Elbasan- Këshilli Bashkiak miraton projekt-buxhetin e vitit 2015
Këshilli Bashkiak i Elbasanit miratoi projekt- buxhetin e Bashkisë për vitin 2015 që arrin në mbi 1 miliardë lekë. Këshilltarët e djathtë e cilësuan delikat këtë buxhet që miratohet përpara zgjedhjeve dhe reformës territoriale, të cilat do të kenë ndikim të drejtpërdrejtë.
Sipas këshilltarit të djathtë, Blendi Himçi, “trendi i paraqitur nga Bashkia për rritje të të ardhurave nga biznesi i vogël është jo i saktë, pasi realiteti tregon që bizneset po mbyllen dita ditës”. Sipas tij, “buxheti nuk paraqet realitetin faktik të vitit 2014, ai është jo real dhe i fryrë”.
Nga ana e tij, kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini, e konsideroi këtë një buxhet të përkohshëm për shkak të ndryshimeve të pritshme dhe të paparashikueshme, për shkak edhe të reformës territoriale.
Sejdini tha se “Buxheti është thuajse në të njëjtat nivele me vitin 2014 dhe miratimi i tij me vonesë ka qenë pikërisht për shkak të ndryshimeve që pritet të ndodhin”. Gjithashtu, ai u shpreh para këshilltarëve për kontradiktat që ka me Drejtorinë Rajonale të Tatim-Taksave. Sipas tij, “kjo drejtori ka realizuar mbledhjen e të ardhurave nga biznesi i vogël në masën 67 %, shumë herë më pak nga sa e realizonte vetë pushteti vendor”.
Në lidhje me këtë fakt, këshilltarët kërkuan që kjo kompetencë t`i hiqet Drejtorisë Rajonale të Tatim- Taksave dhe t`i rikthehet pushtetit vendor.