Edmond Tupja: Nuk përkthej dot, nëse nuk vuaj…
“Përkthimi për mua është vuajtje. Nëse nuk është i tillë, atëherë nuk e ndjej”. Edmond Tupja një nga emrat e njohur të shqipërimit,u shpreh kështu në bisedën e radhës së takimeve “Letërsia dhe Qyteti”.
Ka gjithnjë një histori në lidhje me shkrimin. Tek ty si ndodhi?
Eshtë një pyetje që mund të ketë shumë përgjigje. Do përpiqem të them atë që ndjej, më tepër sesa atë që di. Ka arsye subjektive dhe objective pse unë shkruaj. Besoj se shkrimi është cështje geni, ka një dhunti diku. Disa e quajnë një orvatje të dëshpëruar për të plotësuar një boshllëk. Por nga im atë e pata këtë shkëndi. Ai ishte gazetar, shkruante, ka botuar dy libra me kujtime të kohës së luftës, por nuk mundi të shkruante më tepër për shumë arsye. Pastaj është dëshira për të thënë diçka. Duhet të kesh një impuls të madh për të shkruar, por një filozof thotë që edhe ky impuls nuk mjafton, nëse nuk ke diçka për të thënë, qoftë edhe në mënyrë të tërthortë. Unë me shkrimin kam një marrëdhënie shumë të lashtë. Kur nisa të lexoj, sidomos përralla, diku në klasë të dytë të tretë, mbaj mënd disa përralla ruse, pastaj lexova “Vëllezërit Grim”. Fillova të shkruaja duke imituar atë që lexoja dhe I shkruaja sipas mënyrës sime. Mësuese Karolina, në klasë të katërt më dha zemër të vazhdoja. Ndihesha mirë kur shkruaja, në mënyrë të turburllt por ndihesha mirë, pasi fizikisht isha I ngathët. Në gjimnaz kur bëja orën e fiskulturës isha tek 10 të fundit nga 30 vetat që ishim në klasë. Mangësitë që ndjeja ndaj fizikut përpiqesha ti zhilloja përmes të shkruarit. Këtë e mendoj sot kur vetëanalizoj veten, por në atë kohë I bëja në mënyrë instiktive. Për shumë veta isha I çuditshëm në atë kohë. Më quanin peshkop, djalë mamaje, donkishot… Një tipar që nuk më është ndarë gjithë jetën ishte që në provime nuk kisha emocion, isha akull I ftohtë.
E kujton gjënë e parë që ke shkruar?
Kanë qënë përralla, me princër, me mbretër…
Dëshira për përkthimin kur ju lindi?
Nëse ne në vazhdën e Marsel Prustit themi se vepra artistike është një përkthim. Piktori muzikanti, shkrimtari frymëzohen e përkthejnë atë gjë që kanë brënda, duke e materializuar. Dëshira për përkthimin ka ardhur vonë. Kur nisa të mësoja frëngjishten në shkollë me profesor Mahmut Dobratin, ishte një poezi në frëngjisht ku flitej për vjeshtën e një lis që po e përpinin gjethet. Isha në vit të dytë gjimnaz dhe unë e përktheva këtë poezi. Ky ishte përkthimi im I parë. Më pas nisa të botoj prozë e poezi në gazetën “Zëri I rinisë”, ku kishte një faqe letrare. Ndërsa përkthimi I parë kanë qënë disa novela kur shkova student në Francë. Në atë kohë ishte çensura dhe autorët që zgjidhja duhet të ishin brënda kornizave të kohës.
Si ka qënë rinia juaj?
Franca do të hapte një dritare të madhe tek unë. Lexova shumë autorë ndonëse isha I indroktrinuar me pikëpamje marksiste leniniste, si gjithë rinia shqiptare në atë kohë, ishim anëtarë të Bashkimit të Rinisë së Punës së Shqipërisë. Në rini kam qënë tip I frenuar. Nuk më pëlqente vetja, çka vazhdon edhe sot e kësaj dite. Kur kam dëgjuar zërin tim për herë të parë , zëri im smë ka pëlqyer. Të gjitha këto frenime, e flustrime bënë që unë të gjej një strehë të sigurt tek të shkruarit. Shkruaja por ditar nuk kam mbajtur. Artit të shkruarit I jam rikthyer pas leximit të filozofëve. Arti është si valvula e sigurisë, diku do dali gjithë ajo energji. Më kujtohet që në vit të dytë në gjimnaz I shkrova një letër një vajze, pasi në atë kohë nuk kishte sms. Në atë kohë kisha lexuar Eugenio Onjeginin, letrën e njohur të Tatianës. Letrën ia çova përmes një shoku të klasës. Por të nesërmen pas letrës ajo nuk më foli fare. Ky ishte dështimi I parë që pata në jetën sentimentale kur isha në gjimnaz, e kjo I shtohet të gjitha atyre mungesave që I mbaja fshehur. Nuk e kompesoja me sport edhe pse bwja shumw ushtrime… Meqë të shkruaja atë që doja nuk mundesha për shkak të çensurës, gjeta strehim tek përkthimi.
Cili është libri I parë që keni përkthyer?
“Në vendin e 100 mijë dëshirave”, nga Andre Moryas, pasi kisha nisur të punoja si përkthyes.
Fakti që Andre ishte një shkrimtar dhe filozof njëkohësisht me atë çfarë shkruan, a nuk parashtruan rrugën tënde drejt filozofisë?
Jo, mendoj se ishte Franca ajo që më çoi drejt kësaj qasje. Libri tregon historinë e një vajze që kishte shumë iluzione biblike… Brikena Cabej më kërkoi ta përktheja dhe unë e përktheva. Ky ishte libri I parë që përktheva, pastaj kur ra diktatura përktheva papushim…
Keni bërë shumë përkthime këto kohë, nga frëngjishtja në shqip, por edhe anasjelltas. Cfarë është më e vështirë për ju?
Në të dyja format përkthimi është I vështirë. Por të përkthesh në një gjuhë që nuk është e nënës tënde, është e vështirë, pasi duhet të kesh jetuar në atë vend.
Cilët kanë qënë mentorët e tu të përkthimit?
Vedat Kokona dhe Jusuf Vrioni. Vedat Kokona ishte një përkthyes drejt shqipes, ai ishte leksikograf, polemist. Librin e parë ai e ka botuar kur ishte 21 vjeç. Ne ishim kolegë në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja dhe diskutonim bashkë për përkthimin, madje njëhërë morëm një poemë të Bodlerit, I cili në atë kohë ishte një poet dekadent e bëmë një garë. Do ta përkthenim të dy e do të krahasonim përkthimin.Kokona më sensibilizojë në fushën e përkthimit letrar në vargje. Ai bëri fjalorin e parë shqip –frëngjisht, pastaj anasjelltas dhe në diskutonim bashkë shpesh. Ishte ai që më orientoi drejt përkthimit dhe leksikografisë, botimit të fjalorëve. Më pas, pas pesë viteve punë në Fakultet, ashtu siçishte dhe koha unë dërgohem në Gramsh. Ishte ligji I kohës, që ata që kishin studiuar jashtë, pas një periudhe dërgoheshin diku tjetër për të luftuar tek vetëvetja prirjen për tu borgjezuar… Këto mund të duken gjëra të çuditshme sot, pasi tek ne nuk punohet ara e kujtesës ashtu siç ndodh në shumë vënde të botës. Në kushtet e një censure, ku cdo krijim mund të kushtonte më mirë ishte të përktheje, pasi përkthimin nuk e vendosje ti, por shtëpia botuese… Kështu përfundova në Gramsh 3 vjet si mësues fshati.
Si ishin vitet e tua në Gramsh?
Në Gramsh në atë periudhë kishte shumë nga ata që quheshin të qarkulluar, inxhinjer, pedagog, nga të gjitha profesionet. Na duhet të tregoheshim shumë të matur, pasi në Gramsh kishte njerëz që ishin me damkën e kulakut. Në Gramsh kam lexuar pafund, të gjitha çkishte bibloteka e qytetit. Nuk kam shkruar asnjë, vetëm kam lexuar. Ishte viti 1976 kur shkova atje. Pikërisht në atë kohë kur isha atje filloi Enver Hoxha të shkruante librat e tij, e njëkohësisht filloi përkthimi I tyre. Jusuf Vrioni ishte redaktor I këtyre përkthimeve, dhe sugjeron emrin tim si pjesë të ekipit të punës për përkthimin e veprave.
E kështu u shkëputa nga Gramshi për tiu përkushtuar me kohë të plotë përkthimit të veprave të Enver Hoxhës. Përkthimi I këtyre veprave pavarësisht kontekstit ka qënë një shkollë e vërtetë.
Megjithatë shkolla e vërtetë e përkthimit për ju ka filluar pas viteve 90-të, me autorë të rëndësishëm…Më lejo t’ju përmënd dy autorë “Kur dashuronte Suani”, Marsel Prust, dhe “Fjalët”, Zhan Pol Sartri…
Kur ra diktatura I pari që krijoi një shtëpi botuese ishte Rexhep Hida I shtëpisë botuese Fan Noli. Ai më dha një libër të Cvajg. Dihet që Cvajg është gjerman, dhe meqë nuk po gjenin dot një përkthyes në këtë gjuhë, ma jep librin mua ta përktheja nga frëngjishtja. Eshtë hera e parë dhe e fundit që unë përktheva një libër nga një gjuhë e dytë. Më pas Hida, më jep të përktheja “Kur dashuronte Suani” nga Prust. Ky është botimi I parë. Ishin përkthime të vështira, por me sa duket tek çdo përkthyes që ka kërkesa ndaj vetes, e tek cdo shkrimtar ka një dozë mazoizmi, kënaqësia ndaj vuajtjes. Dhe unë e kam këtë gjë, ashtu sic e kishte dhe Jusuf Vrioni, nuk kënaqemi me përkthime të lehta që mund ti bëjmë shumë shpejt. Unë dua të luftoj me fjalët, me shprehjet me frazologjinë, dua të vuaj. Arti për mua është një sfidë.
Alda Bardhyli, Beti Njuma