Ekonomia

Efektet e TAP në ekonominë shqiptare, si do rinegociohet marrëveshja

Janë rreth 1.5 miliardë euro që pritet të injektohen gjithsej në 6 vjet në ekonominë shqiptare nga ndërtimi i gazsjellësit Trans Adriatic Pipeline (TAP) që do të transportojë gaz nga fushat e Shah Deniz drejt Europës, për të ulur varësinë nga Rusia.

Në një intervistë për revistën ekonomike “Monitor”, menaxheri për Shqipërinë i TAP, Shkëlqim Bozgo, ka dhënë detaje mbi atë se çfarë po përfiton ekonomia shqiptare dhe si po shkojnë negociatat për rishikimin e marrëveshjes.

Fundi i shkurtit 2012, ishte koha kur qeveria shqiptare do të ishte e para që do të shpallte publikisht aprovimin për projektin Trans Adriatic Pipeline, edhe pse konsorciumi propozues ishte ende në negociata me Azerbajxhanin dhe partnerët e tjerë për të vendosur për atë që do të ishte rruga më e mirë për të transportuar gazin që ata do të nxirrnin nga viti 2020 e në vazhdimësi.

Shqipëria është një vend me një traditë të hershme në zbulimin e depozitave të gazit, që në vitin 1928, në Fier. Zhvillimi i këtij sektori ndër vite ka siguruar të ardhura, që ishin më shumë përfitime për klasën që qeveriste. Historia do të vazhdonte edhe në vitet më pas.

Në këtë kontekst, TAP u bë ‘ëndrra’ pas së cilës, Shqipëria dhe qeveritë e saj do të kapeshin fort. Jo rastësisht, vendi ynë ishte i pari që nënshkroi marrëveshjen e vendit pritës (HGA) në vitin 2013. Shqipëria vendosi të presë një nga investimet më të rëndësishme dhe më të mëdha.

Të qenët pjesë e këtij projekti nuk nënkupton vetëm të shërbyerit si një “urë” për Europën, por edhe mundësi për t’u dhënë zgjidhje shumë problemeve, siç është sigurimi i burimeve alternative energjetike. Me ndërtimin e TAP, gjatë tre viteve të ardhshme parashikohet që PBB-ja e Shqipërisë pritet të rritet me rreth 160 milionë euro.

Ndikimin më të lartë, projekti pritet ta ketë në vitin 2017, ku parashikohet të gjenerohen të ardhura në rreth 57 milionë euro, ndërsa do të hapen 4,200 vende pune (të pjesshme dhe me kohë të plotë). Tri do të jenë aspektet kryesore ku TAP të japë edhe kontributin më të madh: në PBB, në punësim dhe në të ardhurat nga taksat.

Ndikimi do të jetë direkt (nga TAP AG), indirekt (aktiviteti nënkontraktues, si dhe shpenzimet e atyre që do të angazhohen në këtë projekt. Faza e ndërtimit do të gjenerojë rreth 157 milionë euro mesatarisht në vit. Natyrisht, përveç këtyre përfitimeve, do të ketë edhe efekte zinxhir.

Parashikohet që ndikimi i projektit do të vazhdojë për një periudhë 50-vjeçare. Institucionet ndërkombëtare, si Banka Botërore e Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim kanë parashikuar rritje pozitive në rreth 3-3.3% të ekonomisë, shifër e cila i atribuohet edhe ndërtimit të këtij gazsjellësi.

Në anën tjetër, duhet të përmenden edhe përfitimet në aspektin gjeopolitik. TAP, por edhe IAP, e vendos Shqipërinë në një pozicion të favorshëm, duke e konsideruar një pikë kyçe në furnizimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button