në kronika. Rezultat është disproporcioni i madh i asaj që duhet ta shtjellojë historiani, embarras de richesse me atë obligative dhe të ndërprerë, që dekurajojnë me zbrazëtësirat e tyre. Ajo plotni e bukur e dokumentacionit të shekujve XVIII-XIX është zhdukur pa kthim. Në një aspekt pozita e historianit të kohës së sotme është më e favorshme sesa që ishte pozita e sojit të tij, ndonjëherë. Në pikëpamje të tjera, historianit të kohës së sotme nuk i vie aspak më lehtë sesa medievalistit, që lufton me pothuajse boshllëkun e plotë.
Atëherë të pajtohemi se për kapërcyellin e shekullit XX, “dokumentet” nuk janë të arritshme. Sidoqoftë, kjo histori duhet të shkruhet deomos: opinioni e kërkon dhe ka të drejtë ta kërkojë. Nëse këtë punë nuk ushtrojnë historianët, asaj pune do t’i përvishet tjetri më pak i kualikuar sesa historiani. Por edhe idea për shkruarjen e historisë të kohës vetanake, nuk është aq e pazakonshme sikundër dukët sipas disa librushkave. Historianët, e kanë kryer këtë punë gjithmonë, madje edhe në shekullin XIX, kur ideja për injorancën e punës së tillë ishte konstatuar së pari. Për më tepër shumë vepra, të cilat i respektojmë si klasikë të profesionit të vetë, bien edhe në këtë kategori. Autorët e tyre, natyrisht kanë shkruar pa dokumentacion gjegjës; konkluzat e tyre i kishte korigjuar me të madhe shkenca e më vonshme. Por këto vepra mbesin edhe më tutje, së paku si letërsi, si përmendore të observimit njerëzor.
Tashmë të gjithë e kemi pranuar maksimën e studiuesit të madh italian Benedetto Croce se, historia ndryshon deomos nga aspekti i historianit, se historia e gjithëmbarshsme është bashkëkohore në atë kuptim që tablloja e saj shpreh rrethanat dhe qëndrimet e atyre që e kanë shkruar. Në këtë aspekt, vërejtja e dytë e madhe për historinë bashkëkohore, akuza se në këtë çast nuk kemi ndaj saj një përspektivë të mjaftueshme, thjeshtë bie poshtë. Është e vërtetë se një minimum i kohës duhet të kalojë para se të fillojmë të ndajmë në mënyrë të vetëdijshme ngjarjet e mëdha prej të voglave. Mirëpo, ky proces i valorizimit po rrjedhë gjithë kohës në koshiencën tonë. P. sh. Kriza rreth Kubës e vitit 1961 ishte ngjarje e madhe, e dinim kur ndodhi; arsyeja se atëherë nuk e dinim ishte se do ta zvogëlojë një krizë më e madhe kubaneze një vit e gjysëm më vonë. Nuk ekziston kurrfarë pike e caktuar, në të cilin pushojnë diskutimet e bashkëkohanikëve e nisë gjykimi i historisë; të dyjat rrjedhin njëkohësisht, ashtu ishte në të kaluarën e largët, ashtu është edhe sot.
Tucidites (rreth 460-rreth 395 para erës sonë). kishte shkruar historinë e luftës ndërmjet Spartës dhe Athinës, duke filluar në çastin e shpërthimit të saj dhe duke besuar se kjo do të ishte një luftë e madhe, më e vlefshme për tu rrefyer se asnjëra para saj. Dy mileniume më vonë, konkurenti italian i Tucidites, historiani italian Francesco Guicciardini (1483-1540) kishte filluar historinë vet në frymë të njejtë. “Kamë vendosur”, thotë ai, “që të shënojë gjërat, të cilat, sipas kujtesës sonë kishin ndodhur në Itali, qyshse ushtria franceze, të cilën e kishin thirrur këtu vet princat tanë, kishte nisur […], që vendit tonë t’i shkaktojë fatkeqësi”. Që nga koha e perandorisë romake, shpjegon historiani, Italia nuk ishte kënaqur në mirëqenie të tillë, as në pajtim me kënaqësinë e jashtëzakonshme siç ishte ajo në të cilën pushonte në mënyrë të sigurtë në vitin 1490”. Atëherë, ndodhi vdekja e Lorenco Mediçit dhe invazioni francez e një brez më vonë nuk kishte më liri për italianët.
Toni është siç shihet i ngjashëm. Edhe Tucidites edhe Guicciardini kishin mbijetuar ngjarjet që i përshkruajn; të dytë qenë të vetëdijshëm për natyrën vendimtare të ngjarjeve të shprehura, derisa ato ende ishin në rrjedhje e sipër dhe kishin ndier dhunën e papërmbajtur që këtë rëndësi t’ua sqarojnë bashkëkohanikëve, derisa kujtesën e kishin ende të freskët. Humbja që e kishte pësuar Athina nga Sparta për Tucidites kishte praqitur një kthesë vendimtare në historinë greke, sikundër që është edhe për ne sot. Për Guicciardini-n invasioni frank duke çregulluar baraspeshën e hollë politike në Itali, kishte rrëzuar pamëshirë hegjemoninë kulturore të Italisë në Europë, dhe aty, hulumtimet e njohësve të mëvonshëm, sërish nuk kishin ndryshuar rrjedhën e ngjarjeve. Edhe Tucidites edhe Guicciardini kishin unifikuar mrekullinë letrare me ndjenjën frapante përkah saktësia për rëndëisnë e lëndës së vet. Ekziton bindja e përgjithshme se krijimet e tyre bien në historinë e madhe të aktualitetit, të madhe edhe për nga tema edhe për nga shtjellimi. Edhe vet këta historianë kanë qenë fare koshientë për arritjen e suksesit të tyre; kishin qenë të fascinuar dhe të frymëzuar me madhështinë e lëndës së vet. Vlenë të ndalemi për një çast tek këta të dy dhe të shohim a mund të nxjerrim një tabllo më të qartë nga shembulli i tyre, për kriteret për një histori të madhe të bashkëkohësisë brenda 2500-viteve të ekzistimit të literaturës historike.
Kur t’i kthehemi shekullit XX. Dyshojmë se, ish-presedenti francez, Charles De Golli (1890-1970), të ketë shkruar memoare impresive gjatë triumfit më 1945 ose gjatë euforisë çlirimtare më 1958, dhe jo gjatë atyre viteve të vështira kur çdo shpresë i duket se i kishte humbur. Na kujtohet si ndonjë historian i tipit të profesorit rigoroz na kishte lajmëruar njëherë se si mësimi i historisë në shkollë është humbje kohe, meqë fëmijtë nuk do ta kuptojnë drejtë, dhe të njëjten do ta mësojnë në fakultet. Çdo gjë që do të mbanin në mend do të ishin ca anekdota dhe tregime personale, inkoherente për heronjtë. Vështirë se mund të imagjinojmë një gjykim më të gabueshëm. Nuk është fjala për të kuptuarit “të drejtë” të çështjeve, madje as historianit më të spikatur nuk do t’i shkojë përdore një gjë e tillë. Në kontakt më të rinjtë, arsimtarët duhet të lirohen nga imtësisirat e tepruara profesionale. Nëse në fëmijëri, krijohet vizioni historik, korigjimet mund të bëhen edhe më vonë. Mirëpo, nëse i lidhim fluturimet e pra të imagjinatës, ky vizion mund të asgjësohet, apo mund të pengohet në atë masë sa që kur më mos të paraqitet.
Dikush është i detyruar që kohën tonë t’ua shpjegojë bashkëkohanikëve tanë. Dikush është i detyruar t’i regjistrojë synimet e gjëra të transformimit shoqëror dhe kulturor, e që ky autor nuk duhet të frikësohet nga supozimi, as që duhet të nevrikoset në vetën nëse zihet herë pas here në grackën e gabimit. Dikur, mendimtarët e orientuar universalisht e kanë ushtruar këtë rol, kur etërit e sociologjisë ç’prej studiuesit francez, Charles de Montesquieu (1689-1755), përmes studiuesit të madh gjerman, Karl Heinrich Marx-Marksi (1818-1883) deri te studiuesi gjerman, Max Weber (1824-1901) mendonin se kah shpie koha e tyre. Sot, sociologët, si dhe historianët janë bërë të matur. Froni e mendimtarit spektakular shoqëror ka mbetur pothuajse gjetiu i zbrazët. Historianët janë kualifikuar në mënyrë të veçantë që ta zënë atë fron, dhe këtë pothuajse kanë zënë ta bëjnë. Ai historian që nuk sheh kurrfarë diskrepance në mes të roleve të tija tjetërfare, i cili është aq artist sa është edhe filozof shoqëror, vetëm ai është i përshtashëm, që tu prijë të tjerëve në drejtim të sinkronizimit të këtyre atributeve dhe ta ndriçojë kësisojë epokën në të cilën jetojmë.
Në literaturën historike shpesh herë është diskutuar për atë se në ç’masë hyn dhe periudha e historisë “më të re”, “bashkëkohore” apo “e sotme”. Është më i thjeshtë dhe më pak kategorik definicioni, të cilin sipas historianit gjermano-amerikan, Hans Rothfels (1891-1976), e propagon shkolla e tij në historiografinë gjermane, sipas së cilës kjo është ”një histori e së kaluarës më të afërt, nëse ajo ndikon drejtpërdrejt në jetën e njerëzve të sotëm”, e ajo “nisë me vitin 1917”, sepse atëbotë përveç Revolucionit të Tetorit ”SHBA-të hyjnë në Luftën Botërore”. Eksperti i ndonjë lëmie të largët të përvojës njerëzore siç është Marc Bloch, mund të disponojë një talent specifik, vetiak për të kuptuarit paralel të së kaluarës së afërt, një pikëpamje kjo që mund të ndizet ngadalë një kohë të gjatë, derisa ndonjë rast i angazhimit individual ta sjellë përnjëherësh deri në njëfar dështimi. Thënë edhe më thjeshtë, megjithëse në esencë më thellë në pyetjen e përmendur më sipër përgjigjet Bloch; me rrëfimin ironik të anekdotës nga ditët e tia të gjimnazit (fillimi i shekullit XIX) për atë se si një “profesor mjaft i moshuar” u kishte folur nxënësve të tij se ajo që kishte ndodhur pas 1830 nuk hyn në histori porse në politikë; Bloch vë në dukje se sot flitet ndryshe, respektivisht se ajo ”që kishte ndodhur prej 1914 apo 1940”, tashmë, sipas asaj çfarë e kishin qëndrimin ndaj historisë së sotme, “i përket sociologjisë” apo “hyn në zhurnalistikë”, me çka vetëm vazhdohet botëkuptimi se historia e sotme nuk hyn në domenin e punës së historianit. Pas mendimeve të tilla me të cilat Bloch polemizonte, fshehet botëkuptimi specifik i “kohës së sotme”, që ngërthen gjithë atë që kishte shërbyer në çfarëdo mënyre si përgaditje e jetës së sotme apo të një brezi njerëzish. Sipas historianit Theodor Schieder (1908-1984), në “njësinë kohore të kohës së sotme”, radhitet gjithë ajo që në njëfarë mënyre është e pranishme në njeriun: jeta e tij, gjithë plotënia e përshtypjeve dhe ngjarjeve që i kishte përjetuar, krejtë përvojat dhe ngjarjet e tia në të cilat kishte marrë pjesë, si dhe gjithë veprat që i kishte kryer. Do të mund të citonim edhe një sërë definicionesh të ngjashme, por edhe shembujtë tashmë të përmendur, dëshmojnë qartazi gjithë specifikën e shtjellimit të historisë së sotme. Sipas epokës në të cilën merrë pjesë edhe si palë edhe si gjyqëtar historiani ka qëndrim tjetër sesa ndaj periudhave të tjera. Zakonisht, këtë e difonojmë si çështje e distancës së nevojshme nga lënda që shtjellohet dhe të çështjeve që i trajton historiani i veprës së tij. Por pikësynimi i kësaj çështjeje të distancës nuk është në simpatinë apo antipatinë personale të historianit, sikundër konstatohet ndonjëherë, qoftë ndaj proceseve historike, qoftë ndaj bartësve të tyre. Simpatia dhe antipatia kësodore ndikojnë për suksesin e punimit të tij, madje edhe përkitazi me çsëthjet që janë bukur larg deri te historia e sotme. E para se gjithash, burimet nuk u zbulojnë asnjëherë hulumtuesve gjithë atë që u nevojitet. Kështu që ndonjë studiues ishte dashur vetëm të rikthej dhe të bartë përmbajtjen e tyre në historiografi, sikundër që thonin metodologët pozitivist. Burimet japin përgjegje jo vetëm ndaj atyre çështjeve të cilave, historiani di t’ju shtroj pyetje për atë se çfarë fshihet në ato. Për një kërkim të tillë ka rëndësi të madhe ajo sesa e njeh historiani periudhën që e hulumton dhe sa e ka të afërt strukturën e saj të brendshme. Për një kërkim të drejtë, po ashtu ka rëndësi edhe njohja e vërtetë e burimeve që i hulomton historiani, përndryshe mund të shtrojë pyetje sekondore dhe, kuptohet të marrë përgjegje të këqija. Gjatë gjithë kësaj nuk ka kurrfarë dallimi me rastin e hulumtimit të çfarëdo epoke, pra periudhës më të largët dhe periudhës bashkëkohore. Në njëfarë mënyre, historiani i kohës bashkëkohore është në pozitë më të mirë sesa historiani i kohërave të kaluara moti. Ndërsa, derisa ky është i detyruar ta ”ringjallë” gjithë botën rreth problematikës që shtjellon në mendimet e tia, historiani që hulumton historinë e sotme gjithë këtë e ka përjetuar intimisht dhe e njeh mbarë ambientin, nëse e kuptojmë ashtu sikundër jemi shprehur. Në mes njërit dhe tjetrit, shfaqet ai dallim, gjatë përdorimit të cilin e përmend historiani, H. Marrou: më lehtë e kuptojmë mikun nëse flasim me te, sesa kur gjejmë në tavolinë porosinë e tij; më lehtë do ta kuptojmë letrën që na ka destinuar neve sesa t’ia kishte shkruar dikujt tjetër dhe gjithësesi më lehtë kuptojmë sesa korrespondencën në mes dy njerëzish me të cilët nuk kemi kurrfarë kontakti.
Në anë tjetër, rreziqet më të mëdha të mungesës së distancës, janë diku tjetër e për të cilat historiani duhet të jetë i vetëdijshëm. Gjatë hulumtimit të periudhave veç e veç nga e kaluara e jonë e largët ka rëndësi të madhe pikëmbështetja,fakti se historiani shtjellon epokat tashmë të kryera historike.Edhe vetë proceset e kryera historike i tregojnë se çka është e rëndësishme nga ajo që e hulumton,apo më pak të rëndësishme si praktikë historike. Historiani i periudhës bashkëkohore nuk disponon këtë kriter sepse atë ende e fsheh ngjarja që nuk është kryer.
Esenca e problematikës të proceseve të pakryera historike qendron gjithësesi në faktin se historia e kohës së tij ndodhët në fund të historisë së gjithëmbarshme, të gjerëtanishme, të cilën historiani duhet ta ketë parasysh. Me këtë gjë njëherit përfitohet karakteri specifik, sepse analiza e së tanishmës, prezentës është e orientuar deomos në ardhmërinë ende johistorike. Një problem tjetër karakteristik i “distancës”, është përfshirë qysh në çështjen e burimeve dhe të karakterit të tyre. Njohja e çdo periudhë të shkuar varet, në esencë, nga dy elemete bazë: Sa “gjurmë” (burime të çfarëdolloji) ka lënë dhe në çfarë mase është i aftë historiani që ato gjurmë t’i përdorë për njohjen e së kaluarës.
Të jesh i vetëdijshëm për këto rreziqe dhe problem që shtrohen para historianit do të thotë se ai do të ketë armën më të rëndësishme për luftë kundër tyre. Por, pikërisht shkaku i gjithë kësaj, lypset theksuar se puna rreth historisë së sotme i imponon historianit kërkesa edhe më të mëdha, apo së paku më të vështira në aspektin e ndershmërisë së tij shkencore dhe kuptimit të kritikës historike. jo që është gjithësesi e kundërt me atë që mendohet zakonisht, respektivisht se për historinë e sotme mund të shkruaj çdokush, jap rëndësinë e veçantë njohjes së metodologjisë të kërkimeve historike. Me rastin e studimit të historisë së sotme, për historianin ka dobi të madhe, nëse gjatë shtjellimit të proceseve të kryera historike ka përftuar njohjen e duhur metodologjike, e cila do t’ia tërheqë vërejtjen për rreziqet lidhur me punën në proceset e pakryera historike dhe teknikën shkencore, pa të cilën është e pamundshme kritika e suksesshme e burimeve. Në kohën tonë vërehet tendenca e cila është deri në masë të përhershme e pranishme edhe ndër ne, se lypset nxitur në radhë të parë studimin e historisë bashkëkohore, moderne, për arsye se për valorizimin e rrugës drejtë ardhmërisë ka rëndësi vetëm kjo, ndërsa periudhat më të hershme, dorën në zemër mund të jenë interesante, por për ardhmërinë nuk kanë kurrfarë rëndësi, ndaj sot kur lypset depërtuar thellë në njohjen, mësimin e historisë së sotme, mund të presim të shtjellohen njëherë në të ardhmen, tendencë kjo e cila tekefundit e dëmton vetë studimin e historive bashkëkohore. Përqafimi i tendencave të tilla ngushton probabilitetin e shkollimit në bazë të proceseve të vjetra, të kryera. Kjo i nevojitet çdo historiani, ndaj edhe atij i cili do t’i përkushtohet kryekëput punës në historinë e sotme. Ndërlidhja e historisë së sotme me periudhat e mëparshme është aq më tepër e arseyshme për shkakun se ky dhjetëmijësh i fundit i zhvillimit njerëzor, ngërthen aq shumë procesesh tashmë të filluara edhe më parë sa që edhe për vetveten e pakuptueshme (“kush konsideron se historiani kontemporan duhet të merret vetëm me historinë e sotme, vepron pothuajse në mënyrë po aq johistorike, dhe kundër historike, si edhe ai që dëshiron ta evitojë historinë”), siç shprehet historiani Schieder, në anën tjetër edhe metodolgjia edhe teknika e hulmtimit të saj, parimisht nuk dallon nga trajtimi i epokave të kaluara, ç’prejse shkresat arkivore janë bërë burimi më i rëndësishëm historik. Struktura e burimeve për historinë më të re ka disa specifika të veta por që ato nuk i humbasin karakteristikat e tyre të qenësishme. Kjo ka aq më shumë rëndësi sepse paraqet një analizë e thelluar e burimeve, është instrumenti kryesor me të cilin historiani sigurohet nga rreziqet që i kanosën gjatë shtjellimit të historisë së sotme. Historia e sotme është për historianin pjesë e zhvillimit të gjithëmbarshëm të njeriut; marrja me historinë e sotme, është një detyrë edhe më e vështirë sepse kërkon orvatje më të mëdha, të veçanta edhe ngase rezultatet, të cilat i arrinë historiani kanë një domethënie më të madhe edhe si pjesë e pandashme e jetës sonë të përditshme.