Ekonomia

Ekonomia shqiptare me investime më të larta dhe bilanc të përmirësuar tregtar

Deklarata e ministri italian të Ekonomis dhe Financave, Pier Carlo Padoan për Shqipërinë në Komitetin Financiar Monetar Ndërkombëtar në Washington-

Ministri italian i Ekonomisë dhe Financave, Pier Carlo Padoan, gjatë takimit të 33-të të Komisionit Monetar dhe Financiar Ndërkombëtar pranë Fondit Monetar Ndërkombëtar, mbajtur në Uashington raportoi mbi ecurinë e ekonomive të Shqipërisë, Italisë, Greqisë, Maltës, Portugalisë dhe San Marinos.

Duke folur për Shqipërinë tha se ajo ka ruajtur rritjen ekonomike gjatë gjysmës së dytë të vitit 2015. Ekonomia është rritur, duke pasqyruar një aktivitet më të lartë të investimeve dhe një bilanc të përmirësuar tregtar, ndërkohë që janë përmirësuar më tej treguesit e stabilitetit financiar. Rritja ekonomike ishte 2.6 për qind në vitin e kaluar, duke shënuar për të dytin vit shpejtim të ritmeve të rritjes, megjithëse çmimet e ulëta të karburanteve i kanë penguar eksportet shqiptare.

Autoritetet shqiptare, kanë intensifikuar axhendën e tyre të reformave në mënyrë që të sigurojnë një trajektore të qëndrueshme të rritjes ekonomike. Por, pavarësisht rritjes së vazhdueshme, në tregjet e punës dhe të kapitaleve mbizotërojnë ende mundësi të pashfrytëzuara, që rezultojnë në papunësi të lartë dhe presione të ulëta inflacioniste. Veçanërisht inflacioni i çmimeve të konsumit ka qenë subjekt i presioneve dezinflacioniste të ardhura nga ekonomia e jashtme. Në rritje, pritshmëria për inflacionin është që ai të mbetet pak a shumë në kufijtë e synuar, angazhimi i autoriteteve drejt konsolidimit fiskal është i padiskutueshëm dhe borxhi publik mbetet brenda parametrave të programuara. Defiçiti primar është ulur me 1.5 pikë përqindjeje në vitin 2015.
Rritja ekonomike pritet të përshpejtohet më tej në vitet në vazhdim, bazuar në një kërkesë më të madhe të brendshme, një përmirësim të pritshëm të mjedisit të jashtëm financiar dhe në efektin e reformave strukturore të ndërmarra në mbështetje të biznesit.
 
Qeveria shqiptare është e vendosur të vazhdojë me përpjekjet e saj në drejtim të konsolidimit fiskal. Disa mosrealizime në të ardhurat gjatë gjysmës së dytë të vitit 2015 i shtynë autoritetet që të ulnin shpenzimet, në mënyrë që të mos prekeshin objektivat sa i takon defiçitit. Nismat për reforma fiskale synojnë të zgjerojnë bazën e taksueshme, si dhe të nxitin ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Rreziqet e shpenzimeve që kanë ardhur nga sektori i energjetikës janë pakësuar më tej dhe nismat për të siguruar harmonizimin e taksave kanë sjellë rezultate pozitive fillestare në uljen e informalitetit në ekonomi. Konsolidimi fiskal do të vijojë të synojë përmirësime të mëtejshme në kuadrin e administrimit të shpenzimeve publike.

Banka e Shqipërisë mbetet e angazhuar në përmbushjen e detyrës së saj ligjore për të ruajtur stabilitetin e çmimeve në planin afatmesëm. Politika monetare mendohet se do të jetë ekspansive në të ardhmen e afërt, me trajektoren e e pritshme që do t’u komunikohet rregullisht tregjeve nëpërmjet orientimeve paraprake

Sa i përket ruajtjes së stabilitetit financiar, politikat makroekonomike të kujdesshme të Bankës së Shqipërisë do të synojnë mbështetjen e një sistemi bankar elastik. Masat e kujdesshme makro mundësuan një rënie në mbarë sistemin të kredive të këqija. Niveli i tyre ra në 18.2 për qind në fund të vitit 2015, nga një rekord prej afro 25 përqind në shtator të vitit 2014. Kjo do të ndihmojë në uljen e riskut të kredisë në ekonomi dhe fuqizimin e ndërmjetësimit bankar. Sistemi bankar është elastik, i mirëkapitalizuar, me likuiditet të lartë dhe me institucione bankare që dalin me fitim.

Autoritetet shqiptare do të vazhdojnë të përqendrohen në zbatimin e reformave strukturore gjithëpërfshirëse, me synimin për të rritur potencialin e rritjes ekonomike dhe sigurimin e një rritjeje afatgjatë të qëndrueshme. Reforma gjyqësore e autoriteteve, që pritet të riorganizojë funksionimin e sistemit gjyqësor, është në fazat e fundit të negociatave mes aktorëve kryesorë.

Autoritetet shqiptare janë të vendosura të vazhdojnë politikat makroekonomike në përputhje me programin e mbështetur nga FMN dhe në mbështetje të një programi të rritjes ekonomike të qëndrueshme si dhe duke përqendruar te gjitha përpjekjet e tyre në drejtim të procesit të integrimit evropian

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button