Eksplozivi, Berisha: Tritol në zarf ministrit, sepse qeveria kaloi “vijën e kuqe”
Ish-kryeministri Sali Berisha i konsideroi shpërthimet me eksploziv të para dy ditëve në kryeqytet, si tritol në zarf për ministrin, pasi bandat donin t’i tregonin qeverisë se kaloi “vijën e kuqe”. Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Berisha tha se qeveria guxoi t’i prekte bandat aty ku i kishte dhënë vetë garanci.
“Krimi po pushton çdo javë horizonte të reja. Goditja e tij dy ditë më parë ishte tritoli në zarf për ministrin e brendshëm dhe kjo është një gjë shumë e keqe, për pozitën, opozitën, shoqërinë dhe gjithë vendin. Kjo është e dënueshme, një gjë që s’ka ndodhur në asnjë nga kohërat ë përparme. Nuk ndodhi në kohën kur Spartak Poçi goditi bandat dhe sot ecën i lirë në rrugët e qytetit. Nuk ndodhi me të ndjerin Sokol Olldashi që çmontoi grupe kriminale. Ndodhi tani dhe ndodhi në mënyrën më të egër. Kriminelët që kryen aktin dëshmuan se ata mund të godasin ku të duan. Zgjodhën ministrin për t’i vënë tritolin ne zarf, zgjodhën shefin e policisë për të thënë se ne kur të duam i godasim shefat e policisë, por kjo përbën një ngjarje shumë të rëndë për Shqipërinë. Në një farë mënyre të hidhur këto janë paralajmërime të krimit se qeveria ka kaluar vijën e kuqe. Çfarë ishte tritoli në zarf? Ishte pikërisht se guxuat të na prekni aty ku na keni dhënë garanci.”- deklaroi Berisha.
Duke iu drejtuar ministrit Tahiri, Berisha tha: “Mos u bëj zëdhënës i një bande kundër një bande tjetër, bandat një fytyrë kanë. Por ju i tregoni ligjin qytetarëve të thjeshtë që i arrestoni pa motiv. Keni arrestuar dhe ndaluar 38 mijë qytetarë. Por shteti policor nuk ka brirë”.
Duke sjellë në vëmendje zbulimin e laboratorit të drogës në Xibrakë, ish-kryeministri Berisha tha se ka informacione se edhe në periferi të Vlorës mund të ekzistojë një tjetër fabrikë që prodhon lëndë narkotike.
“Shqipërinë po e ha droga dhe shqiptarët kanë vetëm një rrugëdalje nga kjo situatë e tmerrshme, janë zgjedhjet e parakohshme.”- deklaroi Berisha