Te ndryshme

Edward Snowden përjetësohet në bust – por vetëm për dy orë

Debat

Një grup artistësh amerikanë ka vendosur në një park publik të Nju Jorkut një statujë të “bilbilfryrësit” më të famshëm aktualisht në botë, i cili u zbulua nga vetë rojat e parkut, që më pas e kanë çmontuar tërësisht duke e shkulur atë vendit

Një grup artistësh amerikanë ka vendosur në një park publik të Nju Jorkut një statujë të “bilbilfryrësit” – siç njihet në anglisht tashmë prej kohësh emërtimi për spiunët –  Edward Snowden, i cili u zbulua nga vetë rojat e parkut, që më pas e kanë çmontuar tërësisht duke e shkulur atë vendit.

Amerikania “USA TODAY” raporton se artistët në fjalë të cilët e kishin mbjellë skulpturën me peshë prej rreth 45 kilogramësh gjatë natës duke u gdhirë e hënë (sipas orës lokale) pa leje në bazamentin e një statuje tjetër që është ngritur aty për të përkujtuar ushtarët amerikanë të rënë gjatë luftës për pavarësi ( në vitet 1775-1783) në një park në lagjen e Brooklyn-it.

Ideja në fjalë u erdhi disa aktivistëve vendas, të cilët shpesh kanë ndërmarrë edhe gjatë vitit të shkuar të tilla aksione të bujshme “ekstra-artistike” me jehonë të gjerë publike.

Me këtë akt ata duan të sjellin në vëmendjen e njerëzve, faktin se sa e rrezikuar është siguria e tyre në luftë kundër formave moderne të tiranisë”, thuhej në një njoftim që citohej nga faqja kulturore në ueb, “Animal New York”.

Artistët lejuan “Animal New York” të kryente instalimin e veprës nën kushtin që identiteti i tyre të mbesë i fshehtë. Në një deklaratë, autorët e veprës thoshin se busti i Snowden-it, u projektua për të ngritur lart viktimizimin e tij “në luftë kundër diktaturave moderne”.

“Do të ishte një turp të mos e përkujtonim e mos e përjetësonim këtë njeri, dhe të mos i mbronim ata, të cilët luftuan për këto ideale, siç është edhe Edward Snowden. Shpesh ka ndodhur që personalitete, të cilët luftojnë për t’i bërë realitet të tilla ideale, të trajtohen si kriminelë, në vend që t’ua derdhin fytyrat në bronz”, thuhej më tej në deklaratën e tyre.

Qëndrim i shkurtër në lavdi

Por vetëm pas pak orëve, plastika 122 centimetra e madhe, u zbulua sidoqoftë nga Departamenti i Parqeve Publike dhe Rekreacionit të qytetit të Nju Jorkut dhe u hoq prej aty të hënën në mbrëmje. Snowden, siç dihet ka nxjerrë në dritë shumë dokumente sekrete të Agjencisë Amerikane të Sigurisë Kombëtare, NSA e të CIA-s.

31-vjeçari momentalisht ndodhet në Rusi, për t’iu shmangur një dënimi nga autoritetet amerikane. Qëndrimi i tij i mëtejshëm në Moskë, është një temë e ethshme diskutimi, por aktualisht ai posedon një lejeqëndrimi me afat trevjeçar për të vijuar të jetojë e punojë në “perandorinë” e Putinit.

Pikërisht ky fakt për shumë amerikanë ia ka zbehur atij “veprën”, e cila për shumë të tjerë vijon të konsiderohet si shumë pozitive dhe kontributi i tij tashmë të vihet në dyshim, duke e katapultuar shpesh edhe si spiun të Kremlinit, fakt të cilin ai e ka hedhur poshtë.

Çështja “Snowden” ka njohur edhe shumë zigzage përgjatë këtyre dy vjetëve të fundit, qëkurse shpërtheu në vitin 2013, duke bërë që të përfliten edhe alternativa të tjera më të buta, sipas të cilave ai mund të vetëofrohej për drejtësinë amerikane në këmbim të një amnistie, por duket se punët janë komplikuar dhe autoritetet amerikane e kanë paralajmëruar Snowden-in dhe avokatët e tij se në çdo rast që ai mund të shkelte sërish në SHBA, nuk do të shpëtonte dot nga dënimi.

Kur nisi historia?

Më 20 maj 2013, Snowden u arratis nga Hawaii për në Hong-Kong, ku në fillim të qershorit ai zbuloi një sërë dokumentesh të klasifikuara të NSA-së për gazetarët Glenn Greenwald dhe Laura Poitras, të cilët kishin udhëtuar drejt Hong-Kongut pikërisht për atë qëllim. Më 9 qershor, katër ditë pas publikimit të dokumenteve të para në shtyp që përmbanin sekrete të NSA-së, bazuar në punën e Snowden-it, ai e bëri publik identitetin e tij.

Më 14 qershor, Departamenti Amerikan i Drejtësisë, e akuzoi Eduard Snowden për shkeljen e “Aktit të Spiunazhit” dhe vjedhjen e pronësisë qeveritare amerikane, akte që ndëshkohen deri në 30 vjet burg.

Departamenti Amerikan i Shtetit ia revokoi pasaportën amerikane më pas më 22 qershor 2013. Sipas Presidentit rus, Vladimir Putin, Snowden u takua me diplomatët rusë në kohën që ishte në Hong-Kong.

Më 23 qershor, Snowden më vonë tha se ai kishte prerë një biletë për të shkuar nëpërmjet Havanës në Kuba, drejt aeroportit të Moskës, “Sheremetjevo”. Mediat amerikane raportuan më pas se Snowden “nuk mund të hynte dot në Rusi, sepse nuk posedonte një vizë ruse dhe se gjithashtu nuk mund të udhëtonte i sigurt në Amerikën Latine, pasi SHBA ia kishin anuluar atij pasaportën pak ditë më parë”.

Snowden mbeti si pasojë në një zonë aeroportuale tranzitore për plot 39 ditë, gjatë të cilave ai kishte aplikuar për azil në 21 vende. Më 1 gusht 2013, autoritetet ruse i siguruan atij një azil të përkohshëm njëvjeçar. Një vit më vonë, Rusia i siguroi Snowden-it një lejeqëndrim trevjeçar, duke e lejuar atë të udhëtojë i lirë brenda dhe jashtë vendit për periudha jo më të mëdha se tremujore.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button