Emmanuel Macron shpalos idetë e tij për reformimin e BE-së
BE-ja është “shumë e ngadaltë, shumë e dobët, shumë jo efikase”, ankohet presidenti i Francës. Në një fjalim parimor Emmanuel Macron shpalosi një gamë të gjerë me propozime për reforma.
Buxhet Eurozone dhe ministër Financash në Eurozonë
Pavarësisht rezervave edhe nga Berlini, Macron po çon përpara planin e tij për një “revolucion buxhetor”. Ai theksoi në Paris, se në reformat e nevojshme ai nuk ka “asnjë vijë të kuqe”, por vetëm “horizonte”. Pavarësisht kritikave nga partia liberal-demokrate FDP dhe unioni konservator CDU, kreu i shtetit në Francë theksoi kërkesën e tij për një buxhet të mëvetsishëm për vendet me monedhën e përbashkët europiane si dhe një ministër Finanncash për këtë zonë. Por nuk duhet që nga kjo arkë e përbashkët e BE-së të përgjithësohen borxhet e vjetra apo problemet financiare të vendeve të veçanta, nxitoi të nënvizojë Macron.
Taksat e ndërmarrjeve
Duhet menduar, që ky buxhet i përbashkët të financohet me një taksë. Ai përmendi si opcion për këtë taksën e ndërmarrjeve, që në Europë duhet të unifikohet në një normë minimale. “Ne kemi nevojë për një buxhet të fortë në zemër të Europës, në zemër të Eurozonës”, apeloi politikani liberal i majtë.
Macron bëri thirrje gjithashtu për një etapë të re për një taksë të transaksioneve financiare për të gjitha vendet e BE-së. Të ardhurat prej kësaj takse mund të përdoren p.sh. për zhvillimin. Një taksë e tillë për transaksionet financiare ndaj bizneseve në bursë ka qenë fillimisht në mbarë botën dhe më 2013 ajo dështoi në nivelin mbarë europian.
Ndër kërkesat qendrore të Macronit bën pjesë edhe forcimi i përpjekjeve të përbashkëta në BE për mbrojtjen dhe armatimet. Krahas një buxheti ushtarak në nivel europian ai bëri thirrje edhe për një “trupë të përbashkët të ndërhyrjes” dhe “një doktrinë të përbashkët” në sektorin e mbrojtjes.
Në luftën kundër terrorizmit, Macron var shpresa të mëdha tek një “prokurori speciale europiane”. Macron kërkon gjithashtu një akademi të shërbimeve sekrete për BE-në. Po ashtu ai preferon edhe një “autoritet europian për azilin”, në mënyrë që kërkesat e refugjatëve të mund të shqyrtohen më shpejt. Edhe një polici kufitare europiane është e nevojshme sipas tij.
Gabriel: Macron mund të llogarisë me mbështetjen e Gjermanisë
Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Sigmar Gabriel (SPD), i përshëndeti propozimet e presidentit francez. Macron, tha Gabriel në Berlin, ka “dhënë një apel të guximshëm, pasionant kundër nacionalizmit dhe për Europën. Gjermania dhe Franca duhet ta shfrytëzojnë shansin, për ta bërë BE-në më demokratike dhe më të mirë për të ardhmen.
Si tema qendrore për një reformë në BE. Gabriel përmendi politikën e migracionit, sigurimin e kufijve të jashtëm të BE-së, punësimin, forcimin e Eurozonës dhe një politikë të përbashkët për klimën. Sipas tij i nevojshëm është në radhë të parë një “vullnet i përbashkët europian”, për t’i zgjidhur bashkarisht detyrat. “Emmanuel Macron tregoi sot, se ai e ka këtë vullnet. Ai mund të mbështetet tek ne”, theksoi Gabriel.
Përse pikërisht pas zgjedhjeve në Gjermani?
Në qarqet qeveritare të Parisit momenti i zgjedhur nga Macron për këto deklarata është i favorshëm. Nuk duhet pritur, derisa në Berlin të kenë përfunduar bisedimet e koalicionit, thuhet, se pastaj bëhet vonë për ta influencuar një debat mbi Europën. Pas zgjedhjeve në Gjermani për Europën hapet një kapitull i ri, e duhet nisur menjëherë me krijimin e opinionit, nuk duhet humbur më kohë, ky është lajtmotivi në pallatin Élysée.