Elhaida Dani me “I’am Alive”, përfaqëson sot Shqipërinë
Këngëtarja e njohur jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë saj, Elhaida Dani, do të përfaqësojë sot Shqipërinë në Festivalin Evropian të Këngës në skenën e Eurovizion në Austri.
Gjatë natës së sotme, që është nata e parë gjysmëfinale e festivalit, këngëtarja shkodrane Elhaida Dani do të këndojë e katërmbëdhjeta duke përfaqësuar kështu Shqipërinë me këngën “I’am Alive”, material muzikor i kompozuar nga Zzap’n’Chris dhe me tekst nga Sokol Marsi.
Në konkurrimin e sotëm Elhaida Dani do të ketë për rivalë vendet si Greqia, Maqedonia, Estonia, Holanda, Moldavia, Finlanda, Belgjika, Armenia, Serbia, Danimarka, Bjellorusia, Rumania, Spanja, Austria, Franca, Rusia, Gjeorgjia dhe Hungaria. Nëse kualifikohet më tej, Dani do të performojë në finalen e 23 majit.
Gjatë ceremonisë hapëse të këtij kompeticioni Elhaida Dani ka përfaqësuar mjaft mirë vendin tonë përmes paraqitjes së saj.
Mijera pëlqime dhe komente përkrahëse nga Shqipëria, Italia dhe thuajse nga e gjithë bota, kanë shoqëruar prezantimin e këngës në internet të këngëtares shkodrane, e cila u bë mjaft e njohur në botë duke fituar në vitin 2013 vendin e parë në talent show-n e zhvilluar në Itali “The Voice of Italy”.
Ndërkohë që vetëm 10 ditë që nga publikimi, videoklipi “I`m Alive” i Elhaida Danit ka grumbulluar 1 milionë shikime në Youtube. Kënga radhitet e treta në klikimet e këngëve të festivalit të Eurovizionit ku Elhaida përfaqëson Shqipërinë, kjo pas Rusisë dhe Mbretërisë së Bashkuar. Kënga “I`m Alive” është lançuar edhe në iTunes, ndërsa Elhaida bëri edhe lobimin e saj nëpër Evropë.
Këngëtarja Dani është vlerësuar edhe nga tabloidi britanik “The Mirror”, për të cilën shkruan “Elhaida Dani është një nga vokalistet më të mira në këtë kompeticion, pasi në këngën e saj, ka diçka që rritet brenda teje. Vokalisht, Elhaida e çon këngën në nivele të larta të kompeticionit. Mirëpo mbetet ende për të provuar nëse ajo do ta bindë Europën ta votojë”.
“Mirërseerdhe në Eurovizion, Shqipëri. Tani ti po garon vërtet!” – shkruan “The Mirror” në fund, një vlerësim maksimal për vendin tonë si një pretendent i denjë këtë vit në festivalin që bashkon zërat e Europës.
Elhaida Dani ka lindur në Shkodër, në 17 shkurt 1993. Ajo eshte fituese e disa çmimeve si Star Akademi, Top Fest , The Voice of Italy, e së fundi fituese e Festivalit të Këngës në RTSH 2014 , çmim që e bën përfaqësuese të Shqipërisë në Eurosong 2015.
Dani ka studiuar piano që në moshën 6-vjecare në shkollën ‘Prenkë Jakova’ në Shkodër. Ka marrë pjesë në talent–shoë “Star Academy”, ku është shpallur fituese në vitin 2009. Më pas ka marrë pjesë në festivale ndërkombëtare si në Rumani, Bullgari etj. Konkurrimi i saj në festivale fillon në Kënga Magjike 2008 ku këndoi “Fjala e fundit” dhe më pas në vitin 2011, në festivalin e këngës në RTSH. Ajo këndoi “Mijëra Vjet” dhe u nderua me çmimin “Melodia më e mirë”.
Viti 2012 është një vit i paharruar për Elhaiden pasi publikoi albumin e saj të parë dhe më pas në Top-Fest u shpall fituese e çmimit të madh me këngën “S’je më. Në vitin 2013 Dani fitoi vendin e parë në talent show-n e zhvilluar në Itali “The Voice of Italy”.