Ekspertë nga SHBA, trajnim stafit teknik të shoqërive të sigurimit dhe AMF-së
Ekspertë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës po trajnojnë stafe teknike nga të gjitha shoqëritë e sigurimit dhe AMF-së që veprojnë në tregun shqiptar dhe që në fokusin e punës së tyre të përditshme kanë mbikëqyrjen dhe administrimin e rrezikut.
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) po organizon këto ditë seminarin e trajnimit me temë “Administrimi i rrezikut në sigurime”. Ky trajnim është në kuadër të zbatimit të metodologjisë së re të mbikëqyrjes, asaj me fokus rrezikun, qe kërkon ngritje dhe forcim të kapaciteteve të administrimit të rrezikut. Realizimi i këtij programi trajnimi zhvillohet me mbështetjen e Korpusit Vullnetar të Shërbimeve Financiare, FSVC (Financial Services Volunteer Corps).
Disa nga temat kryesore që po trajtohen në seminar lidhen me procesin e administrimit të rrezikut si, marrja në sigurime, tarifimi, administrimi i dëmeve, provigjonimi, investimet, etj, si dhe me identifikimin e rrezikut në shoqëri, mënyrat e administrimit, kulturen e organizatës, raportimin, vlerësimin e rrezikut dhe aftësisë paguese. Në përfundim të programit do të synohet që secila nga shoqëritë pjesëmarrëse të ketë të hartuar një plan veprimi të veçantë rreziku në varësi të specifikave të tyre, duke e bërë në këtë mënyrë programin të vlefshëm si për tregun dhe rregullatorin në sfidën e përbashkët për ndërtimin e praktikave sa më të shëndosha të administrimit të rrezikut dhe lehtësimin e tranzicionit për zbatimin e mbikëqyrjes me fokus rreziku.