Elbasan, zbulohen mozaikë të rinj në Bazilikën Paleokristiane me vlera artistike fetare
Bazilika Paleokristiane e Elbasanit, një nga monumentet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore në vend, vijon të sjellë zbulime të reja arkeologjike. Gërmimet e fundit në këtë sit, që ndodhet në zemër të qytetit pranë lagjes Kala, kanë nxjerrë në dritë një mozaik me vlera të veçanta historike, artistike dhe fetare.
Sipas arkeologëve, mozaiku i sapozbuluar përmban elementë dekorativë dhe simbolikë të rëndësishëm të traditës së krishterë të hershme. Mes tyre spikasin motive me gjethe hedera, dekorime me luspa peshku dhe skena të Eukaristisë.
“Kemi zbuluar një panel, në pjesën e të cilit është vendosur një dekor i rrethuar me gërsheta dhe gjethe hedera. Gjethet e hederës janë pikërisht ajo bimë që ngjitet në mure dhe jeton gjatë në çdo stinë të vitit, duke simbolizuar që besimi te njeriu duhet të jetë po aq i qëndrueshëm, i lidhur fort si ajo me murin, ashtu si edhe besimi te Zoti. Pjesa tjetër përbëhet nga një panel me luspa peshku, që po ashtu është një simbolikë e Krishtit.
Ndërsa në panelin e absidës, që përfaqëson zonën më të shenjtë të kishës, kemi skenën e Eukaristisë, e cila është një nga skenat më të njohura të periudhës së Antikitetit të Vonë dhe ndër më të përdorurat në kisha. Aty paraqitet një kantaros, ose një vazo e madhe, që mban gjakun e Krishtit dhe dy pallonj që pijnë prej tij.
Duhet të theksojmë faktin se ndodhemi në vijën Egnatia dhe përgjatë kësaj vije kishte artizanë që udhëtonin nga një kishë në tjetrën për të punuar. Në këtë rast, mozaikët ngjajnë shumë me ata që gjenden në kishat e tjera përgjatë Via Egnatia”, tha arkeologu, Erikson Nikolli.
Kërkimet aktuale synojnë të përcaktojnë më saktë fazat e ndërtimit dhe përdorimit të bazilikës. Gërmimet kanë nxjerrë gjithashtu në dritë mbishkrime në gjuhët latine dhe greke, si dhe të dhëna mbi dhuruesit e kishës.
“Mozaikët e rinj polikromë shquhen për një nivel të lartë si në ndërtim, ashtu edhe në aspektin artistik. Të dyja këto janë dëshmi se niveli i lartë kulturor dhe ekonomik i qytetit ka vazhduar për një periudhë të gjatë gjatë shekujve V dhe VI.
Është zbuluar pjesërisht një skenë e Eukaristisë, si dhe një mbishkrim i rëndësishëm që përmend dy dhurues të kishës. Gjithashtu, po hasim mbishkrime në gjuhën latine dhe në gjuhën greke”, tha arkeogogu, Elio Hobdari.
E shpallur Monument Kulture i Kategorisë së Parë, Bazilika Paleokristiane e Elbasanit përfaqëson një dëshmi të rëndësishme të rolit që Skampisi ka luajtur si qendër administrative, tregtare dhe fetare përgjatë Via Egnatia-s. Pozicioni i saj në qendër të qytetit dhe zbulimet e vazhdueshme arkeologjike e kanë kthyer sitin në një nga pikat më të vizituara të turizmit kulturor në Elbasan.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.