Kryeartikull

Ekonomia informale dhe zhvillimi ekonomik

Nga Klodian Muço 

Kriza ekonomike, papunësia e lartë dhe rënia e ritmit të investimeve po vështirësojnë zhvillimin ekonomik të vendit.

Nëse shumë qeveri në botë tentojnë të stimulojnë zhvillimin me anë të politikave Keynesiane si mbështetjen e konsumit dhe investimeve me anë të uljes së taksave direkte; rritjen e shpenzimeve publike për të mbështetur kërkesën agregate; me anë të reformave strukturore dhe ndërhyrjes së shtetit në ekonomi duke pasur si objektiv primar pasjen nën kontroll të llogarive publike pasi tregu, sipas tyre, auto-rregullohet.

Në Shqipëri, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes ka vendosur të fitojë sfidën ndaj krizës ekonomike me anë të luftës ndaj ekonomisë informale.

Për të analizuar ndikimin e mundshëm që mund të ketë lufta ndaj informalitetit do doja të filloja nga përgjigjja e pyetjes: se çfarë nënkuptojmë me ekonomi informale dhe cilët janë faktorët që stimulojnë përhapjen e saj.

Ekonomia informale është shuma e gjithë aktiviteteve ekonomike që kontribuojnë në Prodhimin e Përgjithshëm Bruto (PBB) zyrtar, por që nuk regjistrohen e nuk janë të taksuara rregullisht dhe që nuk bëjnë pjesë në aktivitetin kriminal. Praktikisht në bazë të këtij përkufizimi mund të themi se ekzistojnë tre PBB: ai zyrtar, ai informal dhe ai kriminal. Nëse të parin mund ta dimë të sigurt se sa është saktësisht, duhet të kuptojmë se sa është vlera reale e dy të tjerëve.

Për sa i përket PBB-së informale, mund të nisemi nga fakti se konsumi i familjeve shqiptare është relativisht më i lartë sesa ato deklarojnë realisht, kjo falë evazionit fiskal dhe korrupsionit. Sipas disa stimave të bëra në bazë të të dhënave të publikuara nga INSTAT, ekonomia informale në vitet e fundit shkon diku te 36%, evazioni fiskal llogaritet të shkojë rreth 40% ndërsa puna në të zezë apo punëtorët e paregjistruar, sipas Organizatës Ndërkombëtare të Punës, shkon rreth 30%, ky i fundit shkon edhe më tej duke qenë se, edhe pse një pjesë e të punësuarve paguajnë sigurimet shoqërore, shpesh ata deklarojnë një rrogë minimale dhe jo rrogën reale që marrin në të vërtetë. Duke kaluar te numrat sipas disa llogaritjeve paraprake mund të themi se ekonomia informale në Shqipëri është rreth 5 miliardë dollarë, ndërsa evazioni fiskal shkon diçka më tepër se 1 miliard dollar. Kurse PBB-ja kriminale presupozohet të jetë rreth 2 miliardë dollarë nga 6 që ishte para ndërhyrjes në Lazarat.

Sipas disa të studimeve të bëra nga autorë të huaj, ekonomia informale ka kontribuar në 35-40% e PBB-së shqiptare. Sektorët primarë ku është përqendruar ekonomia informale janë ndërmarrjet e paregjistruara fare; ndërmarrjet që deklarojnë vetëm një pjesë të vogël të xhiros reale; marrja në punë e punëtorëve në mënyrë të pjesshme apo të plotë në të zezë dhe riciklimi i parasë apo mashtrimet financiare.

Për sa i përket evazionit fiskal, në vendet e zhvilluara të botës, biznesi i vogël që përbën rreth 90% të numrit total të bizneseve jep vetëm 5-10% të të ardhurave, kurse biznesi i mesëm jep rreth 25-30% dhe pjesën e ngelur e japin bizneset VIP.

Nëse biznesi i vogël ka një impakt shumë të ulët në të ardhurat në buxhet (5-10%), në të tilla kushte, lufta ndaj evazionit fiskal të biznesit të vogël ka një kosto shumë të lartë dhe rendimenti i kësaj lufte do të jetë relativisht shumë i ulët, sado e dukshme të jetë lufta.

Nisur nga arsyetimi i mësipërm dhe nga analiza e disa të dhënave bazë të të ardhurave fiskale, mund të themi me bindje se lufta ndaj ekonomisë informale dhe ndaj evazionit fiskal që në kohën e krizës ku aktualisht jetojmë mund të transformohet jo vetëm në një amortizator social, por mund të bëjë të mundur edhe ngritjen e rrogave apo uljen e taksave.

Por kjo luftë, që të ketë sukses, nuk duhet të jetë e përqendruar te biznesi i vogël, ajo duhet të jetë e fokusuar tek bizneset VIP, pasi janë ato biznese që kanë një kontribut të madh në të ardhura e mbi të gjitha, nëse analizojmë të dhënat, ato tregojnë se problemi në mosrealizimin e të ardhurave qëndron tek akciza.

Për sa i përket lindjes dhe lulëzimit të fenomenit të ekonomisë informale, sipas shumë ekonomistëve dhe sociologëve, faktorët që çojnë në lulëzimin e këtij fenomeni, janë kryesisht ato të paaftësisë së administratës tatimore dhe të varfërisë.

Shumë sipërmarrës nuk munden të paguajnë, pasi të ardhurat bruto janë të ulëta dhe jo të mjaftueshme për të jetuar, për këtë arsye ata evitojnë t’i paguajnë. Ndërsa disa të tjerë, falë korrupsionit masiv dhe paaftësisë së organeve tatimore, u jep mundësinë atyre të operojnë në informalitet dhe të shmangin pjesërisht apo tërësisht detyrimet tatimore.

Ndërsa për sa i përket punësimit në të zezë, shumë ekonomistë mendojnë se maksimizimi dhe përfitimi social që sipërmarrësit kërkojnë të arrijnë falë edhe mungesës së kontrolleve nga organet kompetente, imponojnë dhe nxisin punën në të zezë dhe punën e pasigurt, këto të dyja në kohë krize janë gjithmonë e më të përhapura jo vetëm në vendin tonë, por edhe në vendet e tjera të botës.

Sipas Minsky-t, për të dalë nga kriza, konsumatorët nuk kanë nevojë për ndihmë sociale, por kanë nevojë që qeveria të ndërhyjë direkt në ofertën e punës. Kjo politikë që në disa raste shihet mirë jo vetëm nga e majta, por edhe nga e djathta, kur flasim për rroga të ulëta për të gjithë, për Minsky-n janë politika konservatore të një sistemi jofunksional ekzistues që pengohet nga limite strukturore në një kapitalizëm të bazuar në spekulacion e që provokojnë tepricë investimesh spekulative dhe paqëndrueshmëri financiare.

Të mbështetësh familjet me anë të ndihmës sociale dhe transfertave është një rreth vicioz, pasi nuk stimulon mjaftueshëm konsumin dhe investimet shkojnë në spekulime. Pra një kapitalizëm i planifikuar, ku shteti në vend që të japë ndihmë sociale dhe transferta duhet të punësojë të papunët në projekte të ndryshme, duke bërë diçka të nevojshme për shoqërinë në vend që të marrin ndihmën sociale pa bërë asgjë.

Nxitja e punësimit, çon në punësimin e plotë dhe në rritjen e nivelit të rrogave. Një nëpunës i paguar mirë e ka më të thjeshtë të marrë një kredi për të blerë shtëpi apo të blejë shërbime të nevojshme dhe luksi. Pra punësimi gjeneron punësim.

Për të konkluduar mund të themi se informaliteti është një e keqe për ekonominë e një vendi sidomos kur arrin në shifra alarmante siç po ndodh në vendin tonë. Evazioni fiskal dhe punësimi në të zezë krijon probleme serioze në realizimin e të ardhurave dhe në qëndrueshmërinë e llogarive publike. Një luftë ndaj tyre me siguri do të sillte përmirësim të këtyre të fundit dhe pse jo mund të çonte edhe në një ulje të presionit fiskal. Megjithatë, duke parë që kemi një tkurrje pothuajse të vazhdueshme të të ardhurave të TVSH-së, e cila vjen ose nga rënia e çmimit të bursës së produkteve të eksportit si nafta, por mbi të gjitha ky tregues reflekton gjendjen e ekonomisë, pra prodhimin dhe konsumin.

Duke ju referuar BSH-së, në fund të 2014-s, paga mesatare reale kishte rënë me 5.8% dhe produktiviteti me 9.5%, nisur nga këto të dhëna mund të themi se, me siguri ka rënë edhe konsumi i cili është komponenti primar i PBB-së.

Në të tilla kushte, lufta e ashpër ndaj evazionit fiskal në biznesin e vogël e paralajmëruar se do të nisë në shtator me shumë gjasa jo vetëm që do të kërkojë shumë energji dhe do të arrihen pak rezultate, pasi ndikimi në të ardhura është i ulët, po mund të përkeqësojë edhe më keq situatën ekonomike, pasi mund të dëmtojë ato 180 000 familje që marrin të ardhura nga biznesi i vogël, apo akoma më tepër, mund të çojë në një rritje të çmimeve duke përkeqësuar edhe më shumë konsumin.

Për të luftuar ekonominë informale dhe evazionin fiskal, qeveria duhet të ndërmarrë gjithsesi reformën e përfolur në media, por energjitë duhen fokusuar te bizneset VIP dhe tek akciza, pasi janë bizneset VIP ato që kanë një kontribut të madh në evazionin fiskal.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button