E kërkonin prej 27 vitesh, Tuzi sot bëhet komunë me të drejta të plota
Sot, e shtunë, 1 Shtator 2018, Tuzi në Mal të Zi do të shpallet komunë. Prej 27 vitesh shqiptarët e Tuzit kërkonin shpalljen komunë, ndaj, për atë që do të jetë një ditë historike, aktivitetet në Tuz kanë nisur që të premten. Deri tani Tuzi funksiononte si Komunë Urbane nën mbikëqyrjen e Podgoricës.
Politikanët shqiptarë pa dallim partiak janë bashkuar dhe dolën së bashku në një konferencë.
Genc Nimanbegu, nënkryetar i Parlamentit të Malit të Zi, tha: “Kjo konferencë është dëshmi e vendosmërisë sonë që kërkesat tona politike t’i jetësojmë”.
“Prej datës 1 shtator 2018, Tuzi me ne fund do te jete komune me te drejta te plota , duke hapur kështu një kapitull te ri ne jetën politike dhe ekonomike te kësaj treve. Komuna e Tuzit përben padyshim arritjen me te madhe te koalicionit “Shqiptaret e vendosur”, dhe ne te ardhmen, po me këtë vendosmëri, do te punojmë edhe për arritjen e qëllimeve te tjera qe u kemi premtuar votuesve. Gëzuar dhe pune te mbare!”, deklaroi Kryetari i Forcës së re Demokratike në Mal të Zi, Nazif Cungu.
Tuzi do të jetë sikur të gjitha komunat tjera në Mal të Zi. Do ta kontrollojë buxhetin e vet për pagesa të të punësuarve në administratë dhe vet do t’i përcaktojë prioritetet në rajonin e Malësisë.
Vitin e kaluar, Parlamenti i Malit të Zi, në një votim historik për shqiptarët, miratoi Ligjin për Organizimin Territorial, me të cilin Tuzi bëhet komunë e pavarur me të drejta të plota vetëqeverisëse. Në votim morën pjesë 42 deputetë, nga 81 që ka Parlamenti, dhe me 42 voto pro Tuzi shpallet Komunë.
Për Tuzin Komunë votuan Partia Demokracia Sociale e Milo Gjukanoviçit, që ka shumicën në Parlament dhe koalicioni i partive shqiptare “Forca” dhe “Alternativa Shqiptare” e “UDSH”.
Në votim nuk ka marrë pjesë opozita serbe dhe koalicioni “Çelsi”, një formacion me disa parti malazeze. Ajo që nuk pritej ishte mosmarrja pjesë në votim e deputetit shqiptar, Dritan Abazoviç, që është pjesë e koalicionit “Çelsi”.
Sipas disa dokumenteve të një kishe lokale katolike, emri Tuzi është përdorur në vitin 1222.
Tuzi ndodhet në veriperëndim të Liqenit të Shkodrës, 10 km nga Podgorica dhe 130 km nga Tirana. Komuna urbane e Tuzit përfshin fshatrat Arrëz, Bardhaj, Bënkaj, Budëz, Camaj, Cemi, Delaj, Dinosha, Dresha,Dushiqi,Gurreci, Helmnica, Koja, Kodërbudani, Ksheva, Llofka, Lekaj, Mileshi i Ulët, Muzheçku, Nabomi, Nënhelmi, Nikmarrashi, Omerbozhaj, Pankali, Pikala, Prifti, Rudina, Selishta, Skorraqi, Spija, Stjepohu, Sukruqi, Shipçaniku, Shtëpia e Rakiqëve, Traboini, Trieshi, Tuzi, Vllana, Vrana dhe Vuksanlekaj.
Sipas regjistrimit të popullsisë së vitit 2011, në këtë vendbanim kanë jetuar 4748 banorë. Struktura nacionale e popullsisë së Tuzit është: 2.383 Shqiptarë, 932 Boshnjakë, 554 Myslimanë, 454 Malazezë, 111 Romë, 13 Serbë, 172 të tjerë, 122 të paidentifikuar, 7 sipas përkatësisë rajonale, gjithsej 4.748.