“Edhe Rusia me Ukrainën, apo SHBA me Iranin që janë në luftë bëjnë negociata! ‘Flamingot’ refuzojnë!”
Juristi Kreshnik Spahiu është shprehur se protestuesit po bëjnë një gabim taktik që nuk pranojnë të ulen në negociata me kryeministrin Edi Rama.
Komentet Spahiu i bëri përmes një lidhje për emisionin ‘Studio Live’ me gazetarin Ermal Qori në Report Tv, ku tha se protestuesit do të korrnin sukses pa hyrë në negociata me Ramën, vetëm nëse do të kishin gjithë faktorin ndërkombëtar krah tyre.
Më tej Spahiu tha se edhe në luftërat më të egra, si ajo mes Rusisë e Ukrainës, apo SHBA-së dhe Iranit, lihet gjithmonë një derë e hapur për negociata.
Sipas Spahiut, pjesa pozitive e protestës është që ka ndërgjegjësuar qytetarët që të dalin kundër kryeministrit Edi Rama dhe kryedemokratit Sali Berisha.
“Pjesa pozitive dhe negative e kësaj proteste është vetëm një. Që protestuesit sipas bindjes së tyre, të lodhur nga një pushtet i tejzgjatur në Shqipëri, i kanë hyrë disa kërkesave radikale të panegociueshme që janë ‘shpërndarja e Parlamentit’, ‘qeveri teknike’, ‘dorëheqja e kryeministrit’ dhe mbyllja e gjithë shtigjeve për establishmentin e vjetër. Tani pjesa pozitive është që tani, më së fundmi, pas shumë vitesh, ku nëse 20 vite më parë kërkohej arrestimi i Ramës dhe Berishës, ne mund të mblidhnim shumë pak njerëz. Sot populli është ndërgjegjësuar. Dhe kjo është një pjesë shumë pozitive.
Por është edhe pjesa më negative për një arsye të thjeshtë. Sepse duke qenë se kanë mbyllur çdo lloj negociate, kur hyn në një luftë politike apo ushtarake, fundi i saj është ose dështimi i plotë, ose fitore e plotë. Edhe në luftërat me të egra lihet një derë për negociata. Zelensky del edhe shpesh herë kërkon takim me Putin. Trump bëri negociatë me Talebanët. SHBA bëri marrëveshje me Iranin. Hamasi bëri marrëveshje me Izraelin. Tani del një grup rinor, të shkolluar, Gjenerata Z dhe thonë s’ka asnjë lloj negociate.
Mos harrojmë një gjë, Berisha i ka marrë protestën studentëve dhe e materializoi në parti politike të vetën. Tani imagjinoni Berisha apo Rama pas 35 vitesh, ata nuk janë më individë, por janë sistem. Ata të dy mund të bëhen bashkë dhe të çmontojnë, derisa të degradojë gjithë lëvizja. Zgjedhjet e ardhshme do të jenë më të tmerrshmet në histori, sepse Rama dhe Berisha janë trembur dhe do bëjnë çmos për votat. Këta mund të kishin shpresë që të korrnin sukses pa negociata, nëse ndërkombëtarët do ishin me ta dhe do kërkonin largimin e Ramës dhe Berishës”, shtoi Spahiu.
Mbrëmjen e sotme në Tiranë po zhvillohet protesta e 30-të e qytetarëve para godinës së Kryeministrisë, ku kërkohet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama.
Protestuesit kanë dalë edhe me dy platforma të veçanta, një e paraqitur nga Dritan Goxhaj dhe një nga Edviol Kulluri, ku kanë paraqitur kërkesat dhe objektivat e protestës.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.