Kryeartikull

Edi Rama i bën varrin inferioritetit shekullor shqiptar në Beograd

Dje Edi Rama ka qenë hero mediatik botëror. Shpërthimi i shkëlqimit të tij ndodhi në Beograd, atje ku, sikurse edhe në mbarë Serbinë, shqiptari përgjatë një shekulli të rëndë e të përgjakshëm ka qenë vetëm i tillë çfarë edhe mund të ishte dhe asgjë tjetër : hamall, njeri me samar, bartës qymyri, ngarkues-shkarkues, sharraxhi, punëtor krahu, pastrues rrugësh, me një fjalë, vetëm rrogtar dhe vetëm i përbuzur.rama_vucic

Nga Salih Kabashi

Në Beograd nga 1945, përgjatë 55 vitesh ka qëndruar një elitë politike komuniste shqiptarësh nga Kosova e Maqedonia, edhe ajo e strukur, e shantazhuar, e trembur e veshëprerë, e ndërgjegjshme, prandaj edhe e pazëshme, ngaqë e dinte se cili ishte s l u g a (shërbëtori), ai vetë, e kush ishte g o s p o d a r (sundimtari).

Diferenca zhvillimore mes shqiptarësh e serbësh ka qenë e dukshme. Epërsia kulturo-arsimore dhe ekonomiko-politike e serbëve mbi shqiptarët ka qenë gjithmonë diçka që mund të vihej re qartas. Politika serbe, kolonialiste dhe shtypëse në esencën e saj, edhe vepronte në ngeljen sa më mbrapa të shqiptarëve, pra edhe në thellimin e dallimeve në zhvillim.

Serbët kanë një cikël jashtëzakonisht të gjerë të humorit racist jo vetëm gojor në llogari të shqiptarëve. Atje shqiptarët vihen në shpoti e tallje: si të trashë, të papastër, primitiv, si trima të paqenë, seksualisht të mbingarkuar, njerëz ku secili ka bisht…

Problemet me shqiptarët Serbia gjithmonë i ka bë asgjë. Ajo kishte pushtetin, ushtrinë, policinë, drejtonte UDB-në më parë OZNA-n. Këto dy të fundit vranë në periudhën 1944-1946 mbi 45 mijë shqiptarë. Mijëra të tjerë i burgosi, i terrorizoi… Të tjerëve ua futi frikën në palcë. I nënshtroi duke i shtrënguar që të pajtohen me pozitën e të robëruarve.

Kishte një shprehje: Ruana Zot nga zjarri e nga uji ! Frika dhe përvoja e shqiptarëve me barbarinë serbe e modifikoi atë fjalë të urtë : Na ruaj Zot prej ujit, zjarrit e shkaut… Gjenerata të tëra shqiptarësh lindën, u rritën dhe vdiqën me frikën e të ligës që mund t’i vinte në çdo çast nga Serbia e nga serbët.

Një periudhë kaq e gjatë e rrojtjes me frikën te një shoqëri e te një komb s’ka se si të mos shkaktojë trauma dhe s’ka si të mos ngulit ndjenja kolektive inferioriteti. Po, shqiptarët përgjithësisht ishin të dobëtit karshi serbëve.

Edhe gandizmi dhjetëvjeçar shqiptar në ish-Jugosllavi nuk ishte gjë tjetër pos shfaqje e e frikës nga serbi i hatashëm… Vetë Ibrahim Rugova e thoshte se Serbia në rast të provokimit apo të ndonjë preteksti sado të vogël do të mund të na vriste të gjithëve pa kaluar njëzetë e katër orë…

Ka xhirime e fotografi të viteve ’90 të shekullit të kaluar ku shihen politikanë shqiptarë në vizitë në Beograd, ndër to edhe foto nga vizita e 15 majit 1998 e Mahmut Bakallit, Fehmi Aganit, Veton Surroit e Ibrahim Rugovës (G5) te Millosheviqi.

Fotografitë nuk mund të fshehin frikën, inferioritetin, kompleksin e të brishtit dhe për pasojë edhe fascinimin me gospodarin e Beli Dvorit.

Sikur mos të ndodhte lufta e UÇK-së dhe intervenimi i NATO-s, procesi i shndrrimit të shqiptarëve në lepuj tashmë do të kishte përfunduar…

Por, ra lufta, ndodhi martirizimi i familjes së Shaban Jasharit në Prekaz, ndodhi Reçaku, ndodhën disa aksione të suksesshme të UÇK-së, filloi ndërhyrja ajrore mbi forcat serbe dhe bashkë me kthimin e të ikurve nisi të kthehej në doza të vogla besimi në vetveten si dhe çlirimi i ngadaltë i shqiptarëve nga kompleksi i vlerës së ultë në raport me Serbinë si dhe i frikës së përhershme nga kjo.

Bisedimet e Qeverisë së Kosovës me Serbinë në Bruksel do të kishin mundur ta shtonin edhe pak vetëbesimin, por aty Serbisë iu bënë jo pak lëshime të cilat sikur tregonin se kush, Kosova apo Serbia po mbetej më e fortë, më e shkathtë, më inteligjente.

Ndeshja futbollistike e 14 tetorit në Beograd në mes Serbisë dhe Shqipërisë, kur droni me flamurin shqiptar, një performim gjenial i tifozëve kuq e zi, la me sy hapur stadiumin etnikisht të pastër serb, i cili kur u shfaq hataja sipër fushës ishte ende nën çmendurinë e thirrjeve çetnike për të vrarë e prerë shqiptarë. Dihet pastaj : të dyja kombet (jo vetëm futbollistike), kaluan në gjendje të ndryshme emocionale. Serbët të tërbuar për, siç thonin, provokimin politik e nacionalist shqiptaromadh, ndërsa kuqezinjtë të ekzaltuar sa nga shfaqja e « aviacionit shqiptar » mbi qiellin e Beogradit, aq më shumë me luftën si të luanëve të lojtarëve të kombëtares në mbrojtje të flamurit nacional dhe me përleshjen e tyre fyt më fyt me tifozë tejet agresivë serbë.

Serbët, edhe nga niveli më i lartë shtetëror shfrytëzuan rastin që të shpalosnin teoritë e tyre të pashtershme të komploteve antiserbe dhe të shprehnin, prirë nga Nikoliq e Vuçiq, racizmin antishqiptar. Orientimet e proklamuara demokratike, evropiane dhe perëndimore, saora u harruan. Fjalori shovenist i një kohe që kishte shkaktuar aq gjak e aq mjerim u riaktivizua. Serbia prap hapi frontin e vjetër kundër armikes së saj të vjetër – Shqipërisë. Dhe kundër Kosovës natyrisht.

Në kohën kur bateritë e patriotizmit jo vetëm sportiv gjithëshqiptar po mbusheshin, vizita e paraparë e Edi Ramës në Beograd po dukej e pasigurt. Ndërkohë kryeministrit shqiptar nuk i ngutej për askund…

Le të komentoj vizitën e djeshme të Edi Ramës në Beograd me zhargon sportiv :

Edi Rama pati një match me kryeministrin serb Aleksandar Vuçiq. Ndeshja u zhvillua para një publiku të madh në numër. I sigurtë në fitoren mbi serbin, Edi me një propozim të tijin i krijoi favor homologut të tij duke i lejuar që ky ta thërriste në ndihmë edhe presidentin serb Nikoliqin Bile Edi Rama njëherit iu lypi mejdan gjithë editokratëve serbë të tri dekadave të fundit. Le të vijnë këtu në sheshbetejë edhe flokthinjurit e Akademisë Serbe të Shkencave, rrahu gjoks Edi Rama…
Ndeshja megjithatë u zhvillua vetëm në mes Ramës dhe Vuçiqit. Të tjerët s’u bënë gjallë. Kryeministri i ri serb pagoi haraçin edhe për të gjithë kryeministrat serbë nga Nikolla Pashiqi deri te vetja e tij. Pagoi edhe për Naçertaninë e Memorandumin. Pagoi për gjithë përbuzjen e nënçmimin e shqiptarëve.
Edi Rama ishte superior. Vuçiqi u turpërua. Nëse ka ndodhur dikund një lojë mes macës e minit, atëherë ajo dje është zhvilluar në Beograd. Në Serbi. Edi e solli vërdallë, e tërboi, e bëri qesharak para publikut të tij, e bëri për pesë para. Kjo ndeshje do të mbahet mend gjatë, shumë vite e dekada. Rama shënoi nga çdo pozicion.

P. S: Kryeministri i Shqipërisë ishte evropiani më i madh që ka vizituar ndonjëherë Beogradin. Më i kultivuari. Ishte burrështetasi që kishte orë. Të cilit i kishte peshë fjala. I cili nuk njihte nënshtrimin dhe inferioritetin karakteristik të bashkëkombasve të tij jo vetëm nga Kosova. Edi Rama shkëlqeu aty ku, për shumë dekada, nuk ka mundur të shkëlqejë gati asnjë shqiptar. Ai që arrin të fitojë në Beograd, rrugën për në Evropë e ka të hapur.

Related Articles

Nje koment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button