Kosove: Edhe një lajm nga Gjykata Kushtetuese
Gjykata kushtetuese e Kosovës do të vazhdoj të ketë në përbërjen e saj tre gjykatësit ndërkombëtarë deri me 31 qershor 2016. Kjo është njoftuar zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë. Ligjërisht me 31 gusht të këtij viti është të dashur të përfundoj mandati i tyre. Vazhdimi i mandatit është bërë me arsyetimin se Kushtetuesja po rrezikohet nga dërguarit politikë.
Ligjërisht në fund të muajit gusht Gjykata Kushtetuese është dashur ta ndryshoj përbërjen e saj. Sipas ligjeve që përmbyllin mbikëqyrjen e pavarësisë, presidentja tashmë është dashur të emëroj tre gjykatës të rinj për të zëvendësuar gjykatësit ndërkombëtarë në strukturën e Kushtetueses, të emëruar nga Zyra Civile Ndërkombëtare (ICO). Megjithatë kjo do të ndodh tek në vitin 2016.
Por, tashmë kur jo më “pavarësia e mbikëqyrur”, por arsyetimi se Kushtetuesja rrezikon të vërshohet nga emisarët politikë që përligjin mandatin e ri të këtyre gjykatësve, kabineti i të parës së vendit “ nuk ka koment”.
Kjo është përgjigja e dhënë e këshilltarit të presidentes Atifete Jahjaga,Arbër Vllahiu, kur është pyetur për mandatin e gjykatësve ndërkombëtarë.
Përgjigje nuk ka dhënë as autoriteti më i lartë i shtetit për interpretimin e Kushtetutës dhe përputhshmërisë së ligjeve.
Zëdhënësi i Kushtetueses, Veton Dula, gjithashtu i ka thënë Radio Kosovës se aktualisht “ hierarkia e Gjykatës Kushtetuese nuk ka ndonjë përgjigje”.
Por, përgjigje ka pasur një autoritet tjetër, Zyra e Bashkimit Evropian dhe ajo e Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian (EUSR) në Kosovë.
“Mandati i tre gjykatësve ndërkombëtarë të Gjykatës Kushtetuese është zgjatur pas shkëmbimit të letrave mes presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton. Ky mandat do të jetë deri në qershor 2016″, thuhet në përgjigjet e Zyrës së BE-së/ EUSR në Kosovë për Radio Kosovën.
Në këtë proces një muaj më herët amerikanit Robert Carolan, J.D, portugezit Almiro Rodrigues dhe bullgares Snezhana Botusharova-Doicheva u ishte thënë që kontratat e tyre nuk skadojnë me 31 gusht.
Kabineti i presidentes dhe Gjykata Kushtetuese vazhdojnë të heshtin edhe rreth procedurave që do të ndiqen për mënyrën e zëvendësimit të tyre në rast se ndonjëri nga ata jep dorëheqje apo për arsye tjera nuk mund ta vazhdoj detyrën.
Para se presidentja e vendit të kërkonte nga Bashkimi Evropian themelimin e Gjykatës Speciale, kreu i Kushtetueses, Enver Hasani i kishte dërguar një letër direkt Bashkimit Evropian, ku ishte kërkuar që Gjykata Kushtetuese e Kosovës të mos mbetet pa prezencë ndërkombëtare, për shkak të ndikimeve politike.
Kjo përkundër faktit se tashmë është në fuqi infrastruktura ligjore që ka përmbyll pavarësinë e mbikëqyrur, pjesë e së cilës ishte edhe mandati i gjykatësve të Kushtetues të emëruar nga Zyra Civile Ndërkombëtare (ICO) në vitin 2008.
Arsim Bajrami deputet i Kuvendit të Kosovës, që ka marrë pjesë në hartimin e Kushtetutës vazhdon ta konsideroj këtë si shkelje kushtetuese të të dyja palëve, kreut të Kushtetueses dhe presidentes së vendit.
Megjithatë akoma pa përfunduar procedura për zgjatje mandati një gjykatës vendor i Kushtetueses që nga qershori nuk është pjesë e shqyrtimit të rasteve. Kjo për shkak të procedurave që po ndiqen ndaj tij, pas pjesëmarrjes në një tubim zgjedhor të një subjekti politik.
Sidoqoftë edhe për dy vite të tjera Gjykata Kushtetuese nuk do të jetë institucioni, ku sipas ligjeve në fuqi, gjykatës i saj mund të jetë vetëm personi që ka shtetësinë e Kosovës.