Elizabeth Holmes – Strategjia “speciale” që e bëri miliardere
Në çdo brez, një elitë e vogël sipërmarrësish arrijnë maja të paimagjinueshme. Mes këtij grupimi gjenden disa persona që priren të arrijnë suksesin dhe disa të tjerë që përbëjnë përjashtimin. Këta të fundit janë njerëzit që me suksesin e tyre në biznes ndikojnë shoqërinë në një mënyrë të tillë që bëhen përherë të pëlqyer në publik.
Warren Buffett, Oprah Winfrey, Steve Jobs, Bill Gates dhe tani Mark Zuckerberg, janë disa shembuj të këtij grupi shumë të suksesshëm. Si miliarderë, ata nuk përjetuan vetëm suksesin, por morën dhe një emër që ka hyrë në histori për risitë e tyre.
Një grua e re me emrin Elizabeth Holmes po punon shumë për të arritur statusin e saj si të tjerët. Nuk e keni dëgjuar kurrë emrin e saj? – Nuk është çudi dhe madje ka qenë e planifikuar. Shumica e sipërmarrësve mezi presin të dalin në faqet e para të lajmeve, sepse duhen klientë për të blerë idetë e reja, investitorë dhe industria në fjalë të ndihmojë në rritjen e personit.
Ashtu si shumë miliarderë të tjerë, Holmes la kolegjin për të ndjekur ëndrrën. Në shkollë të mesme ajo mësoi vetë gjuhën mandarine dhe u shiti universiteteve kineze përpilues të “C++”. Ajo shkoi në Stanford për inxhinieri kimike, ku bëri patentën e parë dhe udhëtoi në Singapor për të punuar mbi virusin SARS. Pa kaluar shumë, Holmes e la Stanfordin dhe vazhdoi rrugën e ëndrrës së saj për t’u bërë pioniere e mjekimeve të personalizuara.
Kompania e saj, ‘Theranos’, u krijua nga dëshira për të bërë ndryshimin më të madh që ajo mundej në botë, sipas Holmes. Ajo i kaloi 11 vitet e fundit duke zhvilluar një teknologji revolucionare të testimit të gjakut për të mundësuar diagnostikim të plotë vetëm me një pikë gjaku.
Imagjinoni diagnostikimin komplet të trupit vetëm me anë të një pike gjaku, procedurë që shmang shpenzime të mëdha dhe kryerjen e qindra testeve që zhvillohen tani për të zbuluar sëmundjet. Zbulimi i Elizabeth Holmes pritet të ndryshojë totalisht shëndetësinë, në Amerikë dhe kudo nëpër botë.
Testet e gjakut nuk kanë evoluar që prej viteve ’60 dhe Holmes pa një rrugë unike për t’i shkundur pluhurin kësaj industrie, teksa bënte edhe një të mirë për publikun. Por ajo nuk e reklamoi këtë.
Ndryshe nga strategjia që përdorin shumica e atyre që fillojnë një nismë, Holmes nuk e ka përfolur idenë e saj ku të mundej. Nuk pati skuadër të marrëdhënies me publikun pas perdeve për të orkestruar jehonën mediatike.
Në fakt, përderisa Holmes u rendit në 40-shen e revistës “Forbes” dhe në kopertinën e revistës “Fortune” të këtij viti, ajo ishte virtualisht e panjohur.
Holmes pati një vizion aq domethënës. Ajo nuk donte që konkurrentët e saj të kishin dijeni për të, derisa ajo të kishte krijuar një treg plotësisht të ri; teknologjinë e shëndetit ndaj konsumatorit.
Dhe konkurrentët e saj janë gjigantë si “Quest” apo “LabCorp” të cilët janë lojtarë me 70 miliardë në industrinë e testeve të gjakut. Në vend që të dilte duke e bërë të njohur projektin e saj, Holmes me qetësi punoi për një dekadë pa u vënë re përpara se të fillonte të investonte në ndërtimin e një paraqitje publike për veten.
Ajo ndërtoi një biznes që tani ka 500 punonjës, ndër të cilët emra të njohur, si dhe investitorë të fuqishëm. Në kohën e selfie-ve dhe yjeve të “YouTube”, si dhe të fenomeneve që bëjnë bujë në internet, është e çuditshme të zbulosh një sipërmarrëse të re që është më tepër e përqendruar në punën e saj dhe në të mirën sociale, sesa në prezencën virtuale.
Vetëm 30 vjeçe dhe tashmë pronare e 50 për qind të kompanisë së saj prej 9 miliardë dollarësh, Holmes duket se vetëm tani po përpiqet të dalë përpara dritës së publikut.
Është një strategji e çuditshme njohjeje, pune dhe krijimi të dinjitetit në sytë e publikut që Elizabeth Holmes, miliarderja më e re, e ka përdorur me sukses dhe i ka funksionuar.
*Burimi: Business Insider