Emergjenca e Vettingut, BE e kërkon brenda muajit korrik
Valentina Leskaj nuk e mbylli seancën e 25 korrikut si seanca e fundit e këtij sesioni parlamentar dhe për këtë kishte një arsye. Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë kishte kërkuar në rrugë jozyrtare miratimin e ligjit të Vettingut brenda muajit korrik për shkak se mund të digjej një fond i akorduar nga BE.
Zyra e Tiranës nuk bëri komente rreth kësaj kërkese, por asnjë prej kryetarëve të grupeve të mëdha parlamentare nuk konfirmoi se do të ketë një seancë deri në fund të korrikut.
“Kemi biseduar me zotin Ruçi dhe kemi rënë dakord që 25 korriku të jetë seanca e fundit e këtij sesioni. Në Grupin Parlamentar të PD-së nuk ka asnjë kërkesë nga askush për të mbledhur seancën plenare”, thotë kreu i Grupit Parlamentar demokrat, Edi Paloka.
Pothuajse njësoj reagoi edhe Petrit Vasili, i cili vuri në dukje edhe një pengesë kushtetuese pse ligji i Vettingut nuk mund të kalojë brenda korrikut.
“Më 25 korrik ishte seanca e fundit për këtë sesion. Dakordësia ka qenë kjo: që 7 ligje, nuk kanë mundësi kushtetuese të kalojnë këtë sesion dhe sesioni i radhës nis më 4 shtator”, thotë Vasili.
Edhe ekspertët e opozitës folën për disa pengesa, njëra prej të cilave kushtetuese. Sipas tyre, përsa kohë ndryshimet kushtetuese nuk kanë hyrë në fuqi, projektligjet nuk kanë baze ligjore mbështetëse.
Me dekretimin e ndryshimeve kushtetuese nga Presidenti do të duhen të paktën 15 ditë për botimin në fletoren zyrtare, një kohë që tejkalon edhe javën e parë të gushtit.
Ndoshta, këto llogari ka bërë kryetari i Grupit Parlamentar Socialist Gramoz Ruçi, kur iu përgjigj pyetjes së Top Channel, nëse sesioni ishte mbyllur apo jo të hënën.
“Parlamenti është gjithmonë i pambyllur. Ai është funksional në çdo kohë. Nëse ka emergjenca në korrik apo në gusht, Parlamenti mund të mblidhet në çdo kohë”, tha ai.
Por miratimi i ligjeve nuk është vetëm çështje kohe. Siç thotë Edi Rama, kjo është edhe çështje votash, sepse 7 ligjet e para kërkojnë një shumicë prej 84 votash, të cilat mazhoranca i bën me Lëvizjen Socialiste për Integrim.
Në një postim në Facebook, Kryeministri nuk iu referua ndonjë situate konkrete, por parashikon rezistencë nga ata që u dorëzuan për reformën kushtetuese përballë presionit të brendshëm dhe ndërkombëtar.