E zhveshur me violonçel
Artistja provokuese, Keti Bashhysa, vjen “e dehur“ para artdashësve durrsakë. Me një poster joshës ku artistja shfaqet e zhveshur pas violonçelit, instrumentit të saj, aq në harmoni me trupin femëror, Keti Bashhysa ka ngacmuar fantazinë e artdashësve këtë fundjavë. Violonçelistja durrsake u prezantua para publikut të qytetit të saj këtë herë me spektaklin “E dehur” që vjen dy vjet pas spektaklit të parë të titulluar “Një çmenduri”. Ajo guxon sërish duke përcjellë emocion, art dhe adrenalinë te publiku i pranishëm në sallën e teatrit “Aleksandër Moisiu”. E bindur se një koncert i muzikës klasike nuk mund të mbajë gjatë të mbërthyer publikun durrsak, Bashhysa solli për të një ndërthurje të muzikës, kërcimit dhe aktrimit nën konsulencën artistike të Bashkim Hoxhës. Pas këngës “E dehur” që çeli dhe emërtoi krejt spektaklin, Bashhysa interpretoi në violonçel një pjesë të njohur nga kompozitori armen, Aleksandër Arutunian. Virtuoze dhe joshëse teksa luante në violonçel, artistja provoi sërish në fushën e aktrimit, talent të cilin e ka trashëguar nga babai, aktori i teatrit “Aleksandër Moisiu” Hysen Bashhysa. Këtë herë në krah të aktorit Marvin Tafaj, Keti interpretoi një pjesë të dramaturgut amerikan, Nil Simon, për të vijuar me një kërcim burlesque së bashku me koreografin Arian Plaku. Në repertorin e saj u përfshinë dhe pjesë të kompozitorit të mirënjohur të filmave, Hans Zimmer, si dhe interpretimi i letrës së fundit të Gabriel Garsia Marquez, të cilat u duartrokitën gjatë nga artdashësit në sallë.
Nga Vali Qyrfyçi