Elbasan, mbillen 3 mijë fidanë, Rama: Kod Penal, kundër krimeve ndaj mjedisit
Në Elbasan nisi sot ripyllëzimi i zonës së degraduar përgjatë lumit Shushicë dhe sistemimi i shtratit të lumit Shkumbin në zonën e erozionit, sipas një projekti të hartuar në kuadër të Moratoriumit 10 vjeçar të Pyjeve dhe Sezonit vjetor të Pyllëzimit.
3000 fidanë të rinj, (akacie dhe plep) do të mbillen në një sipërfaqe prej 2 ha, në një nga zonat ku efekti i erozionit ka shkaktuar dëme serioze në ekonominë dhe infrastrukturën e banorëve të zonës, por jo vetëm, duke i shtrirë efektet edhe përgjatë lumit Shkumbin.
Ripyllëzimi i kësaj sipërfaqe, e cila prej dekadash ka vuajtur shkatërrimin e zonave të gjelbëruara, përmes prerjeve masive dhe zjarrvënieve të qëllimshme, do ti rikthejë mushkërinë banorëve të Shushicës, si dhe do të rrisë ndjeshëm cilësinë e ajrit, për këto zona, duke e pastruar atë.
Ky projekt i rëndësishëm i ndërmarrë nga Ministria e Mjedisit parashikon ndër të tjera, sistemimin e shtratit të lumit pranë urës Polis, Valë dhe përgjatë rrjedhës, thellimin e shtratit të lumit, si dhe pastrimin e materialeve inerte te grumbulluara aty.
Duke e vlerësuar Moratoriumin 10 vjeçar për pyjet si të vetmen përgjigje ndaj shfrytëzimit barbar të tyre, kryeministri Rama u shpreh se masa të tjera të rëndësishme do të ndërmerren kundër krimeve ndaj mjedisit, në mënyrë që në fund të 10 viteve Shqipëria të ketë një pamje krejt tjetër, për sa i përket ekuilibrave të natyrës.
“Kjo është kostoja e tmerrshme e shumë viteve shfrytëzim barbar. Moratoriumi është e vetmja përgjigje për të pasur një ripërtëritje të të gjithë pyjeve dhe për të rivendosur ekuilibrat natyrorë, pa të cilët nuk ka pritë, nuk ka shtet që e mbron dot, popullin nga uji. Ndërkohë dhe mbjellja e fidanëve për të siguruar gjithë mbrojtjen në pikat kritike dhe për tu shtrirë në të gjitha fashat e shkretuara nga sëpata e gjithë këtyre viteve, do të vazhdojnë intensivisht. Gjatë viteve të qeverisë së kaluar janë dhënë 3 leje në vit për shfrytëzim pyjesh dhe gjithsej 2600 leje shfrytëzimi për pyje, që është një çmenduri më vete. Ndërkohë që ne në 2 vjet kemi njohur 24 kontrata.
Do të bëjmë dhe një tjetër hap me lumenjtë për të vendosur rregulla strikte. Shumë shpejt do të kalojmë dhe paketën për Kodin Penal kundër krimit mjedisor. Me gjithë këto masa, në harkun e 5 viteve, gjerat do të vihen në kontroll të plotë dhe do të fillojë rigjenerimi dhe në harkun e 10 viteve Shqipëria do të ketë një pamje krejt tjetër, për sa i përket ekuilibrave të natyrës.”