Edhe në pyllin e policisë ka derra!
ARBEN MANAJ
Ekseset e regjistruara nga qytetarët-gazetarë si në Korçë, kanë një vlerë universale për të faktuar problemet e trashëguara në mentalitet në radhët e Policisë së Shqipërisë, si dhe për të shërbyer si shkak për të korrigjuar dhe për të bërë shembull se si nuk do duhet të jetë polici shqiptar i këtij shekulli.
E shëmtuar, tronditëse, tipike gangsterësh dhe mbi të gjitha e dënueshme ligjërisht dhe administrativisht ishte në tërësi sjellja e policëve të përfshirë në këtë skandal, që shqiptarët nuk e tolerojnë më si europianë.
Do habitesha nëse pas hetimeve të brendshme ose jo, këta efektivë nuk do të ndiqeshin penalisht për këtë dhunë.
Rreziku më i madh në kësi skandalesh është tejpolitizimi dhe tentativa për avantazhe të pamerituara politike apo opozitarizëm fiktiv për fenomene që nuk janë të reja dhe nuk i përkasin vetëm policisë së pas 23 qershorit.
Madje, po të nisesh nga ato të dhëna të dala, mund të ishte mazhoranca që mund ta përdorte politikisht këtë skandal nga CV e autorëve, nëse do të luante atë lojë. Dhe ka bërë mirë që nuk i është futur asaj.
Policia shqiptare është ajo që është dhe ka atë histori që ka, ka atë efektiv të ri e të vjetër dhe po i nënshtrohet prej vitesh e vitesh, reformave që do duan kohë të çojnë në mentalitete perëndimore policimi.
Kush do pretendonte se me një qeveri të re, të majtë a të djathtë, apo ministër të ri, apo shef të ri policie, gjërat do të ndryshonin brenda ditës ose natës e policia shqiptare do kalonte ylberin, ka nevojë të bjerë në tokë.
Personalisht, kam pasur rastin të bisedoj gjatë e gjerë me ministrin Tahiri në Londër për problematikat e policisë dhe rendit në Shqipëri dhe nuk do isha i sinqertë të mos thoja që e vlerësoj vizionin dhe ia mirëkuptoj edhe sfidat, aq sa edhe e vlerësoj si një nga ministrat më të suksesshëm të kësaj qeverie, bashkë me reformatorin Veliaj e ndonjë tjetër.
Thënë kjo, dhe nisur edhe nga përvoja ime në kapacitet profesional, kam një akses thuajse të përditshëm me praktikat e Policisë Metropolitane në Londër apo forcave të tjera policore në Britani, polici që mendoj se është krahasimisht më idealja dhe profesionistja në këtë botë aspak ideale ku jetojmë sot, mendoj se sfida më e madhe e policisë shqiptare mbetet edukimi juridik i radhëve të saj.
Qoftë edhe rasti i Korçës dëshmoi se edhe në “pyllin e Policisë shqiptare nuk është se nuk ka derra”. Andaj rasti nuk duhet përgjithësuar dhe nuk duhen baltosur shumica gjithnjë e më profesioniste e policisë. Bëhet fjalë për një forcë që ka vuajtur nga një formim juridik dhe procedural tejet i mangët, deri në inekzistent.
E them këtë, pasi dihet se Policia ka për tagër të shoqërojë kundërvajtësin në ambientet e paraburgimit të policisë në rast konstatimi të një kundërvajtje, dhe më pas, procedimin e të dyshuarit në bazë të rregullave dhe praktikave juridike të parashikuara nga ligji gjatë hetimit, dhe eventualisht nxjerrjen e të pandehurit, nëse do paditet në dyert e gjykatës që më pas, jep drejtësi ose pafajësi. Dhe kaq!
Brenda kësaj që quaj “kaq”, përfshihet edhe trajtimi dinjitoz dhe me humanizëm i çdo të ndaluari, sipas konventave ndërkombëtare.
Fatkeqësia është se për shkak të kësaj mangësie në formimet juridike ka edhe aksese të atilla, që nxjerrin krye edhe për arsye të tjera; si të qenët me krah të ngrohtë politikisht, apo edhe temperamenteve anarkike të një policie që forcën e sheh te druri dhe jo logjika dhe ligji.
Ndryshe nga ç’shoh nëpër stacionet policore angleze, ku çdo të ndaluari i lexohen të drejtat që gëzon, që nga e drejta për të bërë një telefonatë, pasja e avokatit dezhurn apo privat apo edhe e drejta e leximit të Kodit të Praktikës Policore që është një libër ku merr vesh se cilat janë të drejtat dhe kompetencat e policisë, të arrestuarit dorëzojnë të gjitha sendet personale që mbahen të regjistruara, ndërkohë në rastin e Shqipërisë çuditërisht të ndaluarve shpesh u lihen edhe celularët nëpër dhomat e paraburgimit, duke minuar apriori hetimet.
Ndërkohë që në Britani u hiqen edhe lidhëset e këpucëve që të mos kryejnë vetëvrasje, madje kur u vënë prangat për t’i sjellë në Polici, nëse ka ndonjë shenjë plage, regjistrojnë edhe numrin serial të prangave për çdo hetim apo ankesë nga të paraburgosurit.
E me këta celularë, të ndaluarit edhe tallen dhe sfidojnë Policinë nëpër rrjetet sociale, madje edhe kur u arratisen.
Çuditërisht ka një qasje allasoj në Shqipëri me kushtet që kanë të paraburgosurit dhe të dënuarit, që është atipike me shumë vende të Perëndimit.
Kjo ka habitur edhe zyrtarë shqiptarë të Ministrisë së Drejtësisë kur kam qenë me ta në vizita zyrtare eksperiencash nëpër burgjet britanike.
Përballja mes dy realiteteve dhe kushteve, paradoksalisht ka bërë të mendosh se institucionet e vuajtjeve të dënimit në Shqipëri janë 5 yjesh krahasuar me ato britanike, pasi në Shqipëri të burgosurit kanë që nga telefonat smart dhe internet 24 orësh, e deri te frigoriferët dykatësh e abonimin e Digitalb-it nëpër qeli, gjëra që janë të paimagjinueshme në Britani.
Ndaj edhe del se krimi i organizuar, organizohet nga qelitë shqiptare, me një lehtësi të papërshkrueshme dhe kriminelëve shqiptarë burgjet u duken si vend vakance, e jo një vend, ku duhet të vuajnë dënimin për dëmin shkaktuar shoqërisë e individit e ku do të duhet të riedukoheshin parimisht.
Ndërkohë që ata veçse relaksohen e dalja në shoqëri bën që t’i “marrë malli” për t’u rikthyer nëpër qeli se jetojnë më mirë se jashtë tyre.
Këto janë hallka të ligjzbatimit dhe drejtësisë së sotme shqiptare që na bëjnë të jemi shumë larg praktikave policore të vendeve ku ëndërrojmë të aderojmë.
Aq sa ka përparime në modernizimin dhe respektimin e figurës së policit shqiptar dhe respektin ndaj ligjit, aq sa ka forcim të imazhit dhe profesionalizimit të policëve që do duhet të gëzojë respektin e atyre që u paguajnë rrogat për t’u ndier më të sigurt, aq ka fatkeqësisht dhe shembuj që si në çdo fushë dhe aty ka mospërsosmëri dhe abuzime.
Si të këtilla, ato do të duhet të korrektohen përmes ndëshkimit dhe bërjes shembull si praktika të papranueshme nga ligji dhe vetë shqiptarët e sotëm, të cilët janë më të guximshëm dhe më të përgatitur mendërisht dhe intelektualisht për të mos toleruar eksese, si ato të Korçës apo Kavajës në raport me qytetarët me pafajësi të prezumuar.