Emiratet e Bashkuara Arabe, 350 mijë USD për banorët e prekur nga përmbytjet
Shoqata e Gjysmëhënës së Kuqe të Emirateve të Bashkuara Arabe ka dhënë një shumë prej 200 000 USD për ushqime dhe 150 000 USD për veshje për familjet në nevojë, që u prekën nga përmbytjet në fillim të muajit shkurt, në zonat në jug të vendit, ndërsa Kryqi i Kuq Shqiptar po vazhdon operacionin e shpërndarjes së ndihmave.
Në një njoftim për shtyp, Kryqi i Kuq Shqiptar bën të ditur se apelit për ndihmë në këto zona i është bashkuar dhe një donacion i Vodafone Grup në Londër me një shumë prej 1 800 000 lekë (të reja) dhe Kryqi i Kuq Gjerman në një shumë prej 20 000 Euro.
Kjo mbështetje e konsiderueshme bën që operacioni i ndihmës i Kryqit të Kuq Shqiptar të shtrihet dhe për një muaj tjetër për 2 000 familje, që u prekën nga përmbytjet.
Për përcaktimin e detajeve të realizimit konkret të ndihmës, Kryqi i Kuq Shqiptar po bashkëpunon me Drejtorinë e Përgjithshme të Emergjencave Civile dhe Shtabet e tyre të Emergjencës në terren.
Deri tani, Kruqi i Kuq ka shpërndarë ndihma për 1112 familje në Urën Vajgurore dhe Otllak të rrethit Berat; në Akërni, Fitore, Novoselë dhe Poro në Vlorë; Darëzez, Hoxharë, Ferras dhe Cerven në rrethin e Fier.